Faik Berisha: HYSEN N. REXHEPI – Komandant i Njësisë Speciale, Brigada 125 DËSHMOR I LIRISË SË KOSOVËS

HYSEN N. REXHEPI – Komandant i Njësisë Speciale, Brigada 125
DËSHMOR I LIRISË SË KOSOVËS
Nr. 11

Në mesin e qershorit të vitit 1998, derisa ishim në Drenovc, zbresim në fshatin Ratkovc, ku shpesh takoja disa shokë me të cilët luanim futboll para luftës, si Ruzhdi Krasniqin dhe shumë të tjerë. Atë ditë pashë një djalë ushtar që më ra në sy, të cilin e kisha parë edhe më parë. Iu afrova dhe gjatë bisedës kuptova se ai ishte Hysen Rexhepi, të cilin e kisha parë edhe me Agron Besenin, Lulzim Ibrin dhe Sylejman Shalën duke ushtruar mundje. Agroni ishte edhe futbollist dhe kishim luajtur bashkë.

Ai më tregoi se kishte ardhur nga Zvicra në luftë dhe tha se shumë shpejt do të dilte nga ana e Vrrinit, sepse atje ekzistonte një njësi e UÇK-së. Gjatë kohës sa qëndroi në këtë pjesë, Hyseni mori pjesë pothuajse në të gjitha aksionet që u bënë në rrethin e Rahovecit, por edhe në shkuarjen në Bardh të Madh (Bellaqevc). Nga këtu Hyseni kalon në Vrrin, në Jeshkovë, ku merr pjesë shumë herë në luftimet që zhvilloheshin në atë zonë.

Pas rënies së Remzi Ademajt, komandant Petritit, e takova Hysenin dhe më pas ai kaloi në Shqipëri, ku mori pjesë në stërvitjet e ushtarëve, por edhe për vete përvetësoi njohuri për minahedhës dhe shumë armë të tjera.

Më 14 dhjetor, Hysen Rexhepi ishte në grupin e parë që printe së bashku me Komandant Drinin dhe anëtarët e shtabit të Brigadës 126 Hasi: Nexh Berishën, Qen Qenajn (dëshmor), Bislim Muqajn, Mahir Hasanin, Selim Krasniqin etj. Ky grup kishte çarë rrethimin, ku mbeti i vrarë Qena, ndërsa u plagosën Mahir Hasani, Nexha dhe Bislim Muqaj.

Ne ishim duke i pritur. Ky grup kishte rënë në fshatin Kushnin. Në këtë fshat kishin lënë disa uniforma që i kishin veshur, për shkak se ishin plagosur, por edhe një snajper dhe tre automatikë, sepse ishin ngarkuar shumë.

Pas 4–5 ditësh shkojmë unë dhe Heshim Gashi te Brahim Morina në Kushnin, i cili bënte pjesë në njësinë Hasi 100 që vepronte në Has. I marrim këto uniforma dhe armët, rreth 3–4 thasë, dhe i sjellim në Landovicë, në shtëpinë time. Para se t’i pastronim, i kontrollova dhe gjeta nëpër xhepa disa gjëra, por edhe një ditar me skema të minahedhësve, vizatime dhe shkrime. Pashë që mbante emrin e Hysen Rexhepit.

Gjatë larjes së këtyre uniformave, nëna ime (tashmë e ndjerë) e pashë duke qarë. Më tha:
“More bir, krejt gjak po nxjerrin këto uniforma.”
Ishin uniforma të disa ushtarëve që ishin plagosur në atë rast dhe disa që kishin tërhequr njëri-tjetrin.

Pas dy ditësh ia dërgojmë në Retie snajperin Komandant Drinit, pasi ai na kishte dërguar ta merrnim, dhe uniformat – shumica të zeza – që ishin të Hysenit dhe të të tjerëve. Aty takova Hysenin dhe gjatë bisedës që bëmë i tregova se e kisha gjetur ditarin e tij, të cilin e kisha me vete. U gëzua shumë dhe tha:
“Kam ushtruar shumë për këtë.”

Më pas caktohet prijës i Njësisë Speciale të Brigadës 125.

Shpeshherë kur shkonte te familja e tij në Prizren, qëndronte tek ne në Landovicë, pastaj e përcillnim. Disa herë e kanë përcjellë Rifat Kalimashi, Qazim Thaçi, Heshim Gashi, por edhe unë e kam përcjellë deri afër shtëpisë, e cila ishte shumë e rrezikshme.

Asnjëherë Hyseni nuk i hiqte armët nga vetja. Mbante një Glock në brez. Kur kthehej dhe e merrnim, rrinim pothuajse deri në mëngjes. Ishte komunikativ, serioz dhe i shkonte muhabeti shumë me Heshimin. Ishte shumë i lidhur me djemtë e Landovicës që i kishte në njësinë e tij: Tahirin, Hysniun, Hamitin, Mehmetin.

Një rast që do ta veçoja është 27 janari 1999, kur me urdhër të Drinit dhe Komandant Bashës asistuam në nxjerrjen e një grupi që kishte rënë në pritë dhe duhej të tërhiqej me luftë. Ishim rreth 15 veta dhe ishim vendosur te lisat në Dedaj, nga aty për Lubizhdë të Hasit.

Ky aksion udhëhiqej pikërisht nga Hysen Rexhepi, me një gjakftohtësi të lartë. Ai jepte urdhra për ushtarët e tij që ishin aty. Hyseni komunikonte me radiomarrëse, ndërsa unë mbaja lidhje me grupin që tërhiqej nga Lubizhda në drejtim tonin.

Isha afër Hysenit derisa po bëheshim gati të gjuanim. Hapi zjarrin së bashku me Flurim Morinën dhe më tha:
“Faik, mos mu largo.”

Si me shaka i thashë:
“Pse, a ka mbetur plumbi vetëm për mua?”

Ishim të dy pas një lisi të madh. Në ndërkohë shihnim rreth 25 automjete që na rrethonin. Për një moment na thanë të mos sulmonim, sepse grupi ynë ishte brenda dhe po tërhiqte ushtarët drejt nesh.

Aty u ndamë në dy grupe: unë me 5 të tjerë, ndërsa Hyseni me 9 u ngjitën më lart dhe takuan grupin që po vinte. Ajo natë kishte shumë gjuajtje, sepse serbët gjuanin nga të gjitha anët. Kishte rreth 200–300 forca serbe. Serbët rrallë ndërhynin natën si atëherë.

Gjatë daljes nga rrethimi, Hyseni me shokë u gjendën rreth 10 metra afër një grupi ushtarësh serbë dhe filluan gjuajtjet mes tyre. Nga vendi ku isha unë shiheshin flakët e automatikëve. Në atë rast Hyseni u plagos lehtë në duar, por për fat e shpëtoi automatiku që ishte dëmtuar nga plumbat.

Edhe në këtë rast ushtarët e Hysenit u përgjigjën me breshëri plumbash dhe lanë disa ushtarë serbë të vrarë.

Pas kësaj, në mëngjes u takuam me Hysenin dhe shokët e tjerë. Kishim kaluar një natë të tmerrshme dimri. Kishim hyrë deri në fyt në ujë. Temperatura ishte rreth –18 gradë dhe ishim ngrirë me gjithë rrobat.

Pas shumë ngjarjeve, kur kalonim nëpër Retie ndaleshim pak, sepse edhe djemtë tanë ishin aty me Hysenin.

2 mars 1999 u dha urdhri nga ZOP që kjo njësi të kalonte në anën e Vrrinit, pikërisht në Jeshkovë. Ne, si njësi e logjistikës, u urdhëruam t’i përcillnim deri në Jeshkovë nga Retia e Ultë (Kolibara).

Atë natë kishim angazhuar rreth 20 djem të Landovicës, të vendosur nga Landovica – Serbica – Pirana. Ne shkuam rreth orës 20:00, por duhej të niseshim në 21:00.

Hymë brenda dhe pamë Komandant Drinin dhe Bashën që po u mbanin fjalim dhe moral këtyre djemve – djemtë më elitarë që kishte Brigada 125.

Plani ishte që pas tyre të bashkoheshin 300–400 ushtarë të tjerë, pasi të arrinin ata atje, gjë që më pas nuk ndodhi.

Ndër ata që e njihte mirë terrenin ku duhej të shkonin ishte pikërisht Hysen Rexhepi, i cili kishte qenë më parë në Jeshkovë.

Nga sa e vëreja atë natë, Hyseni rrinte i heshtur.

Gjatë rrugës ishte edhe biseda jonë e fundit. Më tha:
“Faik, shyqyr që shumica nuk e dinë ku po shkojmë. Më dhimbsen shumë këta djem. Kam një parandjenjë që nuk do të na bashkohen aq shumë sa po thonë – 300 apo 400.”

Pastaj shtoi:
“Por, pa marrë parasysh, ne do të qëndrojmë dhe do të luftojmë. Për këtë jam kthyer nga gurbeti.”

U përpoqa ta qetësoj, por ai më tha pak i nervozuar:
“Faik, nuk e kam për vete, por për këta djem që i kam me vete. Nuk e dinë çfarë terreni është Jeshkova.”

Ne i përcollëm dhe u përshëndetëm me të dhe me gjithë ata djem.

Pas 2–3 ditësh, forcat serbe kuptuan se një njësi me rreth 40 ushtarë të UÇK-së ishte vendosur në Jeshkovë. Sipas monitoruesve të OSCE-së, ndërkohë që informata kishim dërguar edhe te komanda e ZO Pashtrikut se situata nuk ishte si ishte parashikuar.

11 mars, Jeshkova sulmohet me mbi 2000 forca serbe, me shumë tanke dhe armë të rënda, kundër rreth 60–70 ushtarëve tanë.

Hysen Rexhepi, sipas ushtarëve që kanë mbijetuar, u kishte dhënë një plan duke i ndarë në grupe nga 5 ushtarë, me qëllim që të paktën dikush të mbijetonte nga ai rrethim.

Edhe pse ranë shumë ushtarë tanë, ata që shpëtuan ishte meritë e Hysen Rexhepit, komandantit të tyre, i cili vendosi të flijohej në atë betejë të fundit.

Ai nuk e ndali luftën me minahedhësin e tij deri në rënien e tij sublime, së bashku me ushtarët e tij që ranë në këtë betejë të pabarabartë me forcat paramilitare serbe:

Tahir Gashi
Hamit Thaçi
Hajdar Shala (Iliri)
Bashkim Suka
Feriz Susuri
Imredin Qengaj
Alajdin Xhazairi
Skënder Latifi
Besnik Kastrati

dhe disa të tjerë ende të zhdukur.

Për Hysen Rexhepin ka shumë për t’u thënë e për t’u shkruar. Kjo është vetëm një pjesë e kujtimeve të mia për të. Ia vlen që të gjithë ata që e kanë njohur Hysenin, por edhe dëshmorët e tjerë, të tregojnë dhe të shkruajnë të vërtetën për ata që lanë Perëndimin dhe zgjodhën flijimin.

Për kë?
Për gjithë popullin tonë, që kurrë nuk do ta kishte këtë liri që e kemi sot pa gjakun e Hysenit dhe shokëve të tij.

Lavdi dhe respekt gjithmonë! 🙏🇦🇱

Kontrolloni gjithashtu

Babi, një vit pa Ty, një jetë me mall dhe frymëzim

BABI- Kaluan 366 ditë të mbushura me mungesën tënde të thellë, me mallin që nuk …