14 dhjetori 1998, ishte njëra ndër ditët më të rënda të luftës sonë për liri. Ne, si njësi e Logjistikës në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm, që ishim në Landovicë, ishim bërë gati që ta pritnim këtë grup që vinte nga Shqipëria. Ishim në kontakt të përhershëm me “Plakun” Xheladin Gashin sa herë që hynin grupe të ushtarëve për në Kosovë nëpërmes Pashtrikut nëpër Has.
Edhe me këtë datë, 13/14 dhjetor, në mesnatë ishim afruar afër fshatit Lubizhdë, pikërisht në fshatin Dedaj. Lamë kamionët 4/5 dhe 15 djem që bënin pjesë në njësitin tonë. Unë së bashku me Osmanin (K. Quni), Selim Morinën dhe Eshim Gashin i afrohemi Lubizhdës në këmbë dhe mundohemi të vrojtonim terrenin. Në momentin që mbërrinin në Lubizhdë do afroheshim sikur herëve tjera, por për një çast pas orës 02 pas mesnate kanë filluar rafalët dhe gjuajtjet mbi Lubizhdë, gjë që edhe mund të vëreheshin nga ku ishim ne.
Në atë moment është ndezur edhe alarmi i karaullës që e kishin serbët mbi Kushninë. Në radio-lidhje na informojnë që nga drejtimi i Prizrenit vinin forcat serbe dhe ne duheshim t’i largonim kamionët nga ku i kishim lënë. Tërhiqemi deri në Rogovë të Hasit dhe nga aty, me telefon satelitor që kishim, kontaktojmë Plakun andej kufirit, por edhe ShP-në.
Grupi i parë që kishte qenë, që bie në pritë, ishin udhëheqësit e Brigadës 126: Nexhmedin Berisha, Qenë Qenaj, Bislim Muqaj, pastaj Mahir Hasani, Komandant Drini, Selim Krasniqi, Hysen Rexhepi dhe rreth 20 të tjerë. Këtu bie apo u vra Qenë Qenaj, plagoset Nexha, Bislimi dhe Mahiri. Këta, sipas tyre, këtë pritë e kanë eliminuar duke i lënë të vrarë serbët dhe hynë për në Kosovë.
Më pastaj kanë filluar luftimet pa ndërprerë deri në pasditen e 14 dhjetorit. Ishte shumë e rëndë për ne, se shumicën nga këta i njihnim apo i kishim përcjellë disa herë, duke përfshirë Mujë Krasniqin, Beqën e shumë të tjerë, të cilët i kishim përcjellë për herë të fundit diku më 22 tetor 1998.
Na u dha detyrë që të rrinim në kontakt pa ndërprerë me Plakun dhe t’i merrnim emrat se kush kishte mundur me kaluar këtej dhe nga ana tjetër që ta dinim kush ishte vrarë. Ishte një situatë shumë, shumë e rëndë. Plaku Xheladin Gashi na dha numrin e një telefoni satelitor që e kishte me vete Mensur Zyberaj (500-shi). Disa herë provonim ta merrnim dhe për një moment (kah mesdita) na përgjigjet që kishin hyrë nën një shkëmb dhe ishte me Ilir Popajn dhe disa ushtarë të tjerë, të cilët i kanë shpëtuar kësaj.
Gjatë gjithë kësaj kuptuam që kishte mbetur Mujë Krasniqi, Komandant Kapuqi dhe mbi 40 ushtarë të UÇK-së. Pasi nxorëm emrat, duhej që tërheqjen e secilit ushtar ta bënte familja (ishin në morgun e Prizrenit), gjë që ka qenë shumë e vështirë që t’ia gjenim secilit familjen.
Një ndihmesë rreth tërheqjes nga morgu, duke u paraqitur si familjarë, por edhe të bartjes së ushtarëve, padyshim e ka dhënë fshati Krushë e Madhe, i cili ishte pothuajse i tëri i mobilizuar rreth kësaj. Në Këshillin e varrimit apo tërheqjes dhe përcjelljes ishin: Sokol Bashota nga ShP, Ekrem Rexha (Komandant Drini), Z.O.P. Sabahajdin Cena, Mensur Zyberaj (500-shi), Skënder Hoxha (Brigafa 124), Komandant Nehat Basha (Brigada 125), nga P.U.: Skënder Rexhepi, Xhavit Elshani, Bekim Gashi, etj.
Nga njësiti ynë kanë qenë unë, Faik Berisha, dhe Selim Morina. Nga Krusha: Kadri Dellova dhe disa të tjerë. Deri me datën 20 dhjetor i kishim tërhequr të gjithë, përveç 2 ushtarëve (gjithsej 36) që kishin mbetur ende në morgun e Prizrenit, gjë që duhej më 21 t’i dërgonim për në Polac.
Gjatë rrugës, në konvoj ishin edhe vëzhguesit ndërkombëtarë që kishin ndërmjetësuar për dërgimin deri në Polac të ushtarëve të rënë. Gjatë rrugës në Pagarush na bëjnë me dije (ndërkombëtarët) që të nesërmen në mëngjes mundeni t’i merrni edhe ata të dy që kishin mbetur. Ndalëm atë natë aty së bashku me Selimin në spitalin në Pagarush, ku ishin edhe të plagosurit Bislimi, Nexha, Mahiri, por edhe shumë të tjerë. Aty flemë me ta dhe në mëngjes herët, së bashku me Selimin, kthehemi në Krushë të Madhe.
Kadri Dellova me disa shkojnë i marrin dhe nga aty i marr unë, që e vozitja kamionin (508). I vendosim dy arkivolet dhe së bashku me ne vjen Sabahajdin Cena, Kadri Dellova dhe Selimi. Unë mundohem që të shkojmë sa më shpejt që mos po mundeshim me e nxënë varrimin në Polac, ngase na kishin thënë që varrimi do bëhej në orën 15:00.
Kur mbërrijmë në Dragobil, gjithmonë rrugëve që të mos atakonim serbët, takojmë vëzhguesit ndërkombëtarë. I lusim që të na sigurojnë rrugën që vetëm të kalojmë deri nga ana tjetër, por na thanë që vetëm ditën e kaluar janë marrë vesh me serbët. I pyesim disa aty a ka ndonjë rrugë dhe hymë rrugës mes Dragobilit dhe Vermicës për me dalë në Llazicë, ashtu na thanë mund të dilni.
Por para nesh kalojnë disa makina që ishin familjarë të Mevlan Hoxhës, të cilët shkonin për ta varrosur. Në atë moment serbët gjuajnë në drejtim të tyre dhe tonin (plagoset rëndë Urim Hoxha) dhe disa makinave që ishin pas tyre. U desh të ndaleshim. Në këtë pritë apo gjuajtje ndaj tyre ishin edhe disa makina nga Landovica që ishin: Eshim Gashi, Kujtim Morina, Enver G., Ali Thaçi, Rifat Kalimashi, Nagipi, Xhela, etj.
Jemi ndalur për një kohë me këta dhe sërish jemi kthyer për Dragobil. Kemi tentuar që t’i dërgojmë në Polac, po ishte e pamundur. Dikur nga ora 12 e mesnatës i kemi dërguar deri në Novosellë mbi Terpez në një shkollë (nëse s’gaboj) dhe tek në ora 05 e mëngjesit jemi kthyer përsëri.
Kjo përmbledhje, sado pak, është me pika të shkurtra, ngase ka shumë për të shtuar për ata që ishin pjesë e kësaj ngjarjeje.
Lavdi Mujë Krasniqit dhe gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
