leoni

Faruk Tasholli: Fati fatkeq i autorit, Arben Sylë Kadriu, dhe vargu i tij poetik

Faruk Tasholli: Fati fatkeq i autorit, Arben Sylë Kadriu, dhe vargu i tij poetik

(Arben Sylë Kadriu, Hije Kalorësi, Përgatitja për shtyp: Prof. Dr. Alban Ymer Neziri; Përkujdesja: Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri; Botuesi: Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë 2000)

Është paksa vështirë kur në dorë ke shkrime të një autori, të talentuar dhe insistues për të hyrë në magjinë e shkrimit gjithsesi, por që mbetesh në hapin nistor të kërkimeve të tij, pa paragjykuar sesa do të zhvillohej talenti i tij dhe mjeshtëria e shkrimit. Fati fatkeq i autorit Arben Sylë Kadriu, i cili fare i ri tragjikisht ndahet nga jeta, ndërsa në dorëshkrim lë një tufë poezish dhe skicash  eseistike-publicistike, lë për të kujtuar se e ardhmja e tij në botën e shkrimit do të ishte e ndritur, kudo që ai do ta sprovonte penën e vet.  Shkrimet e mbetura të Arben Sylë Kadriut, në një moshë fare të re, dëshmojnë insistimin që ndjenjat të ngrihen në rang arti, nëpërmjet vargut poetik, ndërsa mendimet për ngjarjet dhe proceset shoqërore në një kohë të caktuar, të përkufizohen në skica eseistike, si reagim ndaj ngjarjeve të bujshme dhe me fatalitet për kombin, si ishte fundi i viteve tetëdhjetë dhe fillimi i viteve nëntëdhjetë në Kosovë, kur makineria ushtarake-policore serbe ishte në ofensivë për ta zhbërë një entitet të tërë, si ishin shqiptarët jashtë Shqipërisë shtetërore.

Drama kombëtare, në dramën e përgjithshme kur po rrënohej një sistem totalitar ju­go­sllav dhe ripushtues i viseve shqiptare, si ishte komunizmi e që më së shumti i goditi shqi­p­ta­rët si sistem dhe, si rend në një pjesë të botës, duke dominuar popujt sllavë, nuk ka si të mos jetë shqetësim i një të riu, që kërkon identitetin e tij dhe njëkohësisht kërkon edhe rrugët e formimit të tij. Si shihet nga shkrimet e Arben Sylë Kadriut, ajo dramë e pë­rgji­thshme, shndërrohet në dramaticitetin shpirtëror të individit, ku shpërthen përmes vargjeve si dëshmi e moshës, por edhe  proteston me skicat e tij eseistike-publicistike. Dashuria si ndjenjë sublime e shtyn autorin që ta shqiptojë këtë ndjenjë, ta bëjë të zëshme nëpërmjet vargut poetik, që lë për të kuptuar se prapa këtij vargu qëndron një talent premtues. Jo vetëm kaq. Ai sjell imazhe nga jeta e vendlindjes, nga gjendja sociale dhe pozita shoqërore e njeriut që e rrethon, për ta shndërruar në këngë gjithë atë dashuri, gjithë atë përkushtim për kombin dhe vlerat që i veneron në kohë dhe në hapësirë. Në këtë kontekst, ai është si një kalorës në jetë e në këngë dhe pas lë hijen e vet, si do të shprehet në njërin nga vargjet e tij.

Botimi i shkrimeve të tij në një libër, sa është një fakt historik-letrar, është edhe një album kujtimi, qoftë për mesin familjar, shoqëror,qoftë të atij brezi njerëzish që e njohën Arben Sylë Kadriun. Ky libër do të mbetet pjesë e kujtimeve për një njeri, por edhe për një autor premtues, që sigurisht tash, do të shënonte vlera në zejen e shkrimit. Vlerat e këtij autori, që i sjellin në dritë miqtë e tij po ashtu me vlera në fusha të ndryshme të dijes e të punës, janë dëshmi e një përkushtimi për ta transmetuar shkrimin si testament të autorit në një kohë kur ai nuk jeton më, por që kujtimi për të mbetet i freskët.

Arben Sylë Kadriu, 22.2.1973 – 18.8.1991

(Prof. Dr. Alban Ymer Neziri, Nesrete Haxhijaj dhe Adem Loshi)

 

Biografi e shkurtër

Autor i poezive dhe i copëzave të eseve të këtij vëllimi,  Arben Sylë Kadriu, lindi në 22.2.1973 në fshatin Nakull, Pejë, në një familje rugovase e ardhur nga lagjja Nilaj e Shtupeqit të Vogël. Mësimet e para i mori në shkollën fillore “Haxhi Zeka” në Siparant (Zahaq), ndërsa ato të mesme në gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë.  Regjistroi studimet  në Fakultetin Ekonomik të Universitetit te Prishtinës, U shua aksidentalisht më 18. 8.1991, në shtëpinë e tij, në Nakull. Arjeta dhe Asdreni u rritën me idealet e vëllait të tyre, ndërsa babai i Arbenit, Syla, mësues dhe nëna Gjykë, mësuese, ishin ndër përkrahësit kryesorë të udhëheqësve të UÇKsë në rrethin e Pejës dhe shtëpia e tyre ishte ndër bazat më të sigurta të ushtrisë sonë.

Arbeni pati një jetë të shkurtër, por mjaft të pasur e dinamike për 18 vjetët e  tij,  në disa rrafshe, duke përfshirë aktivitete të ndryshme atdhetare, tipike të fundit të viteve të ‘80 dhe në fillim të viteve të 90 – ta të shekullit që lamë pas.

Ai jetoi në kohën kur Kosova po hynte në periudhën e rëndë e të errët pas Demonstratave të vitit ‘81,  ku në horizont terrori po merrte formë e përmasa të atilla  që  të qenët shqiptar po e bënte gjithnjë e më të rëndë. Mbase koha ishte e tillë që fëmijët të rriteshin shpejt, e të rinjtë të burrëroheshin para kohe.

Në këto rrethana po brumosej edhe Arbeni. Edukimi familjar, leximi i literaturës historike e kombëtare – e ndaluar në atë  kohë,  kontaktet me njerëz të dëshmuar në mbro­jtje të  qenies kombëtare, rezultuan që, qysh si gjimnazist, të fillojë të mendojë që “Dy duar ja­në për një kokë e koka për atdheun”.

Në mesin e shokëve ai shquhej për mendime të pjekura dhe të qarta, që koha më vonë do t’i  dëshmojë se ishin të drejta, një djalë energjik, i pasionuar për jetën, të bukurën e artin, shkrimin e letërsinë, fjalëpakë, por kur fliste i peshonte fjala. I vetëdijshëm se të qenët të lirë kërkon mund e sakrificë, por jo nënshtrim, si dhe në kërkim të gjetjes së rrugës që të japë kontributin e tij në këto kohë të turbullta, ai filloi bashkëpunimin me Adrian Krasniqin, tashmë Hero i Kosovës, dhe më 1987 krijuan grupin “Besa”, së bashku me Nesrete Haxhijajn (vetrane luftëtare e UÇKsë), Begije Muriqin dhe Fahrije Shalën, me qëllim të grumbullimit të të hollave,  armatimit dhe fillimit të përgatitjeve për veprime aktive, shumë të vetëdijshëm që rruga e lirisë nuk do të fitohej pa luftë.

Kështu, ata u morën me organizimin e demonstratave në Gjimnaz, që t’u ba­sh­ko­heshin demonstratave gjithëpopullore të  organizuara asokohe në Pejë, me rastin e pe­zu­llimit të autonomisë së Kosovës nga regjimi i Beogradit, në mars të vitit 1989. Vitet e terrorit me rrahje,  burgosje, maltretime, helmime, segregacion në shkolla dhe vrasje vazhduan. Të gjitha për emërues të përbashkët patën dhunën me qëllim të ndërrimit të strukturës etnike të vendit. Rinia po fillonte të strukturohej për një përgatitje më të gjerë duke përfshirë edhe lëvizjen e pajtimit të gjaqeve, të cilës ai iu bashkua me vullnetarët e tjerë, që të japë kontributin e tij.

Prill 1990: Arben Kadriu gjatë varrimit të Nurije Zekës, simbolit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve

I vetëdijshëm se çdo gjë që ngjallte ndjenjën e ngritjes së moralit të nëpërkëmbur të popullit,  do të ishte një gur në fortifikatën e lirisë, ai i ndihmuar nga bashkëmendimtarët e tij organizonin orë të ndryshme letrare, nën kërcënimin e burgosjeve e tytave të automatikëve, përvjetorë rëniesh të heronjve më të rinj të Kosovës, që ishin bërë simbole shpirtërore të rezistencës, tubime të ndryshme kulturore dhe kështu gjithnjë e më tepër rritej rrethi shoqëror, që më vonë, edhe pas tij, do të vazhdonin të sendërtonin rrugën e lirisë. Në këtë rreth, mendimet dhe synimet e tij ishin një model, me gjithë jetëgjatësinë e tij, fatkeqësisht të shkurtër.

Të gjitha këto përsiatje vërehen në shkrimet e tij, që, si të përmbledhura, po shohin dritë në këtë botim, ku me mprehtësinë e fjalës shpreh dhimbjet që po kalonte çdo i ri kosovar. Dashurinë e tij për atdheun e shkriu aty, në varg, në poezinë e tij, duke e gdhendur, si një mjeshtër, me përkushtim dhe dhembje, po njëlloj bukur amanetin, të ardhmen, vajin, këngën…

Arbeni ishte pjesëtar aktiv i ilegales. Humbja e Benit, ishte grusht i rëndë për shokët e tij, dhe për Ilegalen. Shokët e tij, e vazhduan rrugën e idealit, rrugën e lirisë, duke i vënë themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Disa u burgosën, disa ishin luftëtarë, e disa ranë në altarin e lirisë, e ndër ta ishin edhe luftëtarët e lirisë, tashmë heronj, ADRIAN KRASNIQI dhe QERIM KELMENDI. Shokët e Arbenit, vazhduan ta adhuronin dhe nuk e harruan kurrë djaloshin e ri, i cili nuk pati fatin të jetojë e t’i shërbejë më shumë idealit të tij, nuk pati fatin të shohë Ushtrinë e Kosovës, ta shohë lirinë e saj.

Vdekja e Arben S. Kadriut ishte humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij, por edhe  për miqtë  dhe rrethin shoqëror, ishte shuarje e hershme e një ylli në qiellin e ngrysur të Kosovës, pa arritur të shndritë plotësisht, pa arritur ta përmbyllë plotësisht misionin e nisur me aq dashuri e përkushtim.

 

Poezia

BALADA, JO MITE

Këndoja një këngë të kënduar edhe nga gjyshërit e mi,

Orët e liga, jehona e këngës sime i tmerronte.

Sorollateshin ujqit rreth meje dhe ulërinin,

Orët e liga dhe unë fill i vetëm në dyluftim.

Varret e gjyshërve të mi më bëheshin hije kalorësish,

Ah zemra ime, mal u bëre, nuk mbeta vetëm.

Rashë përmbys mbi varret dhe u betova:

Edhe unë do të bëhem hije kalorësi,

me emër në një dru pishe mbi kokë,

Pas do të lë shkëndija, që cicërimat e zogjve,

e furtunat e këtyre maleve do t’i rrisin,

Ulërimat që t’i marrin si ulërima ,

e këngët tona gjithmonë të këndohen!

Baladat tona që udhëtari i panjohur do t’i merrte për mite,

Lindën me dhëmbët tonë qumështorë,

akorduam me zërin e dhembjes nga gjoksi i të paepurit.

Këndohen dhe do të këndohen përgjithmonë,

Ëndrra jonë derisa të sendërtohet!

5.7.1989

Kontrolloni gjithashtu

Adil Fetahu: Tri libra e fundit të profesor, Ahmet Qeriqit, që u botuan në tri vitet e fundit trajtojnë tri tema të ndryshme

Libri i parë- GURI I BETIMIT, është roman, është një kronikë historike-letrare për Luftën e …