leoni

Fatime Dobroshi: Pjesë nga ditari im

Ndonjëherë pyes veten se si ia dola. Jam një veterane lufte – dhe megjithatë shpesh ndihem sikur kjo fjalë nuk më përket mua.
Atëherë, në luftë, nuk isha thjesht një ushtare. Isha gruaja mes gjithë burrave. Çdo hap, çdo veprim matej dyfish. Nuk mund të lejoja të dukesha e dobët. As për një çast. Ata prisnin forcë nga unë – dhe unë detyrohesha ta tregoja, edhe kur brenda vetes dridhesha.
Marshimet ishin të pafundme. Pesha e paisjeve digjej mbi shpatullat e mia, sikur të më shtypte tërë ekzistencën. Pluhur në fytyrë, fyt i thatë, këmbë që dhembnin – por unë i thosha vetes: Nuk mund të dorëzohesh. Jo tani. Jo këtu.
Natën, kur errësira rëndonte mbi ne, frika bëhej më e fortë. Futej brenda meje, bënte frymëmarrjen e rëndë, më mbante zgjuar. Por as këtë frikë nuk duhej ta shihte njeri. Prandaj vendosja maskën – maskën e pandryshueshmes. Vetëm unë e dija se sa e brishtë ishte ndonjëherë.
Kam humbur shokë. Njerëz që u bënë më shumë se miq. Zërat e tyre më mungojnë edhe sot. Fytyrat e tyre shfaqen në ëndrrat e mia. Këto imazhe nuk do të largohen kurrë.
Safeti, Arbeni, Astriti, Kingji, Xhelali, Zenullahi, Ylli, Mehmeti dhe Agroni, baci Mustafa , Ejupi, Gania, Selveri, Sali, Baftia e shumë e shumë tjerë…..
Megjithatë… unë qëndrova. Jo sepse isha më e fortë se të tjerët, por sepse duhej. Sepse guximi nuk do të thotë të jesh pa frikë, por të vazhdosh përpara edhe me frikë.
Sot, kur shikoj pas, e di: kam fituar vendin tim. Nuk isha “vetëm” gruaja mes burrave. Isha ushtare. Isha luftëtare. Dhe kam mbijetuar.
LIRIA KA EMËR – UÇK

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

Sekretariati për Kulturë – BDI: Reagimi i Jehona Ajdinit i konfirmon dyshimet, Prokuroria duhet të hapë hetim për ndikimin e Izet Mexhitit mbi Agjencinë e Filmit

Bashkimi Demokratik për Integrim rikujton se dje alarmuam për një skandal të paparë – një …