Historiani dhe analisti politik Fatmir Arifi ka ofruar një analizë të thelluar mbi evolucionin kompleks të marrëdhënieve Izrael–Iran, duke u ndalur si në retrospektivën historike ashtu edhe në kontekstin aktual gjeopolitik dhe ushtarak. Sipas Arifit, ndërhyrja e fundit izraelite në disa baza të dyshuara bërthamore në Iran, e justifikuar nga Tel Avivi si pjesë e një “doktrine parandaluese”, nuk mund të trajtohet jashtë kornizës së marrëdhënieve historike ndërmjet dy vendeve. Ai kujton se gjatë periudhës së Shahut të Iranit, Teherani dhe Tel Avivi kishin një bashkëpunim të ngushtë strategjik, të ndërtuar mbi interesa të përbashkëta përballë një bote arabe armiqësore. Çështja më kritike sipas Arifit mbetet programi bërthamor i Iranit dhe perceptimi ekzistencial i Izraelit ndaj tij. Diplomati Mark Fitzpatrick argumenton se për Tel Avivin, kërcënimi bërthamor iranian përbën një rrezik direkt ndaj ekzistencës së shtetit hebre – dhe është kjo logjikë mbijetese që justifikon qasjen ushtarake të Izraelit. Përfundimisht, Arifi vëren se kërcënimi iranian ka kontribuar në afrim strategjik mes Izraelit dhe disa shteteve arabe, siç dëshmohet nga marrëveshja e Abrahamit duke sjellë një konvergjencë të re interesash në rajon.
