Një ndër filozofët më të mëdhenj, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, është edhe filozofi gjerman Immanuel Kant. Ai ka lënë shkrime të jashtëzakonshëm në fusha të shumta, por më mahnitëset janë ato në fushën e etikës, ku flet për imperativin kategorik dhe dashurinë e pakushtëzuar që buron prej tij. Kanti na mëson se kjo është dashuria më e lartë dhe, si e tillë, meriton respektin absolut. Duke lexuar Kantin, lexuesi i vëmendshëm do të mahnitet nga dëlirësia e kësaj dashurie, për të cilën ai ka shkruar dhe ka ftuar që të kemi vlerësim maksimal. Dhe po, kushdo që e kupton mirë e mirë konceptin e Kantit për dashurinë e pakushtëzuar, do të ndjejë me tërë qenien respekt, vlerësim dhe dashni maksimale për këtë dashuri, të cilën, në botën e sunduar nga interesa të ndryshme, e hasmi gjithnjë e më rrallë. Por pavarësisht kësaj, edhe në ato pak raste kur shfaqet, ajo në vend se të vlerësohet, përbuzet; në vend se të lartësohet, poshtërohet; në vend se të admirohet, margjinalizohet e injorohet – sikur të ishte paqavër e jo një nga vlerat më të larta njerëzore!
Po si e përkufizonte filozofi mendjendritur Immanuel Kant këtë dashuri? Ai na mëson se nëse bëjmë diçka dhe më pas presim kompensim për këtë veprim, atëherë ky veprim nuk buron nga dashuria e pakushtëzuar dhe nuk është i motivuar nga imperativi kategorik. Pse? Sepse ne, përpara se të veprojmë, kemi bërë disa kalkulime se çfarë do të përfitojmë më pas nga ky veprim. Nga shkrimet e Kantit mbi etikën, ku përfshihet edhe imperativi kategorik, mësojmë se nëse, para se të kujdesemi për dikë, llogarisim së pari pasojat pozitive për veten dhe pastaj veprojmë, atëherë veprimi ynë nuk është i udhëhequr nga dashuria e pakushtëzuar, por nga ajo e kushtëzuar. Kanti nuk sheh të keqe në këtë motiv, por thekson se veprimet që udhëhiqen nga imperativi hipotetik (“nëse… atëherë…”) nuk janë të barazvlefshme me veprimet që vijnë nga imperativi kategorik, që buron nga një “duhet” që është thirrje nga thellësia e mendjes dhe zemrës sonë!
Për ta thjeshtuar më shumë, që të jetë më i kuptueshëm botëkuptimi i Kantit për imperativin hipotetik dhe kategorik, po marrim disa shembuj nga moralizimet tona të përditshme, që në shikim të parë duken thuajse të njëjta, por nëse i analizojmë mirë e mirë dhe i vlerësojmë me kriteret e Kantit për moralin, e shohim që dallimi është tejet i madh dhe, për pasojë, edhe vlerësimi duhet të jetë i tillë!
Në jetën e përditshme, neve na këshillojnë që: “Nëse do ta fitosh parajsën, atëherë duhet të kujdesesh për prindërit.” Kanti do të thoshte se nuk ka asgjë të keqe në këtë moralizim, sepse – fundja – prindërit do të kenë mirëqenie nga kjo mënyrë edukimi, pasi rruga për në parajsë trasohet nëpërmjet kujdesit tonë për ta. Pra, prindërit janë përfitues nga kjo mënyrë edukimi të gjeneratave të reja. Mirë shumë. Por nëse parashtrojmë pyetjen tjetër: A janë prindërit apo fëmijët ata që kanë pritje më të mëdha nga ky edukim? Logjika e thellë na tregon se janë fëmijët – ose gjeneratat e reja!
Pse?
Sepse, ndërsa prindërit përfitojnë kujdes për disa muaj apo disa vite të fundit të jetës së tyre, fëmijët kanë pritje për përfitim shumë më të madh: sepse kujdesi i tyre për prindërit do t’u kompensohet me shpërblime të pafundme në jetën e përtejme – në parajsën e amshuar ku përfitimet nuk kanë fund! Kjo do të thotë që nuk po bëjmë mirësi të dëlirë, pa interes, por po bëjmë tregti me mirësinë: “Unë bëj diçka të mirë sot, që nesër të fitoj shumëfish më tepër.” Madje – shumë më tepër se çfarë të ofrojnë bankat, të cilat, edhe pse japin kredi me interes, nuk presin nga ne shpërblime të përjetshme, siç presin të fitojnë në amshim këta që kujdesen për prindërit vetëm për të fituar parajsën. Kanti nuk kritikon, as fshikullon këtë moral, por na thërret të ndjekim një moral tjetër – imperativin kategorik! Dhe çfarë është ky imperativ? Në rastin e prindërve, ai do të dukej kështu: Ne nuk duhet të kujdesemi për ta për të fituar parajsën, por sepse DUHET të kujdesemi. Kjo “DUHET” është një thirrje që vjen nga thellësia e zemrës dhe mendjes sonë. Është një thirrje që na fton të veprojmë, të duam, të dashurojmë pa pritur asnjë shpërblim për veprimet tona! Lexuesi i vëmendshëm i filozofisë së Kantit do të kuptojë se veprat e tilla – që burojnë nga imperativi kategorik – duhet të zënë vend në majën e piramidës së sistemit vleror, e jo anasjelltas!
Por a është kjo e mjaftueshme që veprat që burojnë nga imperativi kategorik t’i vendosim në majën e sistemit vleror?
Normalisht që jo!
Njeriu duhet të bëjë edhe një hap më tutje. Të mos mjaftohet vetëm me vlerësimin maksimal të veprave që burojnë nga imperativi kategorik, por të angazhohet me tërë qenien për të vepruar sipas këtij lajtmotivi, sepse vetëm atëherë dëshmojmë që e duam vërtet këtë moral – të bësh diçka pa pritur kompensim. Po a kemi sot njerëz me këtë lloj morali? Njerëz që bëjnë vepra pa pritur kompensim apo shpërblim të shumëfishtë më vonë? Ka, por fatkeqësisht shumë pak. Dhe kjo që ka pak, nuk dhemb më së shumti. Më së shumti dhemb kur mëson se edhe ato pak raste të rralla që shfaqen… në vend se të vlerësohen e të çmohen, përbuzën, nënçmohen e poshtërohen!!!