Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Pse kaq shumë reagime, kundër reagime e shkrime për shaminë dhe asnjë për trashëgiminë!?

   Ka kohë që opinioni në Kosovë është duke u ballafaquar me shkrime e reagime të shumta për çështjen e shamisë, pro dhe kundër përdorimit të saj nëpër institucione publike por çuditërisht, jo edhe për të drejtën e femrës në trashëgimi!

Kur vë re këtë, nuk ka se si të mos vije në mendje pyetja përse ndodhë kjo!? Nëse njerëzit e rëndomtë nuk kanë njohuri bazike për Kur’an dhe kapitujt e tij ( Suretu El Bekare, Suretu En Nisaë,..) ku flitet në për të drejtën e vajzës në trashëgimi, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës normalisht që e di këtë shumë mirë por as edhe njëherë nuk e ka ngritur zërin sikur duhet për këtë çështje! Dhe në shoqërinë që po jetojmë, dihet se sa ndikohet pozita e vajzës/gruas nga fakti se ka apo nuk ka pronë të veten. Nuk duhet shumë logjikë apo njohuri për të ditur se sa ndikon pasuria në pozitën e gruas dhe trajtimin e saj në shoqëri kapitaliste. Por ja që Bashkësia Islame ka heshtur për këtë çështje! Përse!? Sepse mandej burrat, do të duhej të heqin dorë nga një pjesë e pasurisë së tyre dhe ta ndanin me gratë, apo motrat e tyre dhe kjo do ta t’kurrte pushtetin e tyre. E këtë duket se nuk e tolerojnë dot! Ja çfarë morali kemi në shoqëri!? Moral hipokrit, neveritës.

   Ne bëjmë moralistin kur përfitojmë nga ai por harrojmë dhe lëmë anash atë, kur nuk kemi përfitim nga ai!? Sot disa angazhohen për shami sepse besojnë se kjo do të ju përkthehet në vota, disa duke u përpjekur ta bëjnë myslimanin e mirë, të devotshëm, disa për t’ia hedhur Zotit (!) se po angazhohen që vajza të vishet sipas udhëzimeve të tij. Por posa kujton këtë të fundit, nuk ka se si të mos vije në mendje, se a e kanë ngritur zërin ndonjëherë të tillët kundër veshjes skandaloze të një pjese të konsiderueshme të vajzave, me pantallona të shqyer me dashje në pjesën e kofshëve, me barkun të pambuluar me asnjë rrobë, dhe me ekspozim të theksuar të kraharorit, kështu sikur po e ngritin për shami!? Edhe këto vajza me këtë modë të veshjes janë nën 16 vjeç por asnjë nuk e ka ngritur zërin kundër kësaj mode që e hasim edhe nëpër institucione publike!!! Por ja që ne kemi heshtur, sepse në vend të moralistit dhe qortuesit, kemi zgjedhur ta bëjmë tolerantin, liberalin, se njeriu ka të drejt në lirinë e veshjes së tij!? Por pasi njeriu paska të drejt në lirinë e veshjes së tij, atëherë pse shamia duhet të jetë përjashtim!?

   Është interesant edhe një fakt tjetër. Ndonëse me raste, i kam dëgjuar ta etiketojnë Kanunin e Lekë Dukagjinit si produkt të mesjetës, si diçka primitiv e pa asnjë vlerë, gjë që unë nuk pajtohem, as edhe njëherë nuk e kanë ngritur zërin kundër tij në pjesën ku flitet për trashëgimin e vajzës – gruas!? Nëse vërtetë besojnë se Kanuni është produkt i mesjetës, atëherë përse vajza/gruaja trajtohet si në mesjetë!? Kush ua ka ndaluar që të angazhohen që vajza të ketë hise në trashëgimi!? Por këtu kemi heshtur sepse botës mashkullore i pëlqen që kjo çështje të vazhdoj të zgjidhet sipas Kanunit, e jo sipas Kur’anit e as ligjeve pozitive, pra në mënyrë mesjetare sepse duke e zgjidhë me Kanun, pasuria e tyre nuk cenohet, nuk ndahet, nuk zvogëlohet. Po edhe sikur të zvogëlohej, ku do të shkonte ajo pjesë!? Te motra, për të cilën me ëndje themi se “ vëllai për motrën shkatërron botën” por ja që nuk është i gatshëm të bëj as hapin më të vogël për të drejtën e motrës në trashëgimi nëse nga ai hap, motra do të kishte të drejt në trashëgimi. E kur kujton tërë këto, nuk ka se si të mos vije në mendje heshtja e Bashkësisë Islame!!! Përse nuk angazhohet kjo Bashkësi që ligjet e Zotit të dëftuara nëpërmjet Kur’anit të zbatohen edhe në trashëgimi!? Apo ne duhet të angazhohemi me mish e shpirt, me zjarr e pasion për një çështje e cila nuk ka kosto për ne por përkundrazi, na sjell përfitime por nëse zbatimi i një kërkese të Zotit ndikon në pasurinë tonë, atëherë ne heshtim!!! Çfarë morali është ky!? A kanë të drejt të tillët të moralizojnë!?

Por jo vetëm kaq. Janë të shumtë që në njërën anë flasin me zjarr e shkruajnë me pasion për të drejtat e vajzës/gruas ndërsa në anën tjetër shfaqin neveri për Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe primitivizmin e tij. Por janë të tillët që me vepra e kanë trajtuar vajzën/gruan në atë mënyrë që Kanuni i Lekë Dukagjinit e ndalon rreptësishtë! Ky Kanun na mëson se në rast se vrasësi (dorasi) është me grua, ndaj tij nuk duhet asesi të hakmerret ( të qëllohet me pushkë apo hakmarrje tjetër) nga askush i familjes së të vrarit ( viktimës ). E në shoqërinë tonë, ka pasur raste që burri është sulmuar edhe në prani të gruas së tij (! ) gjë që Kanuni, e ndalon rreptësishtë. Tash kush po na del që ka më shumë respekt për gruan, në rrethana të caktuara!?, Kanuni mesjetar apo disa burra bashkëkohor, të shekullit të 21, në ju thënçin të tillëve burra!? Dhe kur të tillët shkruajnë e flasin për të drejtat e vajzave, grave, e bëjnë vetëm formalisht, asgjë më shumë.

Thjesht, moral hipokrit.

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: Fitorja më e madhe në histori na pret më 24 prill

Sot në Tetovë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti bashkë me kryetarin e PDSH Menduh Thaçi, …