Titulli mund të duket i ekzagjeruar apo për efekt bombastik por është plotësisht i vërtetë! Mbase nëse i përllogarisim mirë e mirë vitet e të gjithë fëmijëve, rezulton që kjo nënë e jashtëzakonshme ka më shumë se dy shekuj që kujdeset për ta, apo sikur i quan ajo, për engjëjt e saj.
Remziu, 67 vjec, i qëndron afër, në të djathtë, Ajshja, 55 vjecare, qëndron shtrirë, ngjitur në anën e majtë ndërsa Milaimi 59 vjecar, përpara. Teksa shohë këta, pyes veten, athua ku ka qëndruar Hakiu, tashmë i ndjerë, në të gjallë të tij ( 1959 – 2002)?
Që të katërtit me nevoja të shumta dhe që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm, thuaja 24 orë, shtatë ditë në javë. Mes tyre qëndron nëna, Hyra Sahiti, 89 vjecare, ( 1937 – … ).
Ndryshe nga herat e tjera që na priste shend e verë te dyert e oborrit, kësaj radhe na priti brenda shtëpisë. Barra tejet e rënd mbi supe, e kishte bërë të veten. Ia kishte bërë të pamundur të ecte lirshëm por të mbahej për ndonjë gjësend. Nuk mund të lëvizte më si ngahera, si flutur, ani pse i kishte afër 70 vite, kur e kisha takuar për herë të parë, në fshatin Isufaj, afër qytezës Zhegër të komunës së Gjilanit.
Të më falni që nuk po mund të ngritem në këmb, ashtu sikur e meritojnë miqt të priten – janë fjalët e saj të para, para se të na përqafonë ngrohtësisht dhe me një shtrëngim dore, nga i cili e kupton se ajo është ende e fortë, përkundër moshës së shtyrë e sfidave të njëpasnjëshme, sfilitëse.
Ka diçka tjetër që të mahnit te kjo nënë e jashtëzakonshme – mirësia, energjia, optimizmi,.. që rrezatojnë nga çdo pore!!! Habitem me stoicizmin e saj të pashembullt!!!
“Zoti ka dasht kështu dhe ne duhet të pajtohemi me vullnetin e Tij” është kjo një fjali që i buron thellë nga brendia e saj por që thuhet lehtësisht e me përzemërsi.
Pasi merr frymë thellë, vazhdon tutje: Ai më shpërbleu edhe me 7 melaqe tjera, disa prej të cilëve vdiqën herët e disa u martuan, krijuan familje dhe më gëzuan me nipa e mbesa si drita.
Mua më kanë martuar të re, rreth moshës 16 – 17 vjeçare ndërsa burri im, Shabani ( 1934 –1998 ), ishte rreth 3 -4 vjet më i madh se unë.
Zoti na gëzoi një vit mbas marteses ( 1953 ) me Milaimin ( 1954). U gëzuam shumë që të dy, ani pse kushtet i kishim tejet të rënda, ashtu sikur thuaja krejt populli. Ishte varfëri tejet e madhe dhe Milaimi na vdiq nga uria, more djali jem.
Shabani ishte ushtar atëherë dhe ne përballeshim me s’kamje të madhe e ai nuk kishte se si të na ndihmonte. Nuk të pyeste hyqymeti a i ki a si ki rendet për me shku ushtar.
Mandej Zoti na e fali Remziun ( 1957 ) por vonë e kuptuam që ai po ka halle të shumta. Në fillim ne mendonim se Remziu nuk po din sepse është fëmijë dhe shpresonim se me kalimin e viteve, ai do të zhvillohet dhe do t’ja nis me fol mirë, me u kujdes për veten e gjëra të tilla por vitet po kalonin e Remziu nuk po përparonte fare.
Mandej Zoti na e fali edhe një djal tjetër, Hakiun (1959). U gëzuam shumë. Tani i kishim dy arsye për të qenë të lumtur dhe ëndërronim se një ditë, nëse jo Remziu, të paktën Hakiu do të përparonte e zhvillohej normalisht por me kalimin e viteve e vërejtëm se edhe Hakiu nuk po përparonte aspak.
Duhej ushqyer, pastruar e kujdesur për ta, sikur për një foshnje edhe pse këta po rriteshin dhe po i plotësonin vitet për shkollë.
Në vitin 1961, Zoti na gëzoi me një melaqe tjetër, Nazmiun. Ai u rrit shpejtë dhe na u ba si drita. Kishte shtat të madh, përparonte mirë dhe na u ba krah por edhe ai filloi të ketë probleme.
Mjaftonte të lëndohej pakëz dhe kishte gjakderdhje të madhe, nuk i trashej gjaku hiç. Ky djali im që e kam këtu afër, Sylejmani, Zoti e bekoftë, më ka treguar se Nazmiu e ka pas hemofilinë.
Kjo sëmundje nuk po e lejojka gjakun me u trash, e gjaku kur nuk trashet, me loken ai derdhet shumë e kjo e molis njeriun. Kjo i shkaktonte shumë vështirësi melaqes sime, Nazmiut.
Pas Nazmiut më lindi Hamidija ( 1963 ) e cila është martuar me një burrë shumë t’mirë dhe i ka fëmijët si drita, Zoti ia bekoftë.
Mandej më lindën fëmijët Milaimi (1967 ), Zijadini, ( 1969 ), Ajshja ( 1971 ), Sylejmani, ( 1973 ), Eminja, (1976 ) dhe Ganiu, (1980 ).
Ganiun e mori Zoti shumë shpejtë dhe nuk patëm kohë të gëzohemi thuaja hiç me të por ashtu ka dashtë Zoti dhe ne duhet të pajtohemi me vullnetin e tij.
Ai na i ka fal 10 të tjerë para Ganiut dhe ne duhet me falënderu për këto 10 melaqe që na i ka fal.
Përveç Hamidijes, edhe Izjadini, Sylejmani dhe Eminja janë martuar dhe kanë krijuar familja dhe Zoti ju ka fal fëmijë si drita.
Dy fëmijët tjerë, Milaimi dhe Ajshja, filluan t’i kenë vështirësitë sikur i kishin Remziu dhe Hakiu. Tani na u bënë katër fëmijë që nuk po përparonin dot por po kërkonin kujdes sikur të ishin foshnje.
Pasi ne të dy, unë e burri ishim të pashkollë, menduam se mbase kjo po ndodhë për shkak se ne nuk po dijmë me i eduku.
Kështu që Mialimin, 12 vjeç dhe Ajshen 8 vjeçe, vendosëm t’i dërgojmë në Shtime pasi na thonin se aty është një shtëpi dhe ka njerëz me shkollë e mjekë që dijnë si me u marr me fëmijë sikur ishin këta tonët.
Mendonim që kemi hy në gjynah me Remziun dhe Hakiun dhe filluam të shpresojmë që të paktën Milaimi dhe Ajshja do të përparonin e të bëheshin të zot e vetes nëse do t’i dërgonim në Shtime.
Shumë jemi pas mërzitë kur i kemi pas nis për atje. Vendi i tyre mbeti bosh në shtëpi. Trupin e kishim në shtëpi por mendjen e shpirtin atje, në Shtime. Nuk kishim mundësi të shkonim e t’i vizitonim shpesh.
Dhe një ditë, ndodhi ajo që nuk ia dëshiroj asnjë nëne.
Shkuam me i marrë për vizitë disa ditore në shtëpi, dhe të qëndronin te ne për aq ditë sa ishte festa e Bajramit. Kur marr me i pastru, e shoh që trupin ua kanë fashuar fashë mbi fashë. Fashat e para iu ishin ngjitur aq fortë për trupi, sa bashk me to hiqeshin edhe pjesë të trupit të plagosur!
Kishin nisur me iu shfaqur varr nëpër trup. Flokët pëpjetë më jasnë ngritur dhe trupin ma përshkuan mornicat.
E thërras edhe burrin dhe i tregoj se si ju ishte katandisur trupi i tyre i brisht.
Të dytë thamë se mbase ne jemi të pashkollë dhe nuk dijmë me i arsimu ama të paktën dijmë me i trajtu njerëzisht.
Kështu që morëm vendim që më të mos i kthejmë në atë shtëpi në Shtime, asesi.
Vinin dhe kërkonin nga ne që fëmijët duhet të kthehen sërish në atë Institut Special të Shtimes por unë nuk pranoja asesi.
Në fund ju thashë. Ju mi merrni këta por dijeni se unë do të bëjë atë që e ka ndaluar Zoti i madhërishëm – vetvrasje. Nuk dua që më askush të kujdeset për fëmijët e mi. Do të kujdesem për këta dy engjuj ashtu sikur po kujdesem për këto melaqet tjera.
Po mandej çfarë ndodhi?
Jeta ishte e rëndë me loken, ashtu sikur për krejt popullin. Kishte shumë varfëri e papunësi. Burri nuk po gjente asesi punë të përhershme në Kosovë e as tokë nuk kishim shumë.
Në vitin 1974, ai u nis për mërgim. Shkoi dhe punoj në Gjermani deri në vitin 1977.
Edhe unë këtu punoja se kishim shpenzime të shumta. Merresha me kopshtë, mbanim lopë e pula dhe ja dilnim disi.
Disa toka të pjerrëta, i kishim rrafshuar me shitni e lopata me burrin dhe tani i mbillnim ato. Dhe kështu gjallonim.
Por me raste, kishte thatësi të madhe dhe thuaja krejt mundi na shkonte posht.
Me kohë e kisha vërejtur se nëse hapim një kanal dhe devijonim ujin nga shtrati i lumit, prej aty ku buronte, një sipërfaqe e konsiduar e tokës mund të ujitej por ishte punë që s’bëhej vet.
E bisedoj me disa gra, shoqe te lagjes por njërëzve ju dukej që ishte punë që s’bëhej. Punë koti.
Por arrita me i bind dhe filluam hapjen e kanalit me një gjatësi prej 400 – 500 metrash.
E kam dhënë maksimumin në hapjen e atij kanali. Sfilitesha nga lodhja.
Kjo për faktin se përveç kujdesit për katër melaqet e mija e punët e zakonshme që kanë gratë, duhej të punoja edhe në hapjen e këtij kanali jetik për rritjen e bereqeteve që i mbjellnin në ara.
Diten e filloja ende pa u zbardhë mirë ndërsa në shtëpi hyja kur errësohej.
Mandej brenda shtëpisë vazhdodja me punët tjera nën dritën e zbehtë të llambës sepse atëherë nuk kishim rrymë.
Unë qysh e re i kisha vëzhguar gratë e tjera më shumë vëmendje kah përgadisni pajën e nusërisë dhe arrita t’i mësoja tejet mirë ato zanate.
Thurja tejet mirë xhempera dhe njjëkohësisht u bëra rrobaqepëse tejet e mirë.
Kjo kishte bërë që për veshëmbathjet më delikate, të më drejtoheshin mua.
Vajzat që fejoheshin dhe që donin t’i bënin dikujt ndonjë dhuratë speciale te familja e të fejuarit, më drejtoheshin mua pasi puna me triko por edhe e rrobaqepësisë, më shkonte mirë.
Por nuk ishte se njerëzit kishin lek sa të më paguanin mua aq sa dëshironin ata por as unë nuk ju kërkoja çmim fiks.
Merrja çfarë të më jepnin, kush fasule, kush lek apo ndonjë gjë tjetër, çfarë kishin mundësi.
Njerëzit kanë halle dhe duhet ndihmuar me aq çfarë ke mundësi.
Disa vajza që vinin për të bërë tek unë porosi për pajen e tyre të nusërisë, psh, kishin vjehrren, vjehrrin apo edhe ndokend tjetër në familjen e burrit shumë të mirë dhe kishin dëshirë të ju bënin ndonje dhuratë te veçant.
I gjenin disa modele të bukura por nuk mund t’i gjenin njerëzit që mund të ua sajonin sikur kishin dëshirë dhe mandej më drejtoheshin mua.
Kishte edhe raste tjera që vajzat e fejuara ishin informuar se vjehrri, vjehrra apo ndokush tjetër në familjen e burrit, ishte tejet i ashpër dhe vajza që do të shkonte me u martu në atë familje, kishte dëshirë që me anë të dhurata të mira, të ua zbuste zemrën e tyre.
I kuptoja shumë mirë këto vajza prandaj bëja maksimumin që rrobat që ua sajoja, të ishin të një niveli të jashtëzakonshëm.
Njeriu është i aftë të bëjë gjëra të ndryshme por ja që disa dorëzohen ende pa ja nis.
Unë jam kanë në gjendje për ta sajuar edhe kerrin e drurit sepse këto i kanë sajuar njerëzit dhe mjafton ta vështrosh me kujdes pjesët e tij se si janë sajuar, si janë kombinuar me njëri tjetrin deri në finalizim.
Njeriu nuk bënë me u dorëzuar se Zoti nuk e sfidon njeriun më shumë se sa është në gjendje të duron.
A ju ka ndodhur ndonjëherë diçka që ju ka lënduar shumë, që ju ka shkaktuar më shumë vështirësi dhe që keni menduar: a do të mund të ja dal kësaj radhe?
Po valla, më ka ndodhë. Ishte viti 1986. Dimër i madh me loken dhe Nazmiut ju përkeqësua shumë gjendja.
Një ditë ndërroi jetë melaqja ime. Edhe unë, edhe burri, jemi pas mërzitur shumë.
Për tri vite, nuk kemi pasur vullnet më, për asgjë.
Toka për tri vite na mbeti djerrinë. E kur nuk e punon tokën, nuk ke çka merr prej saj. E kur nuk ke çka merr prej saj, nuk ke çka hanë.
Aq shumë jemi pas mërzitë e na kanë pas humb shpresat sa nuk di me kallxu as përafërsisht.
Shumë i mirë është kanë Nazmiu dhe nuk e përballonim dot mungesën e tij fizike.
Vendi i tij sa vinte e bëhej më bosh e me rritjen e boshllëkut rritej edhe mërzia e pikëllimi ynë.
Por Zoti ka dashtë ashtu dhe ne duhet me u pajtu me vullnetin e Tij.
Për fatin tonë, në vitin 1985, me nismën e Halim Vranovcit, i cili ka qenë arsimtar apo drejtor një kohë në fshatin Shurdhan, por mbi të gjitha njeri shumë i mirë, njerëzit vullnet mirë na kanë pas ndihmuar me saju një shtëpi.
Mandej disa njërëz tjerë, na u ofruan për me na ndihmu me rimarr veten dhe tri vite pas vdekjes së Nazmiut, na kanë ndihmu me ja nis me punuar sërish tokën.
Burri im ka qenë mjeshtër shumë i mirë në ndërtimtari dhe ai punonte nëpër vende të ndryshme ndërsa unë merresha me punë tjera.
E kam pas sajuar vet një kallap për qerpiq.
Edhe ata tjerët me të cilët njerëzit sajonin qerpiq, njerëzit i kanë ujdis.
Kështu që një ditë e mora, e pash mirë e mirë se si e kane saju, e mata andej e këndej sa është i gjatë, i gjerë, i thellë dhe e sajova një për nevoja të mija.
Mandej bashkë me burrin e kemi mbushur një pjesë të oborrit dhe e unë mandej sa herë më dilte pak kohë, i sajoja do qerpiq dhe ngadal dal saojva aq shumë sa ma mori mendja se më mjaftojnë për me ndërtu një muri.
Mandeje dhe murin e kam bërë vet.
Pse mos me saju me lokën.
Çkado që punon njeriu me djersë, mund e nderë, nuk është turp.
Kur kish kohë burri, murin e bënim bashk por edhe ai lodhej tepër shumë sepse me raste punonte në fshatra të largëta dhe nuk i mbetej kohë për punë shtëpie.
Me mirëkuptim, durim e bashkëpunim, arrihet çdo gjë me loken” thekson e ndeuara Hyra Sahiti me një besim të patundur.
***
Lehtësirat në jetë, dëshirat e paplotësuara, porositë për çftet e reja dhe fenomenet e paspjegueshme!
Cilat janë momentet e bukura të jetës, ngjarjet që t’kanë gëzuar sadopak, apo,..
Oh me lokën mbase t’kam lëndu sepse kam harru me t’kallxu krejt që ne kemi pasur shumë momente t’mira.
Unë asnjë prej fëmijëve të mi nuk e shoh si barr apo telashe por si dhuraët të bekuar nga Zoti, ani pse i kam rritur me shumë halle e vështirësi.
Moment i mirë është kanë kur kanë dal pampersat me loken se kjo na e ka lehtësuar shumë punën për higjienën e tyre.
Mandej momente të mira kanë qenë kur shihnim fëmijët kah luanin dhe kujdeseshin për njani tjetrin.
Kjo lumturi e knaqësi, nuk përshkruhet dot, as përafërsisht.
Mandej i rregulluam sadopak kushtet në shtëpi dhe më nuk më ngriheshin rrobat për trupi kur pastroja fëmijët gjatë dimrit.
Mandej me kalimin e kohës, unë e mësova se me çfarë ushqimi duhet të ushqehen fëmijët që këta t’i krynin nevojat e tyre fiziologjike diten, e jo natën kur janë në gjumë dhe mandej neve të na duhet të merremi pa pastrimin e tyre në mëngjes.
Njeriu duhet pasur durim, vëmendje dhe çdo gjë ka ilaq.
Sa më shumë rriteshin fëmijët tjerë, aq më shumë unë kisha kohë me qëndru pranë katër melaqeve të mija sepse shumë vite më parë, më duihej të merresha me punë të tjera dhe nuk kisha mundësi të rrija gjatë me ta.
Zemra mal më bëhej teksa i shihja kah kujdesen për njëri tjetrin.
Herë herë, shtëpija më dukej si çerdhe, kur vinin edhe mysafir me fëmijë.
Po ndonjë dëshirë të paplotësuar, a ke!?
Po valla, e kam një dëshirë ama e dij që më nuk do të më plotësohet kurrë ama nuk kam çka t’bëjë.
Mund ta ndash me ne, nëse s’prish punë?
Po, patjetër ama e dij që do të ju duket dëshirë çudtishme por po ua tregoj. Kurrë nuk do të më hjeket meraku që nuk u bëra shofere!
Mund të na tregosh se përse kjo është dëshira jote më e madhe e paplotësuar!?
Po, patjetër. Shumë kisha pas dëshirë me qenë shofere dhe me i marrë katër melaqet e mija e me i shetit nëpër vende të ndryshme.
Unë kam mbjellur lule nga më të ndryshmet në oborr, shumicën e llojeve të pemëve, nuk ka dritare që nuk e kam mbush me lule që këto katër melaqet e mija me i pa por ndryshe është kur del me shetit dhe sheh vende tjera, male, livadhe, lëndina, qytete, lumenjë, bjeshkë,.. e kështu me radhë.
Më dhemb shpirti që këtë dëshirë nuk arrita ta përmbush.
Shpresova se do të vije një ditë dhe bashkë me djalin tjetër, Sylejmanin, do ta realizoja këtë dëshirë por jo. Na janë shuar shpresat!
Po çfarë keni provuar të bëni që nuk ja dolët mbanë?
Për këto, më mirë din me të tregu Sylejmani. Le te fletë ai më mirë.
“Kemi bërë disa herë përpjekje që të gjejmë mirëkuptim nga organet shtetërore, në mënyrë që të na lirojnë nga dogana për një veturë të posaçme, të cilën do ta siguronim ne në Perëndim, por nuk kemi hasur në mirëkuptim… Ua kemi sqaruar se invaliditeti i dy vëllezërve dhe motrës sime është i tillë që ata duhet të futen në veturë me karroca invalidësh dhe se kjo është e pamundur të bëhet në vetura të rëndomta, por sërish nuk kemi hasur në mirëkuptim. Na kanë thënë se kjo është e pamundur ligjërisht, pasi veturën do ta ngisja unë, që nuk jam invalid. Ndërkohë, nuk po ia dalim as t’i sigurojmë mjetet financiare për një veturë të tillë, e cila ka kosto më të lartë se veturat e zakonshme, për më tepër edhe doganimin. Do të hyja edhe në kredi, pa hezitim, për një veturë të tillë, por shuma e kredisë që mund ta marr në bankë nuk më mjafton për t’i mbuluar shpenzimet për blerjen dhe doganimin e saj”, sqaron me shumë kujdes, mirësi dhe qetësi Sylejmani.
– A po mundesh me ia dalë mbanë me kujdesin dhe shpenzimet për dy vëllezërit, motrën, nënën, gruan dhe fëmijët?
– Po, sepse ka njerëz vullnetmirë që na ndihmojnë herë pas here. Mandej edhe kolegët e punës më mirëkuptojnë dhe, kur familjarët e mi kanë më shumë nevojë për përkujdesje, kolegët dhe koleget e mia e kryejnë punën time në Shtëpinë e Shëndetit, qoftë duke dhënë injeksione, infuzione apo duke kryer detyra të tjera që i takojnë një punëtori shëndetësor. Për mua, vëllezërit Remziu e Milaimi dhe motra Ajshja janë kuptimi i jetës. Jetën ma lumturon edhe gruaja ime tejet e mirë dhe fëmijët e mrekullueshëm, por asgjë nuk e zë vendin e këtyre treve. Asgjë. Këta më përmbushin.
– Loke, a ke ndonjë porosi për çiftet e reja?
– Çka të them unë me loken, kur jam e pashkollë e ju jeni me shkollë. Jeni ju që duhet me na dhënë këshilla neve, e jo unë juve.
– Po a ka ndonjë gjë që nuk e duron dot te çiftet e reja?
– Ah, po vallë, kam.
– Çka ashtu?
– Mallkimin me loken. Nuk arrij me e marrë me mend se si mundet një nënë apo një baba me mallku fëmijën e vet! Kjo nuk duhet me ndodhë asesi. Si mundesh me mallku dhuratën që ta ka falë Zoti!? Si!?
Njeriu nuk mallkon pa u çmendur më parë, e nëse mallkon pa u çmendur, lokja nuk di si t’i japë emër kësaj. Dashtë Zoti që veshët e mi kurrë të mos dëgjojnë mallkime ndaj fëmijëve. Si mallkohet engjëlli me loken!? Si!?
– A ke vërejtur diçka interesante te katër engjëjt e tu? A mërziten ndonjëherë, a qajnë?
– Po, me loken, kam vërejtur. Edhe qajnë edhe mërziten, por jo shpesh. Këta qajnë nëse qajnë fëmijët. Mjafton një fëmijë me qajtë dhe që të tre ia nisin me qajtë. Këta qajnë dhe mërziten shumë, e verë në gojë nuk bëjnë nëse shohin duke u prerë ndonjë pulë apo gjel. Qajnë edhe nëse shohin se dikush po e pret drurin e pemëve. Prerja e pemëve i mërzit shumë dhe qajnë shumë.
– E çka i lumturon, çfarë i gëzon dhe i bën me qeshë?
– Po, ka edhe gjëra që i lumturojnë dhe i bëjnë me qeshë. Për shembull, nëse shfaqet ndonjë skeç i Çarli Çaplinit, kjo i bën me qeshë. Humoret e tjera jo, sqaron me shumë përkushtim e qetësi Sylejmani.
– Loke, po e përmend shpesh Zotin. A i respektoni obligimet që vijnë nga feja?
– Po, shumë. Kam nisur me falë namaz që nga mosha 9-vjeçare. Nga kjo moshë kam nisur me mbajtë edhe Ramazanin. Edhe burri im, Shabani, Zoti e shpërbleftë me parajsë, është falur. Unë, përveç se i fal kohët e obliguara – farzin dhe synetin – bëj edhe namaz shtesë, nafile. Ama nuk besoj në bestytni, sepse njerëzit nganjëherë, jo me dashje e as me qëllim të keq, por nga padituria, e ngatërrojnë fenë me bestytni.
Për shembull, njerëzit nuk kanë punuar ditën e nesërme të Shën Gjergjit, sepse kanë besuar se kjo është haram, ndërsa unë kam punuar. Jam munduar me i bindë se kjo nuk është e ndaluar dhe se njeriu më mirë është të punojë sa më shumë se sa të qëndrojë pa punë, sepse nga punëtori kanë dobi të gjithë: familja, njerëzit e tjerë, gjallesat, por edhe toka, sepse edhe ajo ka dëshirë të punohet e jo të mbetet djerrinë. Mandej ne jemi popull që kemi mbetur mbrapa për shkak të robërisë dhe duhet me punu më shumë se të tjerët që me zënë hapin me botën.
– Po tani a punon ende?
– Po, patjetër, ama jo sa kam dëshirë. Vetëm ato punë që mund të bëhen duke u mbajtur për karrige apo ndonjë mjet tjetër. Njeriu i gjallë duhet të punojë që ta ketë bukën, ujin, hallall.
– Loke, a mund të na tregosh se çka të lumturon më së shumti tani?
– Le të tregon Sylejmani. Po kam dëshirë edhe ai me folë pak.
– Po, Sylejman?
– Nëna është njeri që lumturohet me pak gjëra. Nuk kërkon trajtim të veçantë. Nuk është se nuk i pëlqen kujdesi im, i gruas sime apo i fëmijëve të tjerë për Remziun, Milaimin dhe Ajshen, por nanës i pëlqen kur kjo me duar të veta i ushqen këta tre. Kjo e lumturon shumë. Nuk ndihet mirë kur nuk mund ta bëjë këtë. Kjo edhe gjumin e bën e rrethuar me këta tre afër vetes. Nuk ndihet aspak rehat kur këta tre nuk i ka pranë.
Remziu, Milaimi dhe Ajshja, por edhe i ndjeri Hakiu, janë kuptimi i jetës sonë: i nënës, i vëllezërve e motrave të mia, i gruas sime, por edhe i fëmijëve tanë. Pa këta, jeta jonë nuk do të kishte kuptim; do të ishte e zbrazët, e pakuptimtë, monotone.
– I paqi sa më gjatë mes jush. Faleminderit shumë për mikpritjen shembullore, kohën dhe këtë përvojë të jashtëzakonshme që ndatë me ne dhe që po na lejoni këtë histori tuajën ta publikojmë në Radion Kosova e Lirë.
– Me nder qofshi. Faleminderit edhe juve për vizitën dhe jeni të mirëseardhur kurdo që keni kohë.
– Po, me shumë dëshirë. Shëndet, lumturi dhe suksese për të gjithë ju. Mirë u takofshim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
