Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar para seancës së radhës për konstituimin e Kuvendit, duke e quajtur situatën politike në vend “të papranueshme dhe të habitshme”. Limaj theksoi se, në një kohë krizash të mëdha në botë, Kosova po zvarritet në bllokadë institucionale, edhe pse partitë kanë garuar me premtime për përmirësim të vendit dhe kanë marrë besimin e qytetarëve. “Kjo është e habitshme çka po ndodh. Me u zgjedh, me kërku me bo vendin më mirë, e me bë tërë atë fushatë, me garu kush është më patriot, e pastaj mos me qenë në gjendje me u ul për të ndërtuar institucione – kjo është e papranueshme”, tha Limaj. Ai kërkoi reflektim të thellë nga spektri politik dhe apeloi për përgjegjësi nga qytetarët. “Në këtë situatë, apeli im është te qytetarët: shikoni kujt po ia jepni besimin. Është koha me adresuar përgjegjësinë”, përfundoi Limaj.
