Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka dhënë dy deklarata të forta në emisionin “Debat Plus” në Dukagjini, duke ngritur alarmin për gjendjen ekonomike e sociale të vendit dhe duke komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Në lidhje me situatën aktuale, Limaj tha se Kosova ka arritur “limitet e durimit” të shtetit, duke e përshkruar klimën ekonomike e sociale si më të rëndën që nga paslufta. “Vendi kurrë më keq s’është kanë ekonomisht. Klima ekonomike dhe sociale kurrë më keq s’ka qenë në Kosovë. Gati jemi në depresion ekonomik dhe social. Ky shtet nuk duron më shumë,” deklaroi ai. Limaj komentoi edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugë konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit. Ai vlerësoi profesionalizmin e gjykatës dhe pasurimin e praktikës juridike, por shprehu rezervat për mungesën e sqarimit mbi pasojat në rast se nuk respektohet afati 30-ditor. “Kam pritur që aktgjykimi të ketë edhe një shtesë, pasojën juridike. Gjykata nuk ka treguar se çka ndodh pas 30 ditësh,” theksoi Limaj. Ai kritikoi devijimin nga rregullorja dhe rendi i ditës nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, si dhe theksoi dallimin mes të drejtës për të propozuar dhe aftësisë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. “Partia e parë ka të drejtë të propozojë, por për të zgjedhur duhet të kesh votat. LVV ka të drejtë t’i propozojë të gjithë deputetët e saj për kryekuvendar, por duhet konsensus për shumicën,” tha ai.
