Ish komandanti i UÇK-së, Ferat Shala, përkujton 21 dëshmorët e njësitit, “Pëllumbi” dhe 36 martirëtal “Pëllumbat e Lirisë”, në Negrovc të Drenasit nderohen 21 dëshmorët dhe 36 martirët e lirisë

Ferat Shala: Në Kompleksin Memorial “Pëllumbat e Lirisë”, në Negrovc të Drenasit nderohen 21 dëshmorët dhe 36 martirët e lirisë

Me rastin e shënimit të 22 vjetorit të rënies së 21 dëshmorëve të UÇK-së, nga njësiti “Pëllumbi” dhe 36 martirëve të lirisë së kësaj zone, sot në kompleksin memorial “Pëllumbat e Lirisë”, në Negrovc të Drenasit, së bashku me familjarë, bashkëluftëtarë dhe bashkëfshatarë bëmë homazhe dhe vendosëm kurora lulesh në shenjë përkujtimi dhe nderimi të rënies dhe kontributit të tyre për liri.

Kësaj radhe mungonte në ceremoninë e përkujtimit në vendlindjen e tij ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi që së bashku me themeluesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarë të tjerë po përballen me akuza të padrejta në Gjykatën Speciale në Hagë. Kompleksi memorial “Pëllumbat e Lirisë”, në Negrovc, është vetëm një nga qindra e mijëra dëshmi anë e kënd Kosovës, që flet për qëndresën dhe luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së dhe popullit të Kosovës për liri.

Herozimi dhe rënia në altarin e lirisë e dëshmorëve të njësitit “Pëllumbi”, tregon për atdhedashurinë dhe guximin e djemve të zgjedhur të UÇK-së, në mbrojtje të popullatës së kësaj zone, ndërsa martirët e rënë janë dëshmi për krimet e forcave ushtarako-policore serbe mbi popullatën e pafajshme të kësaj ane.

Sot kur përkujtojmë të rënët dhe martirët, kujtojmë edhe lavdinë, krenarinë, qëndresën dhe sakrificën e dëshmorëve dhe të popullit liridashës të kësaj ane që i dhanë kuptimin e vërtetë lirisë që gëzojmë sot. Përkujtimi dhe respekti për dëshmorët dhe martirët do të mbetet i përjetshëm në zemrat tona dhe në kujtesën e krenarisë sonë kombëtare. Përulemi para veprës së tyre duke mos harruar amanetin dhe idealin për të cilin derdhën gjakun.

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të ndjeshëm kulturor dhe kombëtar që ilustron gjendjen e shqiptarëve autoktonë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Rrafshnalta e Peshterit, një trevë e rëndësishme në Sanxhak, me mbi 95 për qind të popullsisë myslimane me prejardhje shqiptare, u okupua nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Në më shumë se 200 vendbanime të kësaj zone, edhe sot në disa fshatra dëgjohet gjuha shqipe, e cila ka mbijetuar, pavarësisht mohimit të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëdeklarim. Një rast i tillë është ky i fshatit Ugëll (Ugao), në kufi me Malin e Zi, ku banorët na kanë dërguar fotografi të të dy epitafeve të shkruara në gjuhën shqipe për Fatë Aliçkaj (1910–1966), e lindur në Jezgroviq të komunës së Tutinit dhe e vendosur në Ugëll. Epitafet janë përgatitur për të shënuar varrin e saj në varrezat e fshatit Ugëll, por për arsye ende të paqarta nuk janë vendosur kurrë. Dyshohet se për shkak të tekstit të epitafit në gjuhën shqipe, familjarët nuk kanë pasur guximin t’i vendosin ato. Kjo po ndodh pavarësisht faktit se në kohën e vdekjes së saj, gjuha shqipe flitej nga të gjithë banorët e zonës. Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, i drejtohemi Ministrisë për Evropë e Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, respektivisht Ambasadës së Republikës së Shqiptare në Beograd, që ta vizitojnë këtë fshat dhe të njihen nga afër me gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak. Shoqata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Boshnjak (BNV), përmes së cilës ka status participues e konsultativ në këtë institucion dhe vepron në Sanxhak. Rasti i epitafeve është vetëm një nga qindra shembuj të diskriminimit që pengon zhvillimin e jetës normale në këtë krahinë të banuar me shqiptarë autoktonë. Ismet Azizi Kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

“Kosova për Sanxhakun”: Rasti i epitafit në gjuhën shqipe në fshatin Ugëll të Peshterit në Sanxhak

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të …