Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Ferat Shala, ka ngritur akuza të ashpra ndaj qeverisë Kurti, duke e akuzuar për kontroll politik mbi sektorin energjetik dhe për përfshirje familjare në pozita strategjike brenda ndërmarrjeve publike. Shala deklaroi se vendosja e vëllait të kryeministrit, Taulant Kurtit, në një pozitë kyçe në Korporatën Energjetike të Kosovës, është dëshmi e përpjekjeve të qeverisë për të kontrolluar procesin e tregtimit të energjisë elektrike në vend. Sipas tij, emërimi i Taulant Kurtit nuk është një rastësi administrative, por pjesë e një strategjie më të gjerë të kapjes së sektorit të energjisë për qëllime politike dhe ekonomike. Shala kritikoi qeverinë për, siç tha ai, varësinë e thelluar nga importi i energjisë elektrike dhe keq menaxhimin e burimeve vendore. Gjatë pesë viteve të fundit janë shpenzuar rreth 600 milionë euro për import energjie, ndërsa shpenzimet totale përfshirë subvencionet qeveritare i kalojnë 1 miliard eurot. “Pushteti aktual ka dëshmuar se secilin veprim në energji e bën me prapavijë të qartë – jo për të ndërtuar kapacitete të brendshme, por për të justifikuar importin dhe keqpërdorimet përmes tij,” përfundoi deputeti i PDK-së.
