Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës, duke e cilësuar skemën e emërimeve në Ndërmarrjen Hidroekonomike Ibër-Lepenc si dëshmi të qartë të kapjes së institucioneve nga struktura paralele pa legjitimitet shtetëror. Sipas Shalës, ky model qeverisjeje është parë më herët edhe në rastin e Rezervave Shtetërore, ku, siç tha ai, një person privat ka pasur kontroll të plotë mbi procesin e blerjes, përzgjedhjen e kompanive, çmimet dhe ruajtjen e mallrave. Ai theksoi se i njëjti skenar po përsëritet edhe në sektorin e energjisë. “Vendimet për furnizimin me energji, për atë se kur qytetarët kanë rrymë e kur jo, si dhe kush blen e shet energjinë, merren nga zyrat e komiteteve partiake dhe jo nga institucionet përgjegjëse”, ka deklaruar Shala. Ai shtoi se rasti Ibër-Lepenc ka zbuluar se edhe institucione të tjera shtetërore janë vënë nën kontrollin e strukturave jashtë sistemit institucional, duke e quajtur këtë situatë tejet të rrezikshme për demokracinë, sundimin e ligjit dhe interesin publik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
