Ferizaj gati për festat e fund vitit, gjendja e sigurisë e qetë dhe stabile

Takimi i radhës i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në komunën e Ferizajt, në të cilin pati të pranishëm edhe pjesëtarë të KFOR-it amerikan në cilësi të vëzhguesve, nisi me një minutë heshtje në nderim të jetës, veprës dhe kontributit për lirinë e Kosovës të Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.W. Bush , i cili ndërroi jetë ditë më parë, kjo pas zisë së shpallur nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Ky mekanizëm i rëndësishëm i sigurisë në nivel lokal u mblodh për të diskutuar mbi përgatitjet për festat e fund vitit në pikëpamje të sigurisë. Me autorizim të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati i cili drejtoi këtë takim, njoftoi anëtarët e këtij mekanizmi të sigurisë mbi përgatitjet që ka bërë Komuna e Ferizajt për festat e fund vitit, masat që janë ndërmarr me qëllim që të përballohet fluksi eventual i mërgimtarëve si dhe koordinimi më intensiv me organet e sigurisë dhe akterët tjerë që këto festa të kalojnë pa ndonjë ekses. Ai tha se për këtë janë njoftuar organet përkatëse dhe se këtë vit ekziston një raport më i konsoliduar bashkëpunimi dhe se qeverisja lokale i ka paraprirë shënimit të këtyre festave me plane përkatëse në sektorët përkatës. Në anën tjetër, Komandanti i Stacionit Policor në Ferizaj, Imer Kaqara njoftoi se kohëve të fundit ndonëse janë shënuar rastet e grabitjeve, përkatësisht veprave penale kundër pasurisë, gjendja e sigurisë përgjithësisht është e qetë dhe stabile. Ai tha se për këtë sezon festash, Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Ferizaj ka përgatitur një plan operativ për rritjen e masave të sigurisë këto ditë festash. Për bashkëpunimin me Komunën e Ferizajt, komandanti Kaqara tha se presin agjendën zyrtare të aktiviteteve komunale për këtë ditë, me ç ‘rast Policia e Kosovës do të ofroj gjithë infrastrukturën e nevojshme me qëllim sigurinë e qytetarëve. Në këtë takim u diskutuan edhe disa sfida të tjera të sigurisë siç janë shitja e paautorizuar e mjeteve piroteknike, rritja e kontrollit nga Inspektorati Komunal për ndalimin e shitjes së alkoolit, siguria në komunikacion, mungesa e higjienës dhe siguria në shkolla, qentë endacak, për të cilat ekzekutivi komunal u zotua se kanë marr të gjitha masat në këtë drejtim me qëllim të përmirësimit të gjendjes në këto fusha.

Kontrolloni gjithashtu

Gjendja nën kontroll dhe rrugët të kalueshme pas reshjeve të shiut në komunën e Vitisë,

Pas reshjeve të pandërprera të shiut gjatë natës, gjendja në Komunën e Vitisë paraqitet stabile. …