Filloi dezinsektimit i zonave endemike në Malishevë

Në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), në territorin e Komunës së Malishevës, ka filluar fushata e dezinsektimit të zonave endemike, kundër rriqrave, të cilët janë bartës të virusit të EHKK. Dezinsektimi i zonave endemike, bëhet në bashkërendim të aktiviteteve në mes të Komunës së Malishevës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe ministrive përgjegjëse, ndërsa financohet nga Ministria e Bujqësisë. Në fillimin e dezinsektimit, ishin të pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me drejtorin e shëndetësisë, Liridon Hoti dhe drejtorin për mbrojtje dhe shpëtim, Valon Gashi, të cilët e kanë falënderuar të gjithë stafin e angazhuar në këtë fushatë të dezinsektimit, si dhe të gjithë stafin tjetër, përfshi atë shëndetësorë dhe stafin komunal, të cilët çdo vit janë të angazhuar në luftimin e EHKK. “Dezinsektimi që ju sot po bëni, do të thotë shumë për të gjithë banorët, pasi zvogëlon mundësinë e thumbimeve nga rriqrat dhe me këtë zvogëlon edhe mundësinë e infektimit nga virusi i etheve hemorragjike krime kongo, i cili përcillet përmes rriqrave. Puna e juaj dhe e të gjithë të tjerëve që janë të angazhuar në luftimin e këtij virusi, është jetike për banorët të cilët potencialisht mund të preken nga ky virus”, tha kryetari, me rastin e fillimit të fushatës së dezinsektimit. Begaj, i cili po ashtu i ka falënderuar edhe ISKHP-në për përkushtimin e tyre në luftimin dhe parandalimin e EHKK, si dhe të gjitha ministritë që janë të kyçura në realizimin e strategjisë për luftimin dhe parandalimin e EHKK. Përndryshe, Komuna e Malishevës, si pasojë e prezencës së virusit të etheve hemorragjike krime kongo, që nga paslufta, ka qenë komuna më e prekur, ku si pasojë, deri në vitin 2013, kanë humbur jetën 18 qytetarë. Mirëpo, falë përkushtimit të vazhdueshëm të të gjitha institucioneve, në luftimin e këtij virusi, tani jemi në vitin shtatë që nuk kemi raste të vdekjeve apo raste me infeksion nga EHKK.

Kontrolloni gjithashtu

Në Zatriq, po merr formë një nga projektet më të mëdha për prodhimin e energjisë së dekarbonizuar në nivel vendi

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi me bashkëpuntorë kanë parë nga afër në …