Në fshatin Berishë filloi hapja dhe zgjerimi i rrugës, e cila shkon edhe në vendin, ku në 3 muajt e fundit të luftës, ka transmetuar program, Radio-Kosova e Lirë

Sot në fshatin Berishë në Komunën e Malishevës, filloi hapja dhe zgjerimi i rrugës, e cila është edhe rruga që shkon vendit, ku gjatë luftës në tre  muajt e fundit   ka qenë e vendosur Radio “Kosova e Lirë”. Në fillimin e punimeve në hapjen e kësaj rruge, mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, drejtori i urbanizimit, Avdi Morina dhe mbikëqyrësi i projektit, Ahmet Morina. Hapja e kësaj rruge ka rëndësi shumëdimensionale, e mbi të gjitha ka rëndësi historike, sepse nga këtu u dëgjua zëri i parë i lirisë dhe ne si institucion, e kemi obligim, që të ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme dhe të rregullojmë apo mirëmbajmë të gjitha rrugët e lirisë, të cilat lidhen ngushtë me luftën tonë çlirimtare”, tha mes tjera nënkryetari Krasniqi, me rastin e fillimit të punimeve në këtë rrugë, e të cilën e ka quajtur edhe si “rruga e zërit të lirisë së Kosovës”. Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Avdi Morina, ka bërë të ditur se në këtë fazë, do të bëhet hapja e rrugës, zgjerimi dhe krijimi i bazës së rrugës. Punëkryes është kompania “BURIMI-A”, pronari i cilës është zotuar se punimet do të realizohen sipas projektit dhe dinamikës së paraparë.

Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë, falënderon në përgjithësi komunën e Malishevës, veçmas stafin e saj, e cila prej mbarimit të luftës e deri tani për këto afër 25 vjet  qenë mbështetja kryesore e kësaj Radioje, për dallim nga komuna e Drenasit,  në territorin e së cilës është pikërisht” Maja e Pallanikut” ku në muajt prill-maj-qershor të vitit 1999, në bunkerin e fortifikuar,  ka transmetuar program Radioja e vetme e zërit të çlirimtarëve, e jehonës së armëve të Legjendarit Adem Jashari dhe përgjithësisht e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për hir  të informimit të drejtë dhe korrekt,  Drejtoria e Radios-Kosova e lirë sqaron se Bunkeri në Majën e Pallanikut, nuk është më  pronë e Radios, meqë na u ka refuzuar kërkesa nga Komuna e Drenasit, dhe Agjencia e Pyjeve të Kosovës, për dhënien në shfrytëzim, 10 ari vend gurinor,   sikur e kemi lejen e pronës në fshatin Berishë,  ku ndodhet Shtëpia Muze,  dhe nga ku transmeton programin e saj ditor Radio-Kosova e Lirë.

 Pavarësisht rrethanave, mosmarrëveshje, në disa raste edhe injorimeve të panjerëzishme, nga individë dhe zyrtarë të caktuar, na gëzon fakti se Komuna e Malishevës, lokaliteti  ku përherë të parë edhe u publikua nevoja e  themelimit të medieve të luftës,  qysh në qershor të vitit 1998 nga zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka qenë dhe po mbetet mbështetësja institucionale e vlerave të luftës, sepse ishte dhe mbeti bastion i saj, në të gjitha segmentet.

Drejtoria e Radios-Kosova e lirë, edhe njëherë uron e përgëzon drejtuesit e komunës së Malishevës për këtë ndërmarrje me rëndësi, në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të historisë sonë kombëtare.

(RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Burim Ramadani

Burim Ramadani, paralajmëron krizë të thellë institucionale dhe buxhetore në Kosovë

Kosova po përballet me një krizë të thellë institucionale dhe politike, paralajmëron eksperti i sigurisë, …