Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka zgjedhur 5 qershorin- ditën ndërkomtare të mjedisit për të përuruar fillimin e punimeve në kuadër të projektit “Bridging Regions” të Programit Ndërkufitar IPA II Kosovë – Maqedoni e Veriut, të financuar nga Komisioni Evropian e që për qëllim ka përmirësimin e mjedisit dhe cilësisë së jetës për qytetarët në rajonin kufitar.
Me këtë rast i pari i kësaj komune bëri me dije se sot ai ka vizituar punimet në ndërtimin e urës në fshatin Buzovik afër mullirit të vjetër si dhe punime në shtratin e lumit dhe ndërtimi i trotuarit përgjatë tij. “Me rastin e ditës ndërkombëtare të mjedisit që po shënohet sot në mbarë botën, kemi përuruar fillimin e këtyre punimeve që kanë një rëndësi të veçantë për komunën e Vitisë. Vitia është një komunë atraktive dhe e pasur me bukuritë natyrore dhe me realizimin e këtyre projekteve rrisim atraktivitetin, në veçanti në fushën e eko- turizmit”, u shpreh kryetari Haliti.