leoni

Fjala e publicistit, Kadri Rexha në përurimin e tri veprave historike të autorëve: Jashar Alia, Nysret Hajdari e Agim Sylejmani

Fjala e publicistit, Kadri Rexha në përurimin e tri veprave historike të autorëve: Jashar Alia, Nysret Hajdari e Agim Sylejmani

Fjala e veprimtarit e publicistit, Kadri Rexha në përurimin e tri veprave historike:“Syrigana”

“Kujtime të ndritura të kohëve të errëta” – vëllimi I dhe II  “Për një atdhe të lirë e të bashkuar”,

“Rexhep Malaj në shkresat interne të UDB-së të shkruara nga autorët Jashar Alia, Fitim Fitimi (Nysret Hajdari) dhe Agim Sylejmani, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe të burgosur politikë, veprimtari kjo nën organizimin e Pikës Obërsee – St. Gallen të Lëvizjes Vetëvendosje në Zvicër, mbajtur më 19.12.2021 në Jona/Rapperswil, Neuhofstrasse 9.

      Të nderuar organizatorë,

      Të nderuar autorë dhe ju pjesëmarrës të kësaj veprimtarie kulturore!

      Me këtë fjalë kushtuar librit “Syrigana” të autorint Jashar Alia, Tubimit përurues i dëshiroj punë të mbarë, atmosferë krijuese dhe frymë kombëtare!

      Në fillim të kësaj fjale të shkurtër vlen të theksohet se Jashar Alia, tashmë, për opinionin, është emër i njohur i radhëve të Lëvizjes sonë kombëtare. Veprimtar i devotshëm atdhetar, i dënuar me burg shumëvjeçar si anëtar aktiv i organizatave ilegale politike, aktivist i dalluar i organizimeve politike, kulturore dhe humanitare në Zvicër, veteran i luftës së UÇK-së , Jashar Alia, pas librit me kujtime me titull “Nga fëmijëria deri te liria”, botuar në vitin 2013, kësaj radhe vjen me monografinë “Syrigana”, botuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë, 2021.

      Objekt studimor i librit “Syrigana” është fshati Syriganë (dikur Sërmogërlla, Suhogërlla), një fshat kodrinor-malor rrëzë maleve të Moknës, pjesë përbërëse e trevës së Drenicës, i cili, i ndarë në dy pjesë nga Lumi Gujafç, u takon dy komunave, Burimit dhe Skënderajt, si dhe dy trevave të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit dhe Rrafshit të Kosovës. Sipas autorit, fshati Syriganë, si vendbanim i vjetër antik, iliro-dardan, është i lashtë mbi tetë mijë vjet dhe llogaritet ndër lokalitetet më të pasura arkeologjike të Kosovës. Mbështetur në dokumentet arkeologjike dhe historike të kohës, në gjurmët e ekzistimit të xeherores së plumbit dhe sermës (argjendit), të ujësjellësit, të kishave dhe të fortesave vërtetohet se Syrigana, si vend gjeostrategjik dhe gjeopolitik, dikur kishte statusin e qytetit, nahijes dhe selisë së trevës së Drenicës. Vend i ndodhur në kryqëzimin e dy rrugëve të rëndësishme, sipas autorit, Syrigana, seli e Drenicës, gjatë tërë historisë ka qenë arenë e luftërash dhe vatër e qëndresës së armatosur kundër pushtimit dhe synimit romak, bizantin, sllav, turk dhe gjatë dyqind viteve të fundit, deri në luftën fitimtare të UÇK-së, në luftë për liri dhe ekzistencë, edhe kundër gjenocidit dhe etnocidit të pushtuesit serb. Vëllimi i librit, struktura e lëndës dhe rezultatet e arritura dëshmojnë qartë se për hartimin e kësaj monografie autori ka bërë një punë kërkimore me përkushtim të madh. Mbështetur në një literaturë të zgjedhur shkencore të autorëve të huaj dhe të atyre shqiptarë, në materiale arkivore, në legjenda, në epikën historike popullore dhe në kujtime të individëve nga terreni, përmes një metodologjie objektive shkencore dhe krijuese, autori ia ka dalë ta rrumbullakojë bukur një vështrim panoramik, një tërësi rrëfimi dhe një lëndë të begatshme historike për fshatin Syriganë dhe më gjerë.

      Monografia “Syrigana” është e ngjeshur me lëndë të bollshme, ndërsa struktura metodologjike saj është realizuar me këtë përmbajtje të detajuar: parathënia, katër kapituj kryesor dhe literatura. Në kapitullin e parë (fq.11-42)) autori trajton shtrirjen gjeografike të fshatit, sipërfaqen, morfologjinë, mikrotoponimet, trashëgiminë arkeologjike, etj. Në kapitullin e dytë (fq.43-81)  trajtohet prejardhja e banorëve të Syriganës, lagjet e fshatit, gjenealogjia e familjeve, popullsia, shtimi dhe migrimet e popullsisë, ekonomia, pemëtaria, blegtoria dhe klima. Përmbajtjen e kapitullit të tretë (fq.83-154), për korrektësi, po e japim të plotë: Qyteti i Gurit – Sukagërë – Syriganë, Lashtësia e Syriganës, Syrigana vendbanim parahistorik, Syrigana trevë iliro-dardane, Syrigana gjatë sundimit romak, Syrigana gjatë sundimit bizantin, Rënia e Drenicës nën sundimin serb dhe shkatërrimi i Qytetit të Gurit, Prejardhja e toponimit Qyteti i Gurit, Rëndësia e Fortifikatës së Syriganës dhe lidhshmëria me fortifikatat tjera të Kllopotnikut (Drenicës), Syrigana gjatë pushtimit osman, Beteja e Kosovës (Dardanisë) 1389 dhe pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë betejë, Pagëzimi i Kllopotnikut me emrin Drenica, Qyteti Sukagërë para se të shpallet Nahije (Komunë), Syrigana nahije (komunë) e Sanxhakut Shkodrës, Ziameti i Suhogërllës (Syriganës), Antroponimia në Nahijen e Sukagërës – Suhogërllës, Rrënimi i fundit i qytetit dhe fortifikatës Sukagërë, Lufta austro – osmane (1683 – 1690), Dokumentet austriake për trevat e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, Kalimi masiv i shqiptarëve nga krishterimi në fenë islame, Regjioni i Drenicës pa seli administrative, Organizimi në bajraqe, Drenicasit kundër vendosjes së kazasë në Vërboc dhe djegia e godinës qeveritare (prill 1890 – janar 1891) Në kapitullin e katërt (fq.161-270) trajtohet Syrigana e viteve 60-ta – shek. XX, popullsia, numri i kryefamiljarëve dhe i anëtarëve në familjeve, lagjet e fshatit, arsimi, shkollat, shëndetësia, standardi, banimi, ekonomia, mjetet e punës, sporti, veglat muzikore, ritet dhe festat familjare, rezistenca ndaj pushtuesit, figurat e shquara të fshatit, fshati pas Luftës së Dytë Botërore, kontributi i syriganasve në ngjarjet e zhvilluara nga Demonstratat e vitit 1981 deri në luftën çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja, etj. Libri përfundon më shënimet për literaturën dhe me emrat e dëshmitarëve gojorë nga terreni.

      Monografia “Syrigana” e autorit Jashar Alia është një kontribut i çmuar me vlera njohëse dhe edukative ndaj si realizim i tërësishëm denjësisht e plotëson kuadrin studimor të zhvillimit historik të fshatrave dhe të qyteteve të atdheut tonë. Lënda e saj, e shkruar me dashuri dhe me përkushtim, me gjuhë të pastër dhe me fjali të rrjedhshme, është e afërt, e drejtpërdrejt dhe komunikuese me lexuesit e të gjitha moshave dhe të gjitha kategorive. Si histori qëndrese tetëmijë vjeçare e një vendbanimi, vepra në shqyrtim, është fare e natyrshme që te lexuesi të nxisë emocione dhe të ngjallë ndjenjën e krenarisë supreme. Libri meriton të lexohet me vëmendje dhe me seriozitetin që i takon sa për përmbajtjen po aq për porosinë dhe qortimin që ua drejton lexuesve dhe studiuesve të ditëve tona. Ngjarjet e historisë nuk guxojnë të harrohen, sepse harresa ka tagër të lartë: një popull që harron i përsëritet historia.

      Monografia “Syrigana”, ky monument qëndrese, me motiv atdhedashurinë, aq sa nderon vendlindjen e autorit, po aq nderon autorin e librit.

      Me këtë rast, autorit Jashar Alia i uroj shëndet dhe suksese të reja në lëmin e krijimtarisë, ndërsa librit monografik i uroj udhëtim të mbarë drejt lexuesit.

      Ju falem nderit!

Kadri Rexha

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …