Fjala e rastit e kryetarit Smajl Latifi në festat e Nëntorit 2021

Fjala e rastit e kryetarit Smajl Latifi në festat e Nëntorit

Të respektuar familjarë të dëshmorëve të kombit, invalidë e veteranë të luftës, veprimtarë të çështjes kombëtare, aktivistë shoqëror e politik, të nderuar nxënës e mësimdhënës, shokë e bashkëpunëtorë, ju lutem që në fillim të pranoni urimet e mia për festat e Nëntorit, festa që kanë domethënie të madhe historike për kombin tonë. Historia e njerëzimit është e mbushur me konflikte e luftëra të shumta dhe si rezultat i këtyre luftërave shumë popuj e kombe janë zhdukur nga harta historike. Shqiptarët janë ndër popujt më tragjik të Evropës. Pushtimet e gjata e të egra, e kanë tkurrur qenien tonë në një kënd të gadishullit Ilir. Lakmia e popujve fqinj ka qenë e pangopur, duke i shkaktuar plagë të rënda trungut tonë. Shqiptarët u bënë pre e lehtë e grabitqarëve ardhacakë, të cilët i shkëputën dhunshëm krahina të tëra, duke i larë me gjak trojet tona. Plagët tona ende kullojnë. Janë me fat kombet që mund të krenohen me heronjtë e tyre dhe një fat të tillë e kemi edhe ne me Gjergj Kastriotin. Lufta e Skënderbeut u bë frymëzim e nxitje për betejat që do të detyrohen të bëjnë shqiptarët. Pavarësisht dhunës e presionit të jashtëzakonshëm osman pesëqind vjeçar, fryma e lirisë që e kishte mbjellë kryeheroi ynë kombëtar në nëntor të vitit 1443, jetoi dhe u ujit me gjakun e shumë brezave. Në kohën kur popujt fqinj i kishin bërë marrëveshjet për copëtimin e tokave shqiptare, në nëntorin e dytë të shqiptarëve në vitin 1912, Ismail Qemali dhe atdhetarët tjerë, të vetëdijesuar në frymën e Rilindjes Kombëtare, e shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Fatkeqësisht, kjo pavarësi vazhdon të mbetet gjysmake, ngase dy të tretat e trojeve shqiptare u ndanë ndërmjet shteteve të Ballkanit dhe kjo ndarje u bë me zjarr e me hekur. Qindra e mijëra shqiptarë të pambrojtur; burra, gra, fëmijë u vranë e u gjymtuan pa mëshirë. Rajone të tëra shqiptare u shkretuan, ndërsa procesi i shkombëtarizimit të shqiptarëve të ndarë nga trungu amë, ishte i dhimbshëm. Prandaj, mund të thuhet se, kombi shqiptar “lindi” në nëntor. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë i pengoi monarkitë ballkanike që ta zhdukin kombin shqiptar nga harta politike e botës. Pjesët e mbetura nën pushtuesit sllav vuajtën shumë, por mbijetuan. Dhuna ka qenë e egër dhe ashpërsia e qeverive pushtuese i tejkalon përmasat e Holokaustit hebre. Edhe sot nuk e kemi numrin e saktë të të vrarëve e të të masakruarve ndër vite. Dëbimet masive, burgosjet dhe persekutimet sistematike, i kanë detyruar shumë shqiptarë ta mohojnë kombësinë apo të kërkojnë shpëtim në vende të ndryshme të botës. Megjithatë, rrënjët tona kombëtare, të ngulura thellë në tokë, i kanë dhënë pipa të rinj pranverës shqiptare. Shqiptarët e mbetur nën dhunën sllave e greke përjetuan tmerre të papërshkrueshme. Disa krahina u shkombëtarizuan tërësisht, ndërsa disa të tjera mezi mbijetuan. Dhunë të shfrenuar, përndjekje dhe mohim të gjuhës e të identitetit përjetuan shqiptarët për dekada me radhë. Lufta për liri e dinjitet njerëzor e kombëtar ka qenë e ashpër, ndërsa gjaku i derdhur u bë burim frymëzimi për qëndrestarët e shumtë. Nëpër odat e burrave janë kënduar këngë e janë treguar histori qëndrese që ju kanë shërbyer brezave për të qëndruar dhe luftuar për liri. Dhe në një ditë nëntori të vitit 1955 në Prekaz do të lindë një djalë, që do të bëhet burri i cili do ta ndryshojë historinë me luftën dhe qëndresën e pashembullt në botë. Adem Jashari dhe familja e tij do të bëhen frymëzim qëndrese e flijimi dhe kushtim lirie. Natyrshëm që lufta e Prekazit do të ndikojë në zhvillimet e mëpastajme, ndërsa dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pikërisht në nëntor të vitit 1997 do të jetë margaritari në kurorën e lavdisë tonë kombëtare. Jehona e ngjarjeve historike të nëntorit ka bërë që shumë atdhedashës të emërtojnë djemtë e tyre Nëntor. Lufta e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës dhe trojeve të pushtuara ka qenë e gjatë dhe e dhimbshme, prandaj edhe fitoret tona kanë shijuar ëmbël. Rëniet e luftëtarëve nëpër fushëbeteja e kanë bërë më madhështore luftën tonë. Kurorëzimi me fitore ka qenë përfundimi logjik i përpjekjeve të gjata e të vendosura të popullit shqiptar, ndonëse krahina të tëra shqiptare vazhdojnë të jenë nën regjime antishqiptare dhe jodemokratike. Përpjekjet shkombëtarizuese po vazhdojnë dhe qeveritë në Tiranë e Prishtinë duhet të fokusohen në forcimin e identitetit shqiptar në ato krahina. Njëkohësisht me këtë e kemi detyrim që të punojmë shumë për forcimin e shteteve shqiptare, sepse kjo është përgjigja më e mirë ndaj atyre që pretendojnë të rikthehen në vendet e krimeve. Forcimi ekonomik, politik e ushtarak do të shuante përfundimisht apetitet pushtuese të shteteve fqinje dhe në këtë mënyrë do të shtohej krenaria jonë kombëtare. Puna me nder dhe me përkushtim do ta bënte më të dashur këtë vend. Këtë vend që e kemi amanet nga të parët do ta ndërtojmë dhe forcojmë, duke ia dhënë emrin dhe pozitën që i takon në skenën e popujve të civilizuar.

Mund të jetë një imazh i 12 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …