AKB-ja vlerësohet me mirënjohjen më të lartë nga OEMVP në 20-vjetorin e themelimit të saj

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) është nderuar me mirënjohjen më të lartë nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë së Veriut (OEMVP), në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të themelimit të kësaj organizate.

Ky vlerësim i veçantë i është dhënë AKB-së për bashkëpunimin tradicional, të qëndrueshëm dhe të suksesshëm ndërmjet dy organizatave, që nga themelimi i OEMVP-së e deri më sot.

Me këtë rast, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka falënderuar drejtuesit e Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë së Veriut për këtë mirënjohje, duke theksuar se partneriteti ndërmjet organizatave ekonomike të rajonit është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit privat, rritjen e investimeve, avancimin e dialogut social dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit.

“Ky vlerësim është një nder për AKB-në dhe një dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët për fuqizimin e komunitetit të biznesit dhe zhvillimin ekonomik rajonal. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe partneriteti në interes të bizneseve dhe ekonomive tona”, ka deklaruar Shahini, i cili në emër të AKB-së ka uruar Organizatën e Punëdhënësve të Maqedonisë së Veriut për 20 vjet veprimtari të suksesshme dhe ka shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Sylë Ukshini: Kuvendi nuk duhet të mbahet peng nga provokimet e Listës Serbe

Ish-ambasadori Sylë Ukshini ka komentuar shtyrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas përplasjes …