Fondacioni Jahjaga, i udhëhequr nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, vazhdon të jetë një ndër zërat më të fuqishëm për fuqizimin e grave dhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më gjithëpërfshirëse në Kosovë. Sot, Fondacioni nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me GIZ-in në Kosovë, i përfaqësuar nga drejtori David Oberhuber, në prani të z. Oliver Janser, në kuadër të projektit EU4FAST, që ka për qëllim luftimin e kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit me qenie njerëzore.
Nga Fondacioni Jahjaga, memorandumin e nënshkroi drejtoresha ekzekutive, znj. Egzona Bexheti, e cila theksoi se ky bashkëpunim do të shërbejë si një mekanizëm i rëndësishëm për avancimin e agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Kosovë dhe rajon.
Ky partneritet synon zhvillimin e hulumtimeve të përbashkëta, hartimin e politikave, organizimin e konferencave rajonale dhe punëtorive që fuqizojnë gratë, rininë dhe shoqërinë civile. Njëkohësisht, marrëveshja pritet të kontribuojë në forcimin e institucioneve të sigurisë dhe në nxitjen e reformave gjithëpërfshirëse, duke e vendosur Kosovën në rrugën e paqes së qëndrueshme dhe të integrimit demokratik.
Nisma e sotme është edhe një dëshmi tjetër e angazhimit të vazhdueshëm të ish-presidentes Jahjaga dhe fondacionit të saj për ta bërë shoqërinë kosovare më të barabartë, më rezistente dhe më të gatshme për sfidat rajonale dhe globale.