Forca Ajrore Shqiptare është përfshirë me kapacitete të plota në stërvitjen ndërkombëtare “Defender Europe 25”, ku po luan një rol kyç në ndërtimin e një force shumëkombëshe të gatshme për të vepruar në mjedise të ndërlikuara operacionale. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se për herë të parë, në këtë nivel stërvitjeje, është përfshirë edhe detashmenti i mjeteve ajrore pa pilot, duke shtuar dimensionin e teknologjisë së avancuar në operacionet ushtarake. Nga kërkim-shpëtimi me helikopterët Cougar dhe Blackhawk të Bazës Ajrore në Farkë, deri te mbështetja e operacioneve tokësore dhe gatishmëria për evakuime mjekësore MEDEVAC dhe CASEVAC, Forca Ajrore po jep një kontribut të rëndësishëm në këtë stërvitje ndërkombëtare. Ministria nënvizoi se bashkëpunimi rajonal dhe koordinimi me institucione civile si Albcontrol, si dhe me partnerë ndërkombëtarë përfshirë Forcën e Sigurisë së Kosovës, forcojnë më tej sigurinë dhe gatishmërinë e përbashkët në rajon.
