KOMUNIKATË PËR OPINIONIN PUBLIK
Përkrahje për protestën në mbështetje të çlirimtarëve në Hagë
Forumi i Intelektualëve – Shtime shpreh përkrahje të fuqishme për protestën qytetare që po organizohet me 7 Gusht, në mbështetje të çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Ne jemi thellësisht të shqetësuar për trajtimin dhe procesin e zgjatur gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët përfaqësojnë një pjesë të lavdishme të historisë së popullit tonë dhe luftës për liri. Në vend të nderimit të sakrificës së tyre për çlirimin e vendit, ata po përballen me një drejtësi selektive që po injoron kontekstin e luftës çlirimtare dhe vuajtjet e shumta të popullit të Kosovës gjatë regjimit gjenocidal të Serbisë.
Forumi i Intelektualëve – Shtime u bën thirrje të gjitha institucioneve vendore e ndërkombëtare që të garantojnë një proces të drejtë, transparent dhe të pandikuar politikisht. Po ashtu, ftojmë qytetarët, organizatat dhe shoqërinë civile që të bashkohen në këtë protestë të drejtë dhe paqësore, për të ngritur zërin kundër padrejtësisë dhe në mbrojtje të vlerave të luftës sonë për liri.
Liria e Kosovës nuk ka qenë dhuratë – ajo është fituar me gjak, mund dhe sakrificë. Dhe sot, është obligim moral dhe historik të qëndrojmë pranë atyre që dhanë gjithçka për të.
Lavdi dëshmorëve!
Nderim çlirimtarëve!
Drejtësi për UÇK-në!