Mefail Shkodra, i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë që ndodhi të dielën në Gjilan, ka qenë subjekt i spekulimeve pasi disa fotografi të publikuara treguan të njëjtin person pranë presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Pas publikimit të këtyre imazheve, Presidenca e Kosovës reagoi duke mohuar njohjen nga afër të Shkodrës. Sipas Presidencës, fotografia është realizuar gjatë një aktiviteti festiv të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, ku Shkodra thuhej se ishte i ftuar. Megjithatë, Ambasada e Shqipërisë hodhi poshtë këtë version. Ambasada deklaroi se Mefail Shkodra nuk ka figuruar kurrë në listat e të ftuarve për asnjë aktivitet zyrtar të saj. “Në përgjigje të kërkesës suaj për informacion, ju njoftojmë se, bazuar në të dhënat zyrtare të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, personi në fjalë nuk rezulton i regjistruar në listat e të ftuarve për asnjë nga pritjet apo aktivitetet zyrtare të organizuara nga Përfaqësia jonë diplomatike,” thuhet në deklaratë. Ambasada shtoi gjithashtu se ndjek dhe monitoron me kujdes zhvillimet në vend dhe rikonfirmon se Shkodra nuk ka marrë pjesë në ndonjë aktivitet zyrtar të organizuar prej saj.