Brickos

Frank Shkreli

Frank Shkreli: Dokumente të agimit të lirisë, në vigjilje të 106-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare

Juve që kini për  fis trimërinë;

Që keni për mëmëdhe malet,

E shtëpi pyjet e lisit. –

s’e keni marrë vesh akoma,

që ai njeriu, që do të rroj i lirë,

s’pret ndihëm nga të huajt!?

Lipset vet të thyej hekurat e tija,

lipset me krah të tija, të rrëmbejë –Lirinë!!!

 

 (Nga “La Nazione Albanese”, 15 Korrik, 1909)

Në numrin e revistës mujore kulturore “Leka”*, numri 4, prill, i viti 1937 botohej “Memorandumi i Shqiptarvet që kanë Dalun Malevet”, dërguar Perandorisë Otomane.  Memorandumi që mban datën, “Në Shqipnie me 28 të Vjeshtës III, 1910) është një thirrje drejtuar jo vetëm Perandorisë Osmane, por edhe “Botës së qytetnueme të Evropës”, ku shprehen pakënaqësitë dhe padrejtësitë nga “Shqiptarët e Dalun Malevet” dhe në të cilin i paraqiten qeverisë otomane kërkesa specifike si dhe plotësimin  e tyre.  Ata shprehen se, “Me anën e ksaj, na Shqiptarët që gjindemi malevet, po paralajëmorjmë hyqymetin e sotshme të Perandorisë Ottomane si dhe gjithë botën e qytetnueme t’Evropës se i vetmi shkak që na jemi bamun firare edhe kemi dalë malevet ashtë Qeveria Ottomane vetë. Me të vërtetë, po të mos ishim bamu firare, kush na siguron se shumë prej nesh – në mos të gjithë –do të mos ishim varun,do të mos ishim burgosun, ose do të mos ishim bamun syrgjyn si shumë prej shokëve tonë, megjithqë nuk kemi  tjetër faj, përveç se Zoti na ka bamun Shqiptarë dhe na dëshirojmë që të aresohemi me anë të gjuhës  t’onë amtare dhe të vdesim Shqiptarë.”

Malësorët thonë në Memoradumin e tyre drejtuar Qeverisë Otomane dhe “botës së qytetënueme”– në një kohë kur Evropa i quante Shqiptarët njerëz të egjër barbarë e kundërshtarë të çdo përparimi, siç është shprehur At Gjergj Fishta në shkrimin Lot e Gjak — se ata nuk kanë dalë maleve për të rrëmbyer ose për të vrarë ndonjë njeri. “Përkundrazi”, theksojnë ata, “Kemi dalë për një qellim të shënjtë për me i kallzue botës se nuk jemi të kënaqun me Qeverinë e sotshme të Perandorisë Ottomane, për me protestue mbe botën e qytetnueme për të gjitha pa drejtësitë që ashtë tue bamë sot kjo Qeveri kundër Kombit Shqiptar dhe për me luftue deri me nji, derisa Qeveria turke të bindet dhe të mbushë kërkimet t’ona.”

Në “Memorandumin e Shqiptarvet që Kanë Dalun Malevet”, të vitit 1910, bëhën tri kërkesa kryesore, pa të cilat ata thonë se, “Nuk munt të rrojmë”, e të cilat kanë të bëjnë me lirinë në përgjithësi, ndërsa kërkesat e tjera, sipas tyre, kanë të bëjnë me, “Qetësinë dhe Përparimin e vendit”.  Ata paraqesin këto tri kërkesa kryesore në memorandumin e tyre:

1)“Një falje të përgjithshme për të gjithë vëllaznit tonë Shqiptarë, qofshin ata

Musylmanë, qofshin Kristianë, të dënuem për politikë.

2)Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët, Musylmanë edhe Kristianë që të aresohen me anën e gjuhës amtare, me shkronjat tona kombtare.

3)Liri të plotë që të hapen të gjitha shkollat shqip të mbylluna prej Qeverisë; liri të plotë për të dalë  të gjitha gazetat shqip të ndalume nga Qeveria dhe të hapunit e Shtypshkronjës Shqip që ka mbyllun Qeveria.”

Këto ishin tri kërkesat bazë të Memorandumit të malësorve kryengritës të “dalur maleve”, por ata njëherazi  ngulnin këmbë që qeveria otomane — për hir të qetësisë dhe përparimit të vendit të tyre – të plotësonte edhe një numër kërkesash të tjera. Kërkon që mësuesit të mos jenë turq, por shqiptarë, pasi “ata dijnë gjuhën shqipe dhe zakonet e vendit”, dhe që qeveria të jepte, “Urdhër zyrtarisht që gjuha shqip të mësohet nepër të gjitha shkollat që gjënden në Shqipni, jo me shkronjat arabisht, por me shkronjat tona kombëtare.”

Duke paraqitur këto kërkesa, natyrisht, se pas pas 500-vjet robërimi otoman, ata kishin si shqetësim kryesor ruajtjen e identitetit kombëtar, të gjuhës e të kulturës shqiptare, por ishin të shqetësuar edhe për mirëqenjen e popullit në përgjithësi dhe konsideronin si të rëndësishëm edhe zhvillimin ekonomik  dhe bujqësor të vendit.  I kërkonin qeverisë otomane, “Të hapi Shkolla bujqësie, tregtare dhe normale në tre ose katër qytete të mëdha të Shqipënisë dhe që të gjitha shkrimet të jenë shqip me shkronjat tona kombëtare.”  Në memorandumin e tyre ata nuk shpreheshin kundër pagesës së taksave, por vendosmërisht kërkonin që ato, “të holla të përdoren për me bamun xhade dhe udhë të hekurta në Shqipni.”

Këto ishin mjaft kërkesa të avancuara për atë kohë, nga një popull i shtypur për 500-vjet. Kërkonin që qeveria otomane, “Të hapi banka bujqësie, të cilat t‘u japin Shqiptarëve të holla për me blemun vegla dhe maqina për me punuem vendin e tyne dhe kështu të mundin të fitojnë për të rrojtur…”

Madje, i bënin thirrje qeverisë otomane që “të lejojë kapitalin e huaj  të hyjë në Shqipëni, për tregti  e për bujqësi…por që këto kapitale të mos kenë prapa tyne ndonji propagandë të huaj…”

Përveç këtyre kërkesave, Memorandumi përmbante edhe një paralajmërim të fortë për qeverinë otomane dhe për botën tjetër nëqoftse këto kërkesa nuk do të plotësoheshin: “Le t’a dijë mirë e tanë bota e qytetnume dhe veçanërisht Qeveria e Perandorisë Ottomane, se të gjithë Shqiptarët, Toskë e Gegë, nuk do të pushojnë së luftuari për këto tri kërkime, që thamë më sipër…” dhe se , “Të gjithë me anën e kësaj, po e lajmërojmë hyqymetin e Turqisë se e morëm ftesën që na dërgoi, me anë të cilës na jepte haberin se na falë fajin që kemi bamun.?! dhe na këshillon që të zbresim nga malet dhe të kthehemi nëpër shtëpiat tona.”

“Memorandumi i Shqiptarvet që kanë Dalun Malevet”, dërguar Perandorisë Otomane, e që mban datën, “Në Shqipnie me 28 të Vjeshtës III, 1910), vendosmërisht i përgjigjet qeverisë otomane duke i thënë se, “Fjala e jonë e fundit për Qeverinë Ottomane ashtë se nuk kemi bamun ndonji faj dhe nuk do të këthehemi të gjallë në katundet tona derisa kërkimet që numëruam në këtë shkresë do të mos mbushen dhe gjersa të mos marrim siguri të plotë se kurrë ndonjë herë tjetër do të mos shkelen” më, këto liri e të drejta.

 

*(Burimi: Revista e përmuajshme “Leka”, botim i klerit katolik shqiptar dhe organ i shoqatës LEKA, i themeluar më 9 dhjetor 1928 në Shkodër, shërbente si një revistë mujore kulturore, politike, filozofike, shoqërore, historike, letrare, pedagogjike e folklorike. Numri i parë doli në qarkullim, në prill të vitit 1929. Në vitin 1941, botimi i saj u ndërpre përkohësisht, ndërsa në vitin 1942 doli një botim i veçantë me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. “Leka” do të botohej deri në vitin 1944.

Marrë nga “Kryengritja e Ded Gjo’Lulit”, Ernest Koliqi, Romë, 1971

Frank Shkreli: Dokumente të agimit të lirisë, në vigjilje të 106-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …