Ndonëse kisha dëgjuar për Hafiz Ali Krajën – si një personalitet i madh i Fesë Islame në Shqipëri dhe njëri prej të dalluarve të Kombit shqiptar të shekullit të kakuar – nuk dija shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij. Si përfundim fillova të lexoj ndonjë gjë më shumë nga jeta e tij dhe sa më shumë lexoja aq më i interesuar bëhesha për të kaluarën e tij. Duke lexuar për Hafiz Ali Krajën – një bashkvendas i imi nga Kraja, afër vendlindjes time – mësova se, ashtu si shumë bashkohas të tij, ai jetoi dhe veproi në tallazet më të vështira të historisë kombëtare të shqiptarëve, të shekullit të kaluar. Sa më shumë të lexojë njeriu për Hafiz Ali Krajën — hoxhë, publicist dhe atdhetar i mirënjohur, opozitar i Zogut, i italianëve dhe i persekutuar deri në ditët e fundit të jetë së tij nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës — aq më i bindur bëhesh se ai i përkiste një brezi atdhetarësh më të spikatur, por që, fatkeqësisht, nuk janë më. I përkiste atij brezi që mbi të gjitha — ndonëse jetuan në kohëra shumë më të vështira se sot, qoftë rrethanat politike të diktaturës komuniste ashtu edhe ekonomike — ata ishin mbrojtës të patundur të idealeve dhe të interesave kombëtare të shqiptarëve, pa dallim feje a krahine. Hafiz Ali Kraja ishte një personalitet i cili gjatë gjithë jetës promovoi ideale dhe vlerat e përbashkëta, të të gjithë shqiptarëve, pa dallim. Për fat të keq, si shumë të tjerë patriotë si ai, të asaj kohe, edhe Hafiz Ali Kraja ishte i ndjekur e i përbuzur nga disa regjime, qoftë nga Zogu, qoftë nga fashizmi, qoftë nga komunizmi. Duke lexuar për jetën e Hafiz Ali Krajës, nuk mund të mos bëjmë pyetjen se si do ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e atdhetarëve dhe pro-perëndimorëve, patriotë si Hafiz Ali Kraja? Është vështirë të merret me mend se si një brez patriotësh — ajka e Kombit mund të themi e shekullit të kaluar, e deri në ditët e sotëme — pjesë e të cilës ishte, pa dyshim, edhe Hafiz Ali Kraja — e humbi luftën me një ideologji sllavo-aziatike që shkatërroi çdo vlerë të shenjtë fetare e kombëtare ndër shqiptarët, vlera që mbroheshin deri atëherë nga Haziz Ali Kraja dhe bashk-kombasit e tij, si At Gjergj Fishta, në kohën që jetuan dhe dhe vepruan ata.
35 vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit shpresonim, më kot — se përballë ideve sllavo-aziatike komuniste të pas Luftës së II Botërore – shtypja dhe lufta komuniste kundër vlerave fetare e patriotike të këtyre burrave, si hafiz Ali Kraja, do kishte qenë e përkohëshme, megjithse komunizmi zgjati për pothuaj 50-vjet.
E kam thenë edhe herë të tjera, por po e përsëris se pa një bazë udhëheqjeje shpirtërore, morale dhe ideore të këtyre shembujve patriotësh të vërtetë shqiptarë, si Hafiz Ali Kraja, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica e shumë të tjerë si ata — por të harruar e të përjashtuar nga historia – do të jetë vështirë të ndërtohet një Shqipëri dhe një Kosovë tjetër dhe ndryshe nga ç’kemi sot – një Shqipëri dhe Kosovë të dijes dhe të përparimit, me qëllim që shqiptarët si ndër kombet më të vkjetra të kontinentit evropian dhe botës, të zenë vendin e vet aty ku u takon, në rendin e kombeve të përparuara të shekullit XXI.
Në këtë ditë të Festës së Bajramit, urojmë që idetë, mendimet dhe ideologjia patriotike e fetarëve të mëdhej të shekullit të kaluar ndër shqiptarët, si Hafiz Ali Kraja dhe At Gjergj Fishta, ndër shumë të tjerë, të rikthehen përsëri ndër shqipptarët, në dobi të Atdheut dhe të Kombit.
Frank Shkreli
PS — Për ata që dëshirojnë të dinë më shumë për Hafiz Ali Krajën, për jetën, veprat dhe atdhetarizmin e tij dhe për kontributin fetar me rastin e Festës së Bajramit, ju sugjeroj që të lexoni një shkrim të hollësishëm dhe shumë interesant, kushtuar njërit prej personaliteteve më të shquara të fesë islame në Shqipëri dhe më gjërë, Hoxhës Hafiz Ali Kraja, (1900-1973). Artikulli është shkruar nga studiuesja Ardita Repishti Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)1944÷1991.