Frank Shkreli: Në Paris u vra liria e shtypit


 Të mërkurën në Paris të Francës, terroristë të maskuar sulmuan kryeqëndrën e revistës satirike Charlie Hebdo  duke vrarë 12 veta të pafajshëm, 10 gazetarë dhe dy policë dhe kanë plagosur disa të tjerë.  Ndër gazetarët e vrarë përfshishej redaktori Stephane Charbonnier dhe satiristët e njohur Georges Wolinski, jean Cabut dhe Bernard Verlhac.


 Sido që ta shikosh, ky ishte një akt barbar që shkaktoi një tragjedi njerzore, por në thelb ishte një akt terrorist i shëmtuar kundër lirisë dhe demokracisë. Sulmi në Paris kundër gazetës satirike dhe gazetarve të saj ishte mbi të gjitha, sipas gazetës The Financial Times, “Një akt i bërë me qëllim për të frikësuar shtypin, ishte një sulm kundër lirisë së fjalës, që është shtylla e çdo shoqërie demokratike.”


Sulmi barbar  kundër gazetës satirike Charlie Hebdo në Paris shokoi botën dhe reagimet ndërkombëtare ishin të shpejta dhe të vendosura nga presidentë e kryeministra, nga organizata private dhe ndërkombëtare, mbështetse të fjalës së lirë dhe të lirisë së shytpit.  Presidenti Francez, Francois Hollande e cilësoi sulmin si një akt barbarizmi të veçant kundër medias dhe shtoi se, “Asnjë sulm barbar nuk do të vrasë kurrë lirinë e shtypit”.  Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i organizatës franceze, “Reporters Sans Frontières” (Korrespondentët pa Kufij”), e cila merret me promovimin dhe mbështjetjen e lirisë së informacionit dhe të lirisë së shtypit kudo në botë, Z. Christophe Deloire, i shokuar nga sulmi në Paris, u shpreh se “Sulmet me armë kundër zyrave të gazetave ndodhin në Irak, në Somali dhe në Pakistan”.  A mund ta kishim parashikuar një sulm të tillë kaq të tmershëm në Paris, bëri pyetje ai.  Drejtori i Organizatës “Reporters Sans Frontières”, që me vite ka mbrojtur lirinë e medias anë e mbanë botës, u shpreh se sulmi ishte një “Ëndërrë e tmershme që u bë realitet. Ky sulm terrorist”, shtoi ai, “shënon një ditë të zezë në historinë e Francës.”   Christophe Deloire deklaroi gjithashtu se, “Nuk mund të ketë një sulm më të tmershëm kundër lirisë së medias dhe lirive në përgjithësi, se sa sulmi me armë  kundër një enti gazetaresk, duke vrarë gazetarët.  Ne do të vazhdojmë të luftojmë për liri dhe tolerance, përball këtij barbarizmi. Do ta bëjmë këtë në kujtim të gazetarëve që u vranë në Paris si dhe për të gjithë ata që kanë dhënë jetën në mbrojtje të vlerave themelore të lirisë së fjalës dhe të informacionit”, përfundoi deklaratën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, “Reporters Sans Frontières”.


 Reagimet ishin të shpejta edhe nga udhëheqsit më të lartë botërorë të cilët u shprehën të shokuar nga sulmi në Paris. Ata ofruan ngushëllimet e tyre familjeve të viktimave dhe mbarë popullit francez dhe njëkohësisht dënuan ashpër sulmin e të mërkurës, në zemër të Europës.  Ndër të parët që reagoi ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i cili dënoi ashpër vrasjet barbare të gazetarve francezë dhe i ofroi qeverisë franceze të gjitha ndihmat e nevojshme të vendit të tij, në këtë moment të vështir për Francën, duke thënë se “Franca është ndër aleatët më të vjetër të Amerikës dhe se ajo ka qëndruar krah për krah me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrroristëve, të cilët kërcënojnë sigurimin tonë dhe botën.” Pas një takimi me Zëvëndës Presidentin Joe Biden dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry për të biseduar mbi situatën e krijuar në Francë, Presidenti amerikan e cilësoi gjithashtu aktin barbar në Paris si një sulm kundër lirisë së të shprehurit dhe lirisë së shtypit në përgjithësi. “Fakti se ky sulm u bë kundër gazetarve, kundër lirisë tonë të medias, nënvijon gjithashtu frikën që këta terroristë kanë  nga liria e fjalës dhe nga liria e shtypit”.   Në deklaratën e tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara shtoi se, “Por, gjëja për të cilën jam tepër i sigurt, është fakti se unë jam i bindur se vlerat të cilat ne i ndajmë me popullin francez, besimin – një besim universal në lirinë e fjalës – është diçka që nuk mund të shuhet nga dhuna e pakuptimtë që ushtrojnë disa.”


 Reagimi ndaj barbarizmit kundër gazetarve francezë në Paris ishte i shpejt edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, i cili duke shprehur indinjatën e tij të thellë, dënoi sulmin duke thënë se, “Ky akt i tmershëm barbar ka për qëllim të ndajë e të pëçajë dhe si rrejdhim ne nuk guxojmë të biem në atë kurthë. Ky është një moment për të treguar solidaritet në mbarë botën, duke qëndruar të fortë në mbështetje të lirisë së fjalës dhe tolerancës dhe kundër forcave përçarëse dhe atyre të urrejtjes”, u shpreh Ban ki Moon.    Ndërsa Papa Françesku e dënoi ashpër atë atë që ndodhi në Francë duke e cilësuar si një “sulm i tmershëm”, i cili tmeroi jo vetëm Parisin dhe Francën por shqetësoi dhe habiti të gjithë njerzit vullnet mirë dhe të gjithë ata që dëshirojnë paqën. Udhëheqsi i Kishës Katolike u bëri thirrje të gjithëve, “Që të kundërshtojnë me çdo mjet që kanë në dispozicion përhapjen e urrejtjes si dhe të gjithë format e ushtrimit të dhunës fizike dhe morale, të cilat shkatërrojnë jetën njerëzore dhe shkelin dinjitetin e njerëzve, dhe që nga ana tjetër, minojnë në mënyrën më radikale të mirën themelore të bashkjetesës midis individëve dhe njerëzve pa  marrë parasyshë dallimet kombëtare, fetare ose kulturore.”  Cilado qoftë arsyeja për atë sulm, dhuna që përfundon në humbje jete njerzish duhet të dënohet dhe nuk mund të justifikohet kurrë, është shprehur Papa Françesku. Ndërsa Organizata për Sigurim dhe Bashkunim në Europë në një komunikatë që lëshoi me këtë rast thotë se, “Në një shoqëri demokratike është e nevojshme të pranojmë që të shokohemi, të zemërohemi, madje edhe të ofendohemi. Por përdorimi i dhunës, kundër atyre që kanë një mendim ndryshe, është i papranueshëm”, dhe u bën thirrje qeverive të ndryshme që të “marrin të gjitha masat që është e mundur për të luftuar presionet, frikësimet dhe dhunën, përdorimi i të cilave ka për qëllim ndalimin shfaqjes dhe të përhapjes së opinioneve dhe ideve të ndryshme.”


 Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në një deklaratë në lidhje me sulmin në Paris tha se Franca, si asnjë vend tjetër e di se liria ka një çmim, sepse ishte ajo vet që e lindi demokracinë. Franca, shtoi ai, ishte nxiti aq shumë revolucione të shpirtit njerëzor, të lindura nga liria dhe nga fjala e lirë dhe kjo është ekzaktërisht ajo nga e cila kanë frikë ekstremistët, nënvijoi kryediplomati amerikan.   John Kerry u bëri thirrje francezëve që të mos demoralizohen nga këto kërcënime duke thënë se, “Liria e fjalës dhe liria e shtypit janë vlerat themelore. Ato janë vlera universale. Janë parime që mund të sulmohen por kurrë nuk mund të zhduken, sepse njerëz të ndershëm dhe të guximshëm anë e mbanë botës, nuk do të dorëzohen kurrë para frikësimeve dhe terrorit të atyre që përdorin mënyra të tilla me qëllim për të zhdukur ato vlera universale.”


 President Barack Obama në takim me Zëvëndës Presidentin Biden dhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit John Kerry në Shtëpinë e Bardhë pas sulmit terrorist në Paris, Jan. 7, 2015. (Official White House Photo by Amanda Lucidon)


Mbarë bota po e konsideron sulmin në zyrat e gazetës satirike Charlie Hebdo Paris që mori jetën e 12 vetave të pafajshëm, pikëspari si një humbje dhe tragjedi njerëzore, por edhe si një sulm të përgjakshëm kundër lirisë së të shprehurit dhe lirisë së shtypit në përgjithësi dhe jo vetëm në Francë. Sulmi që shkaktoi vrasjen e 12 vetave të pafajshëm, po shikohet dhe komentohet njëkohsisht edhe si një përpjekje për t’i mbyllur gojën jo vetëm medias së lirë franceze dhe asaj europiane, por edhe më gjërë.  Media të ndryshme dhe përfaqsues të medias së lirë dhe të pavarur në Francë dhe anë e mbanë botës, thonë se janë të vendosur që të mos frikësohen dhe të mos adaptojnë vet-censurimin, si rrjedhim i masakrës së gazetarve në Paris.  Për ndryshe, siç thotë edhe gazeta e famshme Financial Times në një koment të saj në lidhje me masakrën e Parisit, shtypi i lirë nuk ka kurrfarë vlere, nëqoftse praktikuesit e shtypit, dmth gazetarët, nuk e ndjejnë veten të lirë të flasin dhe të shkruajnë lirisht.


 


 


Frank Shkreli: Në 74-vjetorin e ndarjes nga jeta të At Gjergj Fishtës


 


Më 30 dhjetor të vitit 1940 ndërroi jetë At Gjergj Fishta, poeti kombëtar, diplomati i kombit që mbrojti të drejtat e shqiptarëve kudo që shkoi, me një zë dhe me një penë të pashoqe, që pasuroi letërsinë dhe historinë kombëtare të shqiptarëve, të atij kombi siç ka thënë ai vet, “I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrënjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.”  Kombi shqiptar është sot zot i tokave të veta, jo shumë pak falë veprimtarisë së këtij vigani dhe dashurisë së tij për kombin e vet.


Unë nuk e kisha në mend ta shënoja këtë përvjetor me ndonjë kujtim modest, pasi unë në të vërtetë nuk kam përgatitjen dhe as nuk e ndjejë veten të denjë dhe as të aftë që të shkruaj për këtë kolos të kombit shqiptar, dhe për më tepër edhe sepse para disa javësh e kisha kujtuar At Gjergj Fishtën me një shkrim në lidhje me lajmin mbi përpjekjet e një bisnizmeni nga Kosova, Sabri Maxhunit dhe disa të tjerëve, të cilët kishin propozuar se do të merrnin mbi vete shpenzimet për restaurimin në shkatërrim e sipër të shtëpisë së At Gjergj Fishtës. Siç duket, ky propozim ka ndeshur në një mos reagim “as po as jo”, ose në një zvarritje burokrate nga autoritetet përkatëse, ose ndoshta në një mos vullnet nga autoritetet e qëndrës dhe ato vendase për të marrë seriozisht propozimin e biznismenit nga Kosova. Ndërkohë që sot lexova në një media shqiptare një lajm të shkurtër se Vatikani më 30 dhjetor paska shënuar përvjetorin e 74 të vdekjes së At Gjergj Fishtës.  Thashë me vete, po mirë që Vatikani e kujton këtë përvjetor, po kombi shqiptar, për të cilin Gjergj Fishta i deklaroi Konferencës së Paqës se kombi shqiptar “nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit”, çfarë nami ose kujtese po i bën ai këtij këngëtari të kombit në këtë përvjetor, ose në përgjithësi.


Duke menduar me vete, më ra në mend një kryeartikull i Profesor Ernest Koliqit, botuar në revistën e tij Shëjzat e viti 1971, nr.1-3, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës dhe thashë me vete, në vend që të mos thuhet asgjë për të kujtuar këtë pëvjetor të largimit të At Fishtës nga kjo jetë nga të gjallët, atëherë thashë se është më mirë që të lëmë të vdekurit të flasin për të vdekurit, pasi të gjallët nuk çajnë kokën. Si rrjedhim, dhe në mungesë të një shkrimi tjetër në median e gjallë shqiptare i dashur lexues, nëqoftse je i disponuar për të kujtuar At Gjergj Fishtën në këtë 74 vjetor të vdekjes se tij, mundoju pak të lexosh artikullin e Profesor Ernest Koliqit me titull thjeshtë, “Fishta”:


“Besoj se pak poetë në botë pësuen fatin e paradoksal të Gjergj Fishtës. Za i pashoq i mbarë një kombi, interpret gjenial i shpirtit të tij, i mohohet vepra dhe i shlyhet emni nga letërsia, shi prej atij kombi të cilit ia qiti në pah fisnikinë e ia skaliti në vargje të pavdekshme tiparet. Dihet që ky përdhunim historik u krye zyrtarisht, në emën të kombit, nga nji pakicë që shkruen e resitë, vendosë e leçitë pa lejue shumicën me çelë gojë aty ku shtrinë sundimin e vet.  Këtë e dijmë, por prap se prap kjo përndjekje morale kundër Kangatarit që ndëgjoi të rrahmet e zemrës së Shqipnisë edhe mati mbi to rrokjet kumbore të poemit të vet, na shtje në kujdes të madh na shqetson kur mendojmë rritjen e breznive të reja dhe na terratisë pamjen e një ardhmënije të denjë për Rilindasit që na dhuruan një atdhe. Sepse mos ta gënjejmë veten me retorikë mburrjesh të shprazta. Në ashtë se themelet e një Shqipnie shqiptare mbështeten mbi trashigiminë shpirtërore që na la De Rada, tre vëllaznit Frashëri, Vaso Pasha e Çajupi, duhet të pohojmë se sot jemi tue ndërtue (ose kujtojmë se diç po ndërtojmë) jashtë atyne themeleve. Eklipsi ose të zanunit e dritës së poezisë fishtjane nuk sjell tjetër veçse muzgun e vlerave fisnore (e këtu fjala fis nuk përdoret në vështrim organizimiesh shoqënore primitive, por si tanësi e nji gjindjeje të nji barku që përbajnë nji komb, nji nacion).  Vorrëmihsat e lavdisë së Fishtës ndoshta pa dashtë shkaktojnë zhguljen e popullit shqiptar nga rrajët jetike. Duen të vorrosin Shqipninë e përtrime mbi humus shekulluer të dokeve stërgjyshore për ta zevendsue me nji Shqipni të ndërtueme (mjerisht me shumë flijime të pa arsye) hallagrep e merremerr, mbi parime që s’kanë të bajnë kurrkund me qytetni të vërtetë evropiane – e vetmja që i përshtatet vetive tona ethnike.  Synimet e Skënderbeut dhe të Rilindasvet po shkelen. E vërteton ostracizmi i Fishtës nga radhët e poetënve kombëtarë.  Poeti i pa fat i ynë. I cili nuk bani gja tjetëtër gjatë stinës së vet njerzore veç me i ndiell Shqinisë fate të lume, lindi me 1871. Na, në botë të lirë ku nuk pengohet me mjete të dhunëshme kulti i shqiptarizmit të njimendtë, e kemi për detyrë pëkujtimin e autorit të Lahutës së Malcisë. Mirë se qofshin t’ardhuna kremtimet e çdo lloji, por mos të lehet mbas dore mënyra e denjë  për të nderue Poetin, që bani  të nderueshëm gjakun shqiptar. Ajo mënyrë nuk ashtë tjetër veçse leximi i veprave të tij ku vlojnë idhnimet dhe gëzimet tona historike, ku vizatohet me vija vezullore tipi i amshuem i Shqiptarit, ku tregohet rruga që duhet ndjekun për t’u radhitë ndershmënisht përbrij kombeve të përparueme”, kishte përfunduar kryeartikullin e tij Profesor Ernest Koliqi më   me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Poetit kombëtar, më 1971.


Siç thashë edhe më lartë, unë nuk e ndjejë veten të kualifikuar, pasi nuk kam  përgatitjen të shkruaj për At Gjergj Fishtën, por nuk jam as i denjë që të kujtoj këtë burr të madh të kombit shqiptar. Por, si njeri i thjeshtë me shqetson lënja pas dore e këtij patrioti dhe e veprës së tij nga autoritetet kompetente dhe përgjegjëse.  Por nga ana tjetër, megjith shpifjet dhe lënjën pas dore të figurës dhe veprës së madhe të At Gjergj Fishtës nga bashkatdhetarët e tij gjatë dekadave, gjithnjë jam optimist me Aleksandër Xhuvanin i cili me rastin e varrimit të Gjergj Fishtës më 31 dhjetor, 1940, sikurë ta dinte se si do të trajtohej ai pas vdekjes, At Fishta — Xhuvani është shprehur se historia nuk do ta harrojë atë, duke deklaruar para arkivolit të Fishtës se, “Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri himne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.”


Le të shpresojmë se kjo ditë për të cilën ka folur Aleksandër Xhuvani më 1940 do të vijë eventualisht kur në të gjitha trojet shqiptare, vepra dhe kontributi i figurës së madhe kombëtare At Gjergj Fishtës, do të vendoset aty ku e ka vendin dhe emri i tij do të kujtohet brez pas brezi ndër shqiptarët kudo.

Kontrolloni gjithashtu

RrGK: Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zë ri i grave dhe vajzave

Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot …