Për herën e 51-të me radhë ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke thelluar edhe më tej krizën institucionale që po zgjat prej javësh. Seanca e së mërkurës është ndërprerë pa arritur në fazën e votimit, pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu, ndërhyri duke kërkuar fjalën dhe nuk e lejoi kryesuesin Avni Dehari të vazhdojë punimet pa iu ndezur mikrofoni. Në mungesë të kushteve për vazhdim, Dehari deklaroi ndërprerjen e seancës. “Asnjëra palë nuk po heq dorë nga qëndrimet e veta lidhur me mënyrën e votimit të kryetarit të Kuvendit”, raportohet nga Kuvendi, ku bllokada politike vijon pa zgjidhje konkrete. Seanca e radhës është caktuar për të premten, në orën 11:00, ndërkohë që afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit po shkon drejt fundit, duke rritur presionin nga opinioni publik dhe partnerët ndërkombëtarë për tejkalimin e krizës.
