leoni

Genc Sefa – Lushnja: “Zëri i gjakut dhe burgut”

HYSEN UKË KOMONI – PUSHKA E LIRISË

Në Dardani u lind një djalë pranvere,

më 15 mars, i thonë: “Mirseardhe!”.

U gëzua shtëpia, u gëzua dhe nana,

u gëzua baba Uka, u gëzuan motrat tana.

 

E rriti nënë Nekibja si princ me kurorë,

shok i librave, në zemër Arbëror.

Në Loxhë mësoi shkronjat e para,

me hap të butë, me shpirt burrëror.

 

Por erdhi një kohë me plumba e terr,

me tanke serbi, me gjak nëpër ferr.

Librat i la, pushkën në krah e hodhi,

me shokët e UÇK-së rrugën e lirisë mori.

 

Udhës për Shqipëri, pa këpucë në këmbë,

armë solli Hyseni – syri kurrë s’u trembë.

“Për Kosovën jam gjallë, s’e kursej vetën,

për bashkimin kombëtar sot e fali jetën!”.

 

Në Logjë kur krisi pushka e parë,

në vijën e frontit trim mbi male doli.

Me zemër prej shqipe, me gjoks prej guri,

kundërshtoi serbin me forcën e burrit.

 

Më njëzetedy korrik, në priten e zezë,

Brezhniku i Pejës në flakë u ndez.

Shkoi Hyseni me luftëtarë të rinj,

në Shqipëri për armë, që të shporr serbinë.

 

Plumbat i erdhën, zemra i pushon,

po gjaku i tij në Kosovë gjëmon.

Në Çyshk e varrosën shokët e trimërisë,

në Dardani i ngritën përmendore lirisë.

 

Sot këndon populli, sot thërret historia:

“Hysen Ukë Komoni – Nderi e Lavdia.”

Bir i Nekibes, bir i Ukës, bir i Dardanisë,

shqipe që bën roje mbi trojet e Shqipërisë.

 

 

LAHUTA QË NUK HESHTI

 

Në male të largëta, ku erërat fërfëllojnë,

lahuta e vjetër këngën e çon;

rrufe mbi kreshta, flakë mbi gurë,

historia rrjedh nga zemra te çdo burrë.

 

Kur nata bie mbi fushë t’gjakosur,

tingujt e lahutës ndezin shpirtrat e humbur;

ngrihen kreshnikët prej varrezash të harruara,

zëri i tyre shkund pluhurin e kohëve

të shkuara.

 

Flaka në male është betim që s’shuhet,

zemra e lirë në këngë përjetë ruhet;

lahuta shpërndan kujtimin dhe gjakun,

rrëfen sakrificën që në popull s’shterron.

 

Kur dielli zbret mbi male të qeta,

ajo pushon veç sa pret hënën e re;

por nata tjetër ajo zgjohet përsëri,

këndon për trimat që hynë në histori.

 

— ZËRI I NËNËS NË KUFI

 

Në mesnatë një zë kalon malet,

i butë si shiu, i fortë si gur;

nëna thërret djalin që lufton,

shpirti i saj kufijtë i sfidon.

 

Çdo fjalë e saj – një lutje e dlirë,

çdo frymë e saj mbart shpresë e bekim;

telat s’e ndalin, as hekurat nuk e lidhin,

zëri i nënës fluturon mbi trishtim.

 

Ajo rri në dritare, shikon errësirën,

pret dritën që shpon tokën e zënë;

shpirti i saj – flamur i pashuar,

ngulitur në zemrën e brezit që vjen.

 

Kur biri kthehet nga beteja,

ajo i jep duar të ngrohta dhe lot;

çdo rrudhë e saj flet dhe thotë:

“Liria kërkon flijim, flijimi barot!”

 

Në kufi, nata dhe heshtja janë të sajat,

por zëri i nënës nuk shuhet kurrë;

ai valon si erë mbi male e fusha,

bekon emrat e atyre që ranë për flamur.

 

 

ERA MBI GURËT E KUJTESËS

 

Era shkund gurët e tharë të varreve,

çdo gur mban histori të harruar;

këngët e kreshnikëve ende përplasen

mes fushave ku gjaku u shua.

 

Në heshtjen e mëngjesit qëndron zëri

i atyre që s’u thirrën nga kohët;

shpirti i tyre fluturon mbi male

dhe përçan retë me dritën e kujtesës.

 

Çdo hap mbi gurët e vjetër është lutje,

çdo frymëmarrje një kujtesë e gjallë;

toka e përshkuar nga gjaku i tyre

më mëson se liria s’harrohet kurrë.

 

Era fshin emrat e harruar,

por tingulli i betimit mbetet;

çdo gur i ngritur mbi këtë dhe

është dëshmi se sakrifica nuk vdes.

 

Dhe kur dielli ngrihet mbi horizont,

drita e tij përpilon hijet e kaluarës;

çdo fushë, çdo gur, çdo rrëfim i heshtur

na thërret: “Mbaje kujtesën gjallë”.

 

HËNA MBI TELAT ME GJEMBA

 

Në mesnatë heshtja peshon si gur,

era çan natën, sjell erë muri;

telat me gjemba shtrihen rreth e qark,

zemra më digjet, fjalët më shuhen në prag.

 

Hëna ngrihet si nuse mbi mal,

drita e saj më prek ballin e thatë;

as hekur, as gjemba s’e ndalin dot,

ajo më vjen si përqafim i gjatë.

 

Unë, i mbërthyer në telat e natës,

shoh dritën e saj mbi plagë që s’flenë;

çdo rreze më flet: “liria s’vdes”,

çdo rreze më thotë: “prit agimin tënd”.

 

Telat dridhen nga fryma e erës,

hëna i prish me dritë, pa fjalë;

shpirti im del mbi hekurat e ngrirë,

fluturon atje ku s’ka pranga e zjarr.

 

E kur mëngjesi shfaqet në horizont,

telat zverdhen si bar i tharë;

unë ndiej brenda një dritë të re:

hëna më mbolli lirinë në gjak.

 

— LITARËT E KOHËS

 

Litarët e kohës shtrihen mbi mua,

Si hije të gjata në fusha të harruara.

Çdo ditë një nyje, çdo natë një rrjedhë,

Dhe unë ec, i lidhur, por ndjej erën e lirisë.

 

Muret e qelisë flasin me zë të heshtur,

Çdo gur ruan rrëfime të të burgosurve.

Dëgjoj tingujt e të kaluarës së largët,

Një heshtje që ngjitet mbi shpirtin e brishtë.

 

Retë mbajnë kujtimet që rrëshqasin ngadalë,

Hëna më ndjek hap pas hapit, pa zhurmë.

Çdo frymë një dritë në errësirën e gjatë,

Çdo lot një valë që shpërthen mbi gur.

 

Flladi çan litarët e padukshëm,

Një ëndërr shpërthen si flakë e fshehtë.

Liria thotë: “Është brenda nyjës,”

Edhe kur duket gjithçka është mbyllur.

 

Zemra rreh në ritmin e dritës së vogël,

Që hyn nga dritarja e ngushtë mbi tokë.

Çdo hap një valë mbi ujërat e kohës,

Çdo frymë një përpjekje për t’u ngritur lart.

 

Koha rrjedh si lum i heshtur,

Çdo ditë një gur, çdo natë një rrënjë.

Por shpirti nuk pranon të thyhet,

Ai gjen rrugën mes hekureve dhe hijes.

 

Flas me vetveten në errësirën e dendur,

Kujtimet më kthejnë tek fëmijëria,

Tek malet, lumenjtë që nuk i shoh më,

Por që jetojnë brenda shpirtit, të pathyeshëm.

 

Litarët mund të jenë të gjatë ose të shkurtër,

Por shpirti i lirë gjen rrugën në çdo furtunë.

Çdo nyje një sfidë, çdo lidhje një provë,

Në thellësi ndodhet drita e lirisë së vërtetë.

 

Kur nata bie mbi qelinë time,

Hëna më fton të shoh përtej hekurave.

Edhe në errësirë, edhe në heshtje,

Shpirti guximtar s’mund t’thyhet nga koha.

 

KUSHTRIMI I TË VËRTETËS

 

Heshtja djeg si flakë n’mes të stuhisë,

plumbi fshehur rri në zemër të pabesisë.

Sa e mbajmë të fshehtë të vërtetën,

aq shoqnia vuan, e shkatërron vetën.

 

Matrapazë që shisni lavdi pa vlerë,

luftëtarë të rremë me emra të blerë,

atdhetarë të ftohtë me shpirt të ngrirë,

kombin e keni kthyer në një zbrazëtirë.

 

A e dini ç’do të thotë Atdhetari?

Kur zemra të rreh veç për Shqiptarin,

A e dini ç’do të thotë nder e lavdi?

Sakrificë pa kërkuar medalje e pasuri.

 

Pa dije, pa djersë, pa zemër të fortë,

Populli shkatërrohet, tretet nëpër botë.

Tradhtia të vret – e kanë thënë qëmoti,

kur udhëhiqemi nga hafije, jo nga patrioti.

 

S’marrim nga e mira, por nga e liga,

s’marrim nga dashuria, por nga egoja.

Ngrihuni ju që flini të verbër,

thuani të vërtetën, edhe kur ther më fort.

 

Më mirë plagë që shërohet me zjarr,

se sa luftëtarët treten në harresë e varr.

Kush fsheh të vërtetën, shpejt rrëzohet.

Kush mban anën e drejtë – lartësohet.

 

FORCA QË S’SHUHET

 

Më shikojnë me sy të turbulluar,

po brenda meje digjet një diell;

si mal i pathyeshëm që s’rrëzohet,

si det i pafund që s’thahet kurrë.

 

Ziliqarët më vijnë si hije,

po unë fluturoj mbi erë;

çdo pengesë bëhet shkëmb ku ngjitem,

çdo fjalë e rëndë më kthen në forcë.

 

Jam burim që rrjedh pa pushim,

jam stuhia që thyen zinxhirë;

krijimtaria ime është oqean,

s’ka breg që mund ta ndalojë.

 

Armiqtë s’më njohin – por unë njoh furtunat,

i kam kaluar dhe prapë jam këtu;

jam i pamposhtur si mali,

jam i lirë si era mbi hon.

 

Unë jam zjarr, ujë dhe këngë,

shkëmb i rrënjosur, por edhe fluturim;

një forcë që sfidon kohën,

një botë që ndrit për Shqipërinë.

 

MES DRITËS DHE ERRËSIRËS

 

Përditë shoh më qartë,

vuej më thellë,

si gjethe që digjet ngadalë

në erën e vetmisë.

 

Ai që i beson fytyrës së rreme

të kënaqësisë,

vrapon drejt humnerës

dhe përqafon mjerimin,

pa e kuptuar se gëzimi i rrejshëm

është dritë që shuan vetveten.

 

Rrallë mendojmë për errësirën

kur jemi të larë nga dielli,

rrallë kujtojmë mjerimin

kur lumturia na deh,

rrallë ndiejmë dhimbjen

kur kënaqësia na mbulon si vel.

 

Por gjithmonë e anasjellta na ndjek:

në terr na lind kujtimi i dritës,

në humbje na flet hija e gëzimit,

në dhimbje kërkojmë shpresën e humbur.

 

Njeriu është udhëtar i përjetshëm

mes dy brigjeve –

drita dhe hija,

kënaqësia dhe mjerimi –

dhe veç kur bie në gjunjë,

kupton se gjithçka është mashtrim,

veç e vërteta e shpirtit qëndron.

 

Sepse drita pa errësirë nuk shihet,

lumturia pa dhimbje nuk kuptohet,

dhe kush i ikën plagës,

nuk e njeh kurrë vetveten.

 

SHPIRTI QË S’THYET

 

Mbi sup më ra një gur i rëndë,

e plaga s’pushon, më digjet;

si zjarr i fshehur, pambarim,

në shpirt më vlon, në zemër më rri.

 

Por unë nuk jam kurrë i thyer,

as fjala ime s’njeh pranga;

në errësirë kam yll të ndritur,

që dritën shpirtit ma sjell nga larg.

 

Më mbyt nata, më ndjek lemeria,

më grryen kujtimi, më djeg dhe malli;

po ngrihem prapë, se vetëm Atdhedashuria

ma dha fuqi të jetoj në zjarr së gjalli.

 

Rob jam në trup, por shpirt i lirë;

në vargje fle e ngrihem prapë;

se Atdhedashuria, dhimbja e hiri,

ma kalitën zemrën në flakë.

 

MALLI I ATDHEUT

 

Malli i Atdheut më djeg porsi zjarr,

më ndjek si hije nëpër net të gjata,

në shpirt më bëhet flakë e pashuar,

si këngë që s’pushon në zemrën e ngratë.

 

Në mërgim rri e shikoj largësinë,

horizonti m’i sjell malet e mia,

më thërret burimi, më thërret fusha,

më thërret flamuri që s’ka harrim.

 

Nën qiell të huaj rri e mallëngjehem,

për erën e butë të pranverës sime,

për aromën e bukës në sofrën e varfër,

që ma mbushte shpirtin me dritë e gëzim.

 

Ah, malli i Atdheut s’ka shërim,

është plagë që kurrë loti s’ju shter,

është këngë që del nga thellësia e shpirtit,

është yll që më ndriçon edhe në terr.

 

Sikur një zog që kërkon folenë,

kështu shpirti im kërkon dheun,

aty ku gjyshërit prehen në paqe,

aty ku fëmijëria më bëri njeri.

 

Por ky mall s’është vetëm lot i hidhur,

është zjarr që çel shtigje trimërie,

është kushtrim që zgjon bijtë e kombit,

për të mos lejuar kurrë robëri.

 

Në damarët tanë ky mall është gjak,

që vlon si lumë në kohë stuhie,

nga dashuria lind edhe flijimi,

nga malli lind kulla e lirisë.

 

Asnjë zjarr s’më dogji ndonjëherë,

asnjë flakë s’më la shenjë në trup,

veç malli i Atdheut më djeg çdo ditë,

me një zjarr të butë që s’shuhet kurrë.

 

Dhe kur sytë ti mbyllë të fundit herë,

dua të jem pranë tokës së shtrenjtë,

të kthehem në dheun që më lindi,

si një pikë shiu në pranverën e vendit tim.

 

Atdhe, në zemra le të mbetesh dritë,

mall që nuk shuhet, këngë që s’pushon,

trashëgim le të bijtë amanetin tim:

të duash Atdheun është jetësim.

 

ASTRIT SULI – LEGJENDA QË S’VDES

(Cikël poetik për Dëshmorin e Atdheut,

nga Luzaj i Beratit – Astrit Hekuran Suli)

 

Pjesa I – Legjenda që s’vdes

 

Kur shkrepi rrufeja mbi shpat të Tomorrit,

Kur u drodh gjithë fusha si prej meteorit,

Lindi një djalë me flakë në gji –

Me emrin Astrit, si rrufe për liri.

 

Në djep të lisit, ku ninullat janë kushtrim,

U rrit me këngët që s’flenë në agim;

Nga fisi i Sulajve, burrë i një flamuri –

Me gjakun e vet mbrojti nderin e truallit.

 

Punonte ditë e natë – me shpirt të përvëluar,

Në gurët e mërgimit, me mall të pashuar;

Por, kur pa në ekran plagën e Kosovës,

U ngrit si stuhi – biri i Sulovës!

 

Në mes të lokalit, fjalët s’mund t’i kapërdijë,

Kur u tallën me gjakun e fisit të tij,

Ai s’u përkul – por grushtin e ngriti,

Si rrufeja mbi male, fuqishëm goditi!

 

Në Burrel me shokët, si ujë mali i kthjellët,

Stërvitej si shqiponjë – me trup zhdërvjellët.

“Jam mirë,” – shkroi ai, – “por zemra s’më rri e qetë,

Se liria s’vjen me fjalë – por me gjak të vërtetë.”

 

Në Gorozhup të lavdisë, mes lisash e rreze,

Ku shpërtheu kufiri si një dritë rrufeje,

Ai rendi pa trembje – me pushkë e me besë,

Në vatrën e flakës, në ballë të epopesë.

 

Kur bubulloi mali, gjëmoi dhe lugina,

Në vijën e zjarrit, u hodh si vetëtima.

Plumbi e gjeti ku thyhej ai kufi –

Ra si një lis, por s’u tret në përjetësi.

 

E varrosën shokët në tokë të lirisë,

Me armën në gjoks dhe Flamur në ballë;

Në zemrën e malit, me këngë trimërie,

Ku gjaku i tij u bë kushtrim i gjallë.

 

Në një epitaf, si amanet shenjtërie,

Shënuan emrin – një yll në përjetësi;

Në malet e lirisë, në gur të historisë,

U gdhend kujtimi me nder e dhimbshuri.

 

Në Landovicë e pa dritën e parë,

Por zemra s’i fjeti në gurin e tharë;

Nga Prizreni i lavdisë në Luzaj u kthye –

Aty ku “Nënë” thiri me mall e shpirt të vrarë.

 

Në Luzaj pushon, por fjala s’e tret –

Në çdo lis e krua rri zëri i vërtetë.

Në rrëfim të babait, nën dritën e hënës,

Astriti rron – si hyjni në lotin e nënës.

 

Pjesa II – Amaneti i Astritit

 

(Epilog mbi varrin e një trimi)

 

Unë jam zëri i malit, zjarri që s’u shua –

Frymë e kësaj toke, kur liria gjëmon.

O ti që kalon pranë këtij varri të qetë –

Mos hesht! Se ky dhe flet me gjuhën tonë.

 

Mos qaj! Se s’jam i vdekur – jam zë që s’harrohet,

Jam zjarri që digjet, por kurrë nuk shterohet.

Nga ky trup i rënë u ngjiz një betim –

Që s’e prek as vdekja – është flamur në amshim.

 

Nga ky dhe i heshtur flet shpirti i burrit:

S’ka liri pa lot, as pa mallin e flamurit.

Mbaji gjallë legjendat, me zemrën që tretet –

Se jam zë që s’vdes, jam dhembja që mbetet.

 

Prandaj, o bir i tokës – ec me ballin nalt!

Mos harro gjakun – liria s’është falë.

Unë jam në gur, në erë, në çdo trokitje zalli –

Jam ai që s’vdes, por ngrihet në majë mali!

 

Autori: Genc Sefa – Lushnja

Ish-ushtarak, bashkëluftëtar i Heroit

në “Operacionin Shigjeta” në UÇK .

Vazhdues i amanetit në UÇPMB

dhe në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

I robëruar në emër të Atdhedashurisë 🇦🇱

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …