Frank Shkreli e nisi karrierën e tij gazetareske që në rini, gjatë studimeve në Kolegjin Lehman, ku shkruante për gazetën e institucionit dhe ishte anëtar i këshillit redaktues të revistës ‘Jeta Katolike në New York’, nën drejtimin e Mons. Zef Oroshit.
Karriera e tij gazetareske merr hov të rëndësishëm në vitin 1974, kur ai udhëton për në Washington, DC dhe fillon punën si gazetar dhe redaktor në seksionin shqip të “Zërit të Amerikës”, një pozicion që mban deri në vitin 1984. Në vitin 1984, Shkreli u emërua shef i seksionit shqip në këtë institucion, pozicion që e mbajti deri në vitin 1985. Udhëtimi i tij në Washington dhe puna në Zërin e Amerikës ishin një moment kyç që ndryshuan përgjithmonë jetën e tij profesionale.
Nga viti 1985 deri në vitin 1990, Shkreli shërbeu si këshilltar i lartë programacioni në Drejtorinë Europiane të “Zërit të Amerikës”, ku mbikëqyrte programet për 18 gjuhë të ndryshme drejtuar vendeve komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore. Pas vitit 1990, ai u emërua Zëvendës Drejtor për ish-Bashkimin Sovjetik, një pozicion që mbulonte rusishten dhe gjuhët e tjera të vendeve që sapo kishin shpërbërë Bashkimin Sovjetik. Gjatë periudhës 1994-2003, Shkreli ishte Shef i Drejtorisë Europiane (më vonë Euro-Aziatike) të VOA, ku mbikëqyrte një gamë të gjerë programesh, duke përfshirë edhe seksionin në gjuhën shqipe.
Shkreli ia ka kushtuar jetën menaxhimit dhe administrimit të mediave, fillimisht në radio dhe më pas në televizionin ndërkombëtar, përfshirë internetin. Ai ka mbikëqyrur qindra gazetarë dhe korrespondentë nga kultura dhe gjuhë të ndryshme, të cilët raportuan për botën komuniste gjatë Luftës së Ftohtë dhe për konfliktet në ish-Jugosllavi.
Në rolin e tij si Këshilltar Programacioni dhe Shef i Drejtorisë Europiane të VOA, Shkreli ka luajtur një rol kyç në zgjerimin e programeve, duke krijuar programe të reja, përfshirë gjuhët boshnjake dhe maqedonase. Nën drejtimin e tij, VOA u bë transmetuesi i parë ndërkombëtar që nisi transmetimet televizive, përfshirë programet në gjuhën serbe dhe boshnjake gjatë luftës, dhe më pas edhe programin shqip. Gjithashtu, ai luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e degës “multimedia” të VOA.
Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe luftërave në ish-Jugosllavi, Shkreli ishte i përfshirë në çdo vendim të rëndësishëm për transmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë informimin e popujve të rajonit dhe përpjekjet për të shpejtuar shëmbjen e regjimeve komuniste dhe vendosjen e demokracisë.
Përveç këtyre aktiviteteve, Frank Shkreli ishte pjesë e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në vitin 1991, kur u hap për herë të parë ambasada amerikane pas 50 vjetësh, dhe gjithashtu mori pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve të para pluraliste të atij viti.
Pas pensionimit nga detyra qeveritare, Shkreli u bë drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë jo-qeveritare që punon për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në SHBA dhe promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan. Ai luajti një rol kyç në lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA dhe vendet aleate evropiane, një qëllim që u arrit më në fund në shkurt të vitit 2008.
Edhe pse i pensionuar, Shkreli vazhdon të jetë aktiv me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe me çështje të interesit kombëtar shqiptar, duke shkruar për marrëdhëniet amerikano-shqiptare dhe për çështje politike dhe rajonale të Ballkanit. Shkrimet e tij botohen në media të ndryshme, si dhe përfshijnë tema të politikës amerikane dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme klasike në seminarin e urdhërit katolik të Salezianëve në Kroaci dhe Slloveni. Pas mbërritjes si refugjat politik në SHBA në vitin 1970, Shkreli ka ndjekur studimet universitare në Kolegjin Lehman të New Yorkut dhe më pas në Universitetin George Washington në Washington, DC, ndërkohë që ishte i punësuar në “Zërin e Amerikës”.
Gjatë karrierës së tij, Shkreli ka marrë shpërblime dhe dekorata të ndryshme për kontributet e tij. Ndër më të rëndësishmet janë titulli “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, në vitin 2016, “Qytetar Nderi” nga Komuna Shkrel në vitin 2011, dhe “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe, në maj të vitit 2023. Po ashtu, ai është nderuar me dekoratën nga Këshilli i qytetit të Nju Jorkut për “Shërbimet e shkëlqyera dhe kontributet e çmuara ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan dhe qytetit të Nju Jorkut”, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, në nëntor të vitit 2019.