Gjeneral Jashari: Kosova duhet të jetë pjesë e plotë e Kartës së Adriatikut

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në Konferencën e 28-të të Kartës së Adriatikut A5, e mbajtur në Tiranë, ku u diskutua për forcimin e sigurisë rajonale dhe sfidat e përbashkëta të Ballkanit Perëndimor. Konferenca u udhëhoq nga Komandanti i EUCOM dhe SACEUR, ndërsa bashkë kryesohej nga Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina. Në punime morën pjesë shefat e mbrojtjes të vendeve të rajonit dhe Adjutantët e Përgjithshëm të Gardave Kombëtare të shteteve partnere. Në fjalimin e tij, gjeneral Jashari theksoi rëndësinë e anëtarësimit të plotë të Kosovës në Kartën e Adriatikut, duke vlerësuar se ky hap do të përforconte paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Ai gjithashtu zhvilloi takime bilaterale me komandantin e EUCOM dhe SACEUR, Gjeneral Alexus G. Grynkewich, si dhe me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjenerallejtënant Arben Kingjin. Në përfundim, vendet pjesëmarrëse nënvizuan domosdoshmërinë e iniciativave të tilla për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për t’iu përgjigjur sfidave të përbashkëta të sigurisë, duke përfshirë këtu edhe çështjet e integrimit dhe koordinimit ushtarak ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kontrolloni gjithashtu

Jorn Rohde paralajmëron: Kosova rrezikon të humbasë mundësi pa formuar Qeverinë e re

Ambasadori në largim i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë thirrje që pas zgjedhjeve …