Gjykata Speciale në Hagë refuzon lirimin e Jakup Krasniqit

Jakup Krasniqi do të mbetet në paraburgim. Gjykata speciale e Hagës ka refuzuar kërkesën për lirim të përkohshëm të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se ekziston ende rreziku që ai të ndikojë në dëshmitarët e mbrojtjes, përfshirë edhe ata të avokatit të viktimave në çështjen që lidhet me drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjyqtarët kanë pranuar se nuk ekziston rrezik për arratisje, por kanë mbështetur qëndrimin se Krasniqi mund të pengojë rrjedhën e mëtejshme të procedurës gjyqësore, sidomos gjatë fazës ku do të paraqiten dëshmitarët e viktimave dhe të mbrojtjes. “Ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë,” thuhet në vendim, ku shtohet se “lirimi i Krasniqit mund të ketë efekt frenues në gatishmërinë e dëshmitarëve për të bashkëpunuar me Gjykatën”. Paneli i gjyqtarëve ka përmendur edhe postimin e vitit 2020, në të cilin Krasniqi e kishte quajtur Shkëlzen Gashin “kolaboracionist”, si provë e qëndrimeve publike që, sipas tyre, mund të shërbejnë si formë presioni ndaj zërave kritikë ose dëshmitarëve potencialë. Gjykata ka theksuar se as faza aktuale e gjykimit nuk e justifikon lirimin, dhe se çdo rrezik për pengim të drejtësisë apo kryerje të mëtejshme të veprave duhet të shmanget. Gjykimi ndaj Jakup Krasniqit dhe të akuzuarve të tjerë të UÇK-së po vazhdon në Hagë, në një proces që ka tërhequr vëmendje të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare për ndjeshmërinë historike dhe politike që mbart.

Kontrolloni gjithashtu

Zbulohen mbetje mortore në Brekoc të Gjakovës, dyshohet që i përkasin listës së personave të zhdukur

Sot, në fshatin Brekoc të Gjakovës, gjatë gërmimeve të kryera nga Komisioni Qeveritar për Persona …