Gjykata Speciale refuzon lirimin e përkohshëm të ish-krerëve të UÇK-së – Avokati: Vendim paragjykues dhe pa bazë ligjore

Gjykata speciale në Hagë kanë refuzuar sërish kërkesat për lirimin e përkohshëm të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, duke vendosur zgjatjen e masës së paraburgimit për nga dy muaj. Masa është vazhduar edhe për Hashim Thaçin, i cili nuk ka bërë kërkesë për lirim të përkohshëm. Vendimi i trupit gjykues është arsyetuar me pretendimet për rrezik të ndikimit mbi dëshmitarët dhe pengim të procedurave gjyqësore, ndonëse vetë Gjykata ka pranuar se nuk ekziston rrezik për arratisje. Avokati Ardian Bajraktari ka kritikuar ashpër këtë vendim, duke e cilësuar si të pabazuar ligjërisht dhe paragjykues. Sipas tij, të pandehurit kanë treguar gatishmëri për bashkëpunim me drejtësinë dhe nuk ekziston asnjë provë konkrete që mbështet vazhdimin e paraburgimit. “Vendimi bie ndesh me parimet e drejtësisë ndërkombëtare dhe me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Mosaprovimi i kërkesës për lirim është i pajustifikueshëm dhe dëmton parimin e prezumimit të pafajësisë”, deklaroi Bajraktari. Në anën tjetër, Gjykata ka nënshkruar një marrëveshje me Belgjikën për vuajtjen e dënimeve të mundshme nga të dënuarit e saj. Bajraktari e cilësoi këtë si pjesë të procedurave normale që dalin nga kompetencat e Dhomave të Specializuara.

Kontrolloni gjithashtu

Prodhuesit vendor nisin betejë ligjore ndaj ZRrE-së: “Vendimi i padrejtë duhet të rrëzohet”

Shoqata e Prodhuesve Vendor, në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, ka nisur një betejë …