Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka hyrë në fazën përfundimtare dhe pritet që pas pak hapash të merret vendimi i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Sipas aktakuzës, ata ngarkohen për krime lufte — përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme — si dhe për krime kundër njerëzimit — burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Krimet pretendohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Në fillim të javës së ardhshme pritet të nisin deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, përfaqësuesve të viktimave dhe ekipeve mbrojtëse të të akuzuarve, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Procesi ka kaluar tashmë në fazën e dorëzimit të dosjeve përfundimtare nga palët, ndërsa nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse. Fillimisht do të paraqitet Prokuroria, më pas përfaqësuesit e viktimave dhe, duke nisur nga 11 shkurti, ekipet mbrojtëse.
Pas kësaj faze, çështja i kalon trupit gjykues. Gjykatësit kanë afat deri në tre muaj për të marrë dhe shpallur vendimin, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë ose më shumë në raste të jashtëzakonshme.
Ndërkohë, ndaj Hashim Thaçit pritet të nisë së shpejti edhe një proces i veçantë gjyqësor për akuza që lidhen me administrimin e drejtësisë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë me staf ndërkombëtar në Holandë dhe kanë mandat të hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së për periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
