Në konferencën e 11-të për ecurinë e çështjes në rastin e pretenduar penal kundër, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e paraparë që të mbahet më 24 mars, gjyqtari do të kërkojë nga Zyra e Prokurorit ta njoftojë nëse mund të përfundojnë hetimet deri më 6 maj. Gjatë kësaj konference, do të diskutohet për zbulimin e provave, përkthimet, hetimet e prokurorisë dhe mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”. Nëse ZPS mund të sigurojë një përditësim të mëtejshëm mbi datën e parashikuar të përfundimit të hapave të pazgjidhura hetimore, duke përfshirë nëse hetimet mund të përfundojnë deri më 6 maj 2022”, është thënë në vendim, ku theksohet se do të diskutohet në vendimin e gjyqtarit paraprak. Gjithashtu në këtë konferencë do të diskutohet edhe lidhur me propozimet për thjeshtimin e procedurës në këtë çështje. Më 9 nëntor, të vitit 2020 në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. I pafajshëm është deklaruar edhe Kadri Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi me 11 nëntor. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
