Gruda: Gjykata Speciale ka devijuar misionin, tendenca për rishkrimin e historisë në shkolla është e papranueshme

Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, e ka kritikua ashpër Gjykatën Speciale për mbajtjen e ligjëratave nga zyrtarët e saj nëpër shkolla, duke bërë me dije se kjo gjykatë e ka devijuar misionin e saj.

Sipas tij, tendenca për rishkrimin e historisë në shkollat është e papranueshme.

“Nxënësve, shumica nën moshën 18-vjeçare, u janë paraqitur pretendime të njëanshme, duke u etiketuar ish-krerët e UÇK-së si kryerës të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Kjo është skandaloze dhe e papranueshme”, ka deklaruar Gruda.

Në këtë mënyrë, ka thënë ai, narrativa e Speciales po tentohet të futet edhe në bankat shkollore.

“Lufta jonë po sulmohet edhe nga bankat dhe klasat e shkollave tona. Por e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohet në emër të ‘drejtësisë’ selektive, as të deformohet kujtesa kolektive në emër të ‘edukimit’,”, është shprehur ai, duke shtuar se këto ligjërata kanë për qëllim indoktrinimin e nxënësve.

“Toni i përdorur në këto prezantime i trajton Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin si fajtorë, duke paragjykuar vendimin përfundimtar. Gjykatat e vërteta merren me drejtësi, jo me propagandë”, ka theksuar Gruda.

Kontrolloni gjithashtu

ZPS përfundon paraqitjen e provave në rastin ndaj Hashim Thaçi dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përmbyllur paraqitjen e provave në çështjen gjyqësore për pengim …