Në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjykata speciale në Hagë ka pranuar një numër të konsiderueshëm materialesh të reja të paraqitura nga mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Sipas zëdhënëses së gjykatës, Angela Griep, trupat gjykuese kanë miratuar në prova materiale gjithsej 261 dokumente, të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt me dëshmitë e dëshmitarëve, por që mbrojtja i ka paraqitur si relevante për rastin. Mbi këto kërkesa, gjykata ka refuzuar edhe 49 dokumente të tjera, duke vlerësuar se nuk kanë rëndësi për akuzat konkrete ose se mbrojtja nuk ka shpjeguar relevancën e tyre.
– Nga kërkesa e mbrojtjes së Krasniqit u pranuan 112 materiale dhe u refuzuan 32.
– Nga kërkesa e mbrojtjes së Thaçit u pranuan 149 materiale dhe u refuzuan 17.
Griep konfirmoi se më 3 dhjetor 2025, trupi gjykues ka verifikuar 29 fakte të cilat palët i kishin pranuar paraprakisht, ndërsa 20 të tjera mbetën të paqarta për shkak të mungesës së pajtueshmërisë. Ndërkohë, në një çështje tjetër që përfshin Hashim Thaçin, Isni Kilajn, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin – që lidhet me pretendime për ndikim të paligjshëm ndaj dëshmitarëve – gjyqtari i vetëm ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për informacione shtesë nga një institut i jashtëm kriminalistik. Ky institut pritet të sqarojë një raport për kërkimin e një deklarate të caktuar brenda të dhënave dixhitale të nxjerra nga kompjuterët dhe printerët e pretenduar se janë përdorur nga Thaçi në paraburgim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
