Hajrush Kurtaj: KUJTESA JONË: SHTIGJEVE TË UÇK-së

26 – vjetori i Betejës së Ivajës, në komunën e Kaçanikut, më 8 mars 1999
Njohuri të përgjithshme për fshatin Ivajë
Fshati Ivajë shtrihet rreth 7 km në jug të Kaçanikut. Është vendbanim kodrinor-malor, i ndarë në lagje të tipit të shpërndarë. Lagjet: Zmaku (Luta), Livoreka, Rexha, Mulaku, Limani (Luta) dhe Rexha (në Stanet e Ivajës, që është sllavizuar në Stara Ivaja, ndërsa nga shqiptarët e përkthyer në Ivaja e Vjetër). Vendbanim mjaftë i vjetër iliro-dardan. Këtë e dëshmojnë gjurmët e shumta arkeologjike. (shih në librin e Dr. Jusuf Osmani – Vendbanimet e Kosovës Kaçaniku 10, Prishtinë 2004, f.109).
Para sulmit serb gjatë viteve 1998 dhe 1999 ky vendbanim kishte 94 shtëpi me 961 banorë. Nga forcat okupatore serbe janë djegur 86 shtëpi, 35 stalla, shkolla, zyra e vendit dhe xhamia ose në përqindje 91,5% e fshatit. Nga forcat okupatore serbe janë vrarë 7 qytetar dhe një ka rënë dëshmor, Xhemil Mulaku është vrarë më 8 mars në Ivajë, Neshat Rexha ka rënë dëshmor me 24 mars 1999 dhe 5 të tjerë në Kaçanik.
Vendosja e njësiteve të Brigadës 162 “Agim Bajrami” në Ivajë
Vendosja e njësiteve të Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe përgatitja për operacione luftarake, në fshatrat kodrinore-malore: Bob, Gajr, Ivajë,Kotlinë dhe Puset e Nikës të shtrira në anën e djathtë të lumit Lepenc ishte e një rëndësie të veçantë, sepse ishte një terren strategjik për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ishte një paralajmërim i qartë për ushtrinë, policinë, njësitë paramilitare serbe dhe aparatin shtetëror okupues serb. Për t’i njoftuar banorët e këtyre fshatrave për situatën e fundit, Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” organizoi takime për t’i njoftuar të gjithë banorët me situatën e përgjithshme si dhe të përkeqësimit të situatës, si pasojë e vrasjeve të qytetarëve të paarmatosur nga njësit ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. Takimet me qytetarë filluan, më 28 shkurt 1999 në orën 09:00 në fshatin Kotlinë, të koordinuara nga përgjegjësi për popullatën civile, Heset Loku dhe udhëhequr nga Hajrush Kurtaj, zëvendëskomandant i brigadës, ndërsa takimi i dytë mbahet në të njëjtën ditë, në fshatin Ivajë, në orën 11:00, i koordinuar nga përgjegjësi për popullatën civile Nexhadi Luta dhe udhëhequr nga komandanti i brigadës Qamil Ilazi (për këto takime ekziston procesverbali i këtyre mbledhjeve). Në këto takime popullata ndahet e kënaqur, që erdhi dita të kenë UÇK. Gjatë përgatitjes për operacionet luftarake në Brigadën 162 “Agim Bajrami”, rëndësi të madhe i kemi kushtuar sektorit të shëndetësisë. Për këtë aktivitet ka qenë i ngarkuar shefi e Logjistikës, Misim Sopa, që të fillojë kontaktet dhe koordinimin me mjekët në komunën e Kaçanikut. Në kuadër të Sektorit të Logjistikës është caktuar edhe Reparti për Mjekësi, ku në krye të këtij reparti janë caktuar si përgjegjës kryesorë doktor Bejtush Jaha dhe doktor Fadil Gashi. (shih në librin e Kolonel Hajrush Kurtaj, “Në rrugën e lirisë (ditar lufte: fakte, kujtime, dokumente)”, Prishtinë, 2012, f.56). Hajrush Kurtaj, epror ushtarak, “Shungullon Gryka e Kaçanikut”, Dëshmorët e Kombit Kaçanik, 2000, f. 26 dhe 36. Në koordinim edhe të komandantit, Qamil Ilazi, ka filluar koordinimi dhe organizimi i mjekëve për sigurimin e pajisjeve mjekësore dhe barnave. Fillimisht ka qenë angazhimi i dr. Bejtush Jahës, Fadil Gashit, dr. Besim Ilazit, motra medicionale Giltene Troni, pastaj dr. Njazi Lumës, motrës medicionale Milihate Shehu, dr. Njazi Raka, dr. Dërgut Qunit, dr. Lul Rakës, si dhe motrave medicionale Jehona Raka, Lumnije Rakës.
Komanda e Brigadës dhe Shtabi i Brigadës i kanë kushtuar rëndësi të madhe sektorit të shëndetësisë duke angazhuar epror dhe ushtar për ta furnizuar me pajisje shëndetësore e në veçanti me barna si dhe organizimin e sigurimit fizik të ekipeve mjekësore, ku vepronin. Ishin të organizuara edhe ekipet mjekësore të cilat do të vepronin në shumë fshatra të komunës së Kaçanikut si dhe në pjesën e qytetit. Në fshatin Gajre dhe Ivajë, fillimisht ishin të angazhuar dr. Fadil Gashi, dr. Bejtush Jaha, motra medicinale Giltene Troni dhe dr. Dërgut Quni. Në fshatin Ivajë e Vjetër ishin të angazhuar dr. Njazi Raka dhe dr. Halil Kuka.. Në pjesën e Kaçanikut ishin të angazhuar dr. Lul Raka, Melihate Shehu, Lumnije Raka, Jehona Raka, Kadrije Piliqi dhe Emsale Frangu. Në pjesën e Biçecit ishte i angazhuar dr. Ekrem Dullovi. Në Kotlinë ishin të angazhuar në fillim dr. Fadil Gashi dhe Njazi Luma. Spitali ushtarak i Brigadës 162 “Agim Bajrami” u vendos në fshatin Ivajë, në shtëpinë e Ramush Rexhës.
Zhvillimi i Betejës së Ivajës, më 8 mars 1999
Derisa njësitet e UÇK-së të Brigadës 162 ”Agim Bajrami” bënin përgatitjet operative për një luftë në shkallë të gjerë dhe të vendosur, si në mobilizim ashtu edhe në armatim, njësitet e Brigadës 162”Agim Bajrami” me tre batalione dhe njësit mbështetëse dhe me një armatim të lehtë ushtarak, por moralisht të gatshme dhe të vendosura për qëndresë. Njësit e Batalionit të Dytë ishin të vendosura në Ivajë, njësi të cilat kishin bërë përgatitjet duke u vendosur me njësitet e veta në veriperëndim, te vendi i quajtur Liqeni, mbi Lagjen Livorekë dhe të majës së Buzevikut, kurse bataloni i tretë ishte i vendosur në Kotlinë dhe Puset e Nikës.
Duke vëzhguar situatën tepër dramatike për këtë anë, bëri që luftëtarët e UÇK-së të kësaj fortese shqiptare, në këto momente të vështira për jetën e kësaj popullate, ta ndërtojnë kalanë e rezistencës së armatosur në nivel kombëtar. Kundër kësaj barbarie serbo-sllave me dhunë gjithëpërfshirëse gjenocidale e deri te likuidimet masive të popullatës, kjo ishte vazhdimësi e shkatërrimeve dhe e shfarosjes së çdo çështjeje që ishte shqiptare. Nga momenti i shpërthimeve të luftimeve të hapta, ndërmjet ushtarëve të lirisë dhe forcave okupatore serbe, organizimi dhe mobilizimi i UÇK-së u shtri në tërë territorin e Kaçanikut.
Koncentrimi i forcave të mëdha të këmbësorisë serbe të motorizuara e të përkrahura nga njësit e blinduara, njësit tankiste dhe artilerike, më 8 mars 1999 rrethuan fshatin Ivajë. Në orën 4 të mëngjesit filluan granatimet në drejtim të pozicioneve të UÇK-së dhe popullatës civile të fshatit Ivajë dhe fshatrave përreth me të gjitha armët e rënda. Aty u zhvilluan luftime të rrepta në afërsi ndërmjet njësiteve çlirimtare dhe forcave okupatore serbe, që zgjatën pandërprerë deri në mbrëmje. Gjatë këtyre luftimeve armiku pati humbje të mëdha në njerëz dhe teknikë luftarake por edhe nga ana e njësiteve çlirimtare.
Në vazhdimësinë e luftimeve të suksesshme të UÇK-së, më 8 mars 1999, në tërë Kosovën për ofensiven e Ivajës, ku okupatori kishte organizuar një sulm me afro 7000 forca të armatosura me armë më moderne dhe me teknikë të përsosur luftarake për luftime në territoret kodrinore, për asgjësimin e njësiteve të UÇK-së të Brigadës 162 ”Agim Bajrami” që vepronin në këtë zonë, me tërë popullsinë civile u dëgjuan edhe në mediat botërore. Sulmi i forcave okupatore ishte i fuqishëm dhe i shtrirë në të gjitha drejtimet e fshatit Ivajë. Përballë këtyre forcave të okupatorit serb qëndruan të palëkundur njësitet e UÇK-së të Brigadës 162 ”Agim Bajrami”, të vendosura në pikat më të ndjeshme të periferisë së fshatit, ku po pritej depërtimi i forcave okupatore serbe. Në mbrojtje të fshatit Ivajë ishin të pozicionuara njësit e Batalionit të Dytë, policia ushtarake ishte në mbrojtje të spitalit ushtarak dhe shtabit të brigadës 162 ”Agim Bajrami”. Në këtë spital vepronin mjekët: dr. Bejtush Jaha, dr. Fadil Gashi, dr. Dërgut Quni si dhe teknikët medicional Giltene Troni, Vllaznim Zenuni, Zylbehar Prushi, Sheip Luma, Skender Ahmetaj, Mustafë Thaçi, Beqir Prushi, Menduh Kaloshi, Ylbere Berisha.
Kontribut të jashtëzakonshëm ndaj të lënduarve, personelit mjekësor dhe për mirëmbajtjen e objektit dhe pastërtisë në Spitalin Ushtarak u angazhuan këto vajza: Sherife Rexha dhe Nafije Rexha, (shih në librin e Kolonel Hajrush Kurtaj “Në rrugën e lirisë” f. 108,109,110). Çështje me rëndësi të madhe ishte edhe sigurimi fizik i spitalit për të cilin Komanda e Brigadës angazhoi një pjesë të Policisë Ushtarake dhe Njësisë Speciale të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Raste më të theksuara të plagosjeve dhe punë e vështirë për ekipin mjekësor ka qenë Beteja e Ivajës e 8 marsit 1999, meqë kemi pasur të plagosur rëndë shumë ushtar, ku disa nga plagët e rënda kanë ndërruar jetë kurse të tjerët falë angazhimit të ekipeve mjekësore iu kanë mbijetuar plagëve të rënda. Në këtë drejtim Shtabi i Brigadës ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me ekipet mjekësore dhe në ato rrethana të rënda iu ka ofruar përkrahje të parezervë. Pas shkatërrimit të madh të Ivajës nga forcat okupuese Komanda e Brigadës mori vendim, dhe caktoi vendin e dytë të Spitalit Ushtarak, te Kulla e Hasanit, mbi fshatin Bob. Për këtë kanë ngarkuar shefin e operativës Vehbi Koraçin që të hartojë dhe përgatit planin e vendosjes së Spitalit Ushtarak. Të gjitha këto përgatitje janë bërë në koordinim të ngushtë me Shefin e Logjistikës Misim Sopën dhe komandantin e Togës të Logjistikës, Nazmi Kukën. Përgatitjet në aspektin shëndetësor për Spitalin te Kulla e Hasanit, Komanda e Brigadës i ka bërë në koordinim të ngushtë me dr. Bejtush Jahën, i cili ka kompletuar ekipet mjekësore, ka bërë përgatitjen dhe kompletimin e pajisjeve mjekësore, me ç’rast ka përgatitur dokumentacionin dhe ka njoftuar komandën e Brigadës 162 “Agim Bajrami” se ekipet mjekësore janë të gatshme të vazhdojnë me detyrat sipas planit luftarak. Kushtet ishin të rënda, por rastet edhe më të rënda, që kishin nevojë për kirurg detyroheshin t’i përcillnin jashtë Kosovës. Për bartjen e të plagosurve rol të rëndësishëm kanë luajtur dy skuadra të Togës Vëzhguese të cilat udhëhiqeshin nga komandanti i togës Fadil Çallaku. Për çdo të plagosur ekipi i përbërë nga Fadil Çallaku, Sadik Çallaku, Sylejman Mulaku, Nexhmedin Luta, Reshat Mulaku, përcilleshin deri te Puset e Nikës, ku pastaj, ekipet e përbëra nga ushtarët Batalionit të Tretë, të koordinuara nga komandanti Rufki Suma i përcillnin deri në spitalet në Maqedoni apo në Shqipëri.
Kontribut të madh dhanë mjekët: Bejtush Jaha, Fadil Gashi, Dërgut Quni, si dhe infermierja Gyltene Troni etj. (Për këtë shih në librin e mrsc Hajrush Kurtaj “Lufta e UCK-së në ZON” f.64, 65, 66 si dhe f.68, 69, 70, 71). Si dhe në librin e Kolonel Hajrush Kurtaj “Në rrugën e lirisë” f. 190, 191, 200).
Sulmi filloi në mëngjesin e hershëm, të 8 marsit 1999, kurse njësitë çlirimtare të Brigadës 162 ”Agim Bajrami”në bazë të planit operacional-luftarak të Shtabit të Brigadës kishin organizuar mbrojtjen e çdo pëllëmbe të këtij territori. Në asnjë mënyrë nuk guxonte të dështonte mbrojtja e as depërtimi i forcave okupatore në brendi të fshatit, sepse në duart dhe në guximin heroik të luftëtarëve të lirisë qëndronin afër 2000 banorë, sa ishin në Ivajë dhe fshatrave përrreth. Koordinimin, kujdesin për popullatën civile komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” gjithherë e kishte prioritet dhe në plan të parë. Përkatësisht kujdesej për sigurinë e tyre si dhe për ushqimin e tyre, si dhe për strehimin e tyre, si dhe vendosjen në vende të sigurta. Para operacioneve luftarake komanda e Brigadës kishte plan për evakuimin e popullatës civile në vende të sigurta. Me këtë rast ngarkonte ekipet mjekësore që të kujdesen edhe për at. Të gjitha këto aktivitete Komanda e Brigadës e angazhonte drejtorin e Drejtorisë Civile z. Xhelal Gashi, që në bashkëpunim me shefin për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak, në kuadër të Shtabit të Brigadës Izet Krivanjeva, që të kujdesen për këto aktivitete. Drejtori i Drejtorisë Civile, Xhelal Gashi, dhe shefi për Marrëdhënie Civilo-Ushatarke, Izet Krivanjeva, për çdo ditë do të raportonin për gjendjen e popullatës civile dhe kërkesat e tyre në Shtabin e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Në secilin fshat dhe pjesë të qytetit kemi pasur të caktuar përgjegjësit për popullatën civile, të cilët kanë pasur obligim të organizojnë në rast të operacioneve luftarake:
– Evakuimin e popullatës civile në bazë të planit të Brigadës 162 “Agim Bajrami”,
– Planifikimi dhe sigurimin e ushqimit,
– Vendosjen nëpër vende të sigurta në tenda, si dhe
– Shërbimin mjekësor.
Edhe pse në rrethana shumë të vështira dhe kushte të rënda qytetarët e Kaçanikut gjithherë ishin në shërbim të UÇK-së dhe krah për krah me UÇK-në. Por ishte edhe guximi dhe vendosmëria qytetare nga të gjithë qytetarët e Ivajës, burra, gra, vajza dhe djem në përkrahje të UÇK-së, duke u radhitur në radhët e njësive çlirimtare si, Nexhmedin Luta, Xhemali Luta, Mahi Rexha, Neshat Rexha, Agim Luta, Nexhadi Luta, Emrush Luta, Nezir Luta, Bekim Mulaku, Selajdin Mulaku, Hajredin Mulaku, Mejdi Mulaku etj, por edhe kontributi i shumanshëm në gjitha fushat tjera. Në Ivajë veçojmë angazhimin e këtyre grave dhe vajzave në përkrahje të luftës çlirimtare: Hidushe Rexha, Lumnije Lika, Nafie Rexha, Latife Luta, Ibadete Luta, Zyrafete Luta, Ferizate Luta, Ganimete Luta, Fahrie Luta, Meside Luta, Shiqerije Luta, Lirie Luta, Nadire Luta, Selbije Rexha, Beglije Rexha, Sherife Rexha, Fatime M. Luta, Fikrie Luta, Mirishahe Luta, Remzie Luta, Shahadie Luta, Havushe Luta, Mirvete Luta, Haxhere Luta, Xhemile Luta, Xhedije Luta e shumë të tjera. Kjo ishte madhështia e luftës çlirimtare të Kosovës.
Njësitë çlirimtare të Brigadë 162 ”Agim Bajrami” zhvilluan luftë të lavdishme dhe heroike. Forcat armike pësuan humbje të mëdha në ushtarë, policë dhe paramilitarë që kurrë nuk do t’i zbulojnë, dhe shkatërrimin e teknikës ushtarake-luftarake, që kishte përdorur në këto luftime, ndërsa nga forcat çlirimtare bien dëshmorë zv. komandanti i kompanisë, Osman Luma, ushtarët: Raif Koraçi, Qani Luma si dhe komandanti i skuadrës Murat Lika.
8 marsi i vitit 1999, dallon nga ditët e tjera për shumë gjëra. Këtë ditë që nga ora 3:00 e mëngjesit, forca të mëdha serbe, me këmbësori dhe motoristikë, ishin në lëvizje. Udhëtimi i tyre bëhej nga Shtërpca në drejtim të Shtrazës, Glloboqicës dhe nga Ferizaj në drejtim të Kaçanikut, Gajres dhe Kotlinës. Në orën 4:00 të mëngjesit fshati Ivajë u rrethua nga të gjitha anët, dhe po të njëjtën kohë filluan granatimet e forcave serbe. Granatimet bëheshin nga artileria e lehtë dhe e rëndë, ku u krijuan vështirësi të mëdha. Luftëtarët e UÇK-së qëndronin në pozicionet e vendosura më parë, ku bëhej luftë e madhe dhe pa pushuar. Çlirimtarët e dinin mirë rëndësinë e kësaj beteje. Ata ishin të vendosur që të mos lëviznin mbrapa, por vetëm përpara, derisa nuk jepej urdhër tjetër nga Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Luftimet vazhdimisht afroheshin, ndërsa qëndresa veçsa forcohej. Secili luftëtar me veprimet e veta, dëshmonte vendosmëri të madhe dhe rriste moralin e të tjerëve. Ishte një sprovë e madhe jetësore. Ishte një moment ku peshohej çdo gjë. Përveç guximit duhej taktikë. Pra, të vejmë në veprim e të jetësojmë strategjinë e paraparë për situata të tilla. As granatimet e pareshtura, as mitralimet e përafërta të forcave armike nuk arritën t’i lëkundnin nga vendi.
Ishte një luftë e pabarabartë në tri çështje të rëndësishme. Armiku ishte më i madh në numër, kishte armatim më të përsosur, meqë përdorte edhe artileri. Kishte motoristikë të nevojshme për të lëvizur e manovruar sipas situatës. Njësitë çlirimtare kishin motivin e fortë që të luftonim për të mbrojtur tokat tona, për të shpëtuar popullatën civile, që ishte në rrezik të madh, ku mund të bëheshin vrasje masive, pa marrë parasysh moshën e gjininë.
Lufta nuk pushoi deri në mbrëmje, ku triumfoi e doli fitimtare lufta e drejtë e trimave të UÇK-së. Atë ditë ishte një angazhim mbinjerëzor dhe i përgjegjësve për popullatën civile, të cilët në bashkëpunim me drejtorinë civile të UÇK-së për Kaçanik, angazhoheshin për evakuimin e popullatës civile. Në një luftë, çfarë ishte kjo e 8 marsit, që u bë në një afërsi të dukshme, domosdo trimat do të binin në fushë të nderit, e do të ujisnin me gjakun e dëlirë tokën shqiptare. Rol të rëndësishëm në këtë betejë kishin eprorët: Vehbi Koraçi shef i operativës në Shtabin e Brigadës, Ilaz Ceka komandant kompanie, Ejup Runjeva epror nga komanda e Zonës Operative e Nerodimes, Muharrem Ahmetaj komandant i kompanisë, komandanti i Batalionit të Dytë Azem Guri me shtabin e batalionit, komandanti i Brigadës Qamil Ilazi me Komandën e Brigadës 162 ”Agim Bajrami”, por në veçanti i veçojmë heroizmin Osman Lumës, Raif Koraçit, Qani Lumës dhe Murat Likës, të cilët ranë në këtë betejë,ndërsa plage te lirise marrin këta luftetar: Adem Kolshi, Halil Kuka, Muhamet Malsiu, Feriz Deda, Hafir Luma, Zijadin Luma, Xhelal Lika, Veton Krasniqi, Milazim Krasniqi, Shefki Krasniqi, Shefki Terziu si dhe vritet civili Xhemil Mulaku..(për më shumë për këta dëshmorë shini në librin Flakë e Pashuar, Prishtinë, 2017, Instituti i Historisë, nga f.71 deri 85)
Osman Luma- ushtarak profesionist me përvojë. Ai ishte në detyrën e zëvendëskomandantit të Kompanisë të Batalionit të Tretë, në Brigadën 162 “Agim Bajrami”. Ai ishte një ushtarak i papritueshëm, me një kulturë të veçantë në komunikim me shokët, me eprorët dhe me ushtarët. Ai mbahet mend në të gjitha njësitë e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, si oficer që ushtarëve dhe eprorëve u ka dhënë dije për luftën në pozicionet e ndeshjeve me ushtrinë dhe policinë serbe, por që kurrë nuk u ankua pavarësisht nga vështirësitë dhe rrezikshmëria e situatave. Ai ishte i ashpër dhe shquhej për profesionalizëm në beteja.
Raif Koraçi- njeri praktik dhe dinamik. Në çdo kohë ai ishte i gatshëm për të kryer obligimet e tij në interes të luftës, pa përfillur rrezikun. Raifi ishte i dashur për gjithë ushtarët e Brigadës, prandaj edhe merrte përgjegjësi për marrjen e shumë aksioneve në luftë. Në rrugën e luftës ai përherë ka lënë mbresa tek luftëtarët e lirisë.
Qani Luma- energjik, i ri, i papritueshëm dhe gjithnjë në vijën e parë të luftës. Ai gjithnjë ishte i dashur me shokët dhe shumë i rreptë në front. Kur fillonte beteja, Qaniu përveç kujdesit për bashkëluftëtarët e tij, do të gjente mundësitë që të hidhte sa më shumë barut kundër forcave serbe. Me punën e tij, me trimërinë dhe sakrificën e tij tregoi se si mbrohet atdheu.
Murat Lika- luftëtar i rreptë, i papritueshëm për të arritur atë që kishte caktuar si objektiv për të realizuar. Ai ishte i dashur me të gjithë, por askush nuk arrinte ta kuptonte se deri ku mund të arrinte dashuria e tij për bashkëluftëtarët. Ai ishte, i gatshëm për të bërë sakrifica dhe kërkues i rreptë ndaj vetes dhe të tjerëve. Shumë i kujdesshëm për jetën e bashkëluftëtarëve dhe i shpejtë për t’u ardhur në ndihmë në çdo moment. Gjithnjë u gjend aty ku ishte rreziku.
Murati asnjëherë nuk u ligështua nga vështirësitë e situatave, por gjithnjë do të gjente një rrugë për t’i përballuar ato dhe për të arritur te synimi. Në rrjedhën e luftës ai ka marrë mbi vete detyra të vështira, të cilat i ka kryer me ndjenjë të lartë përgjegjësie. Thjeshtësia dhe urtësia ishin tipare dalluese të tij.
Beteja e Ivajës ka një rëndësi të madhe historike dhe strategjike jo vetëm për territorin e Kaçanikut, por edhe të Kosovës. Duke vlerësuar këtë rëndësi të madhe historike dhe rolin e zëvendës komandantit të kompanisë, Osman Lumës, dhe komandantit të skuadrës Murat Likës në këtë betejë, ish-Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, i shpall hero të Kosovës më 10 gusht 2019.
Pas luftimeve të ashpra në Betejën e Ivajës forcat okupatore të nesërmën, në orët e hershme të 9 marsit 1999 duke plaçkitur në fshatin Lumbardh (ish – Kotlinë) hasin në rezistencë të njësitet e Batalionit të Tretë, të udhëhequr nga komandanti i togës Milaim Loku, me këtë raste zhvillohen luftime të ashpra ku dhe bie heroikisht komandanti i togës Milaim Loku bashkë me bashkëluftëtarin e tij Emërllah Kuqin ( për më shumë për këta dëshmorë shini në librin Flakë e Pashuar, Prishtinë, 2017, Instituti i Historisë, nga f.87 deri 93)
Duke vlersuar rolin e jashtëzakonshëm të komandantit të togut Milaim Lokut, ish-Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, e shpall hero të Kosovës më 10 gusht 2019.
Burimet dhe literatura
Një Akt Trimëror – Krenari Kombëtare (Shqiponja e 10 gushtit 1998), Prishtinë 2000,
• Shungullon Gryka e Kaçanikut (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik, 2000,
• Feniksët e Lirisë, vëllimi (1 deri në 19),
• Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes, Prishtinë, 2012,
• Në Rrugën e Lirisë (ditar lufte: fakte, kujtime, dokumente), Prishtinë, 2012,
• Flakë e pashuar, Prishtinë, 2017, Instituti i Historisë
• KLA ËAR – In Nerodime Operation Area, Prishtinë, 2015,
• The Ëay to Liberty, Prishtinë, 2018,
• Kontributi i Femrës në Luftën Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik dhe në Han të Elezit (1998 – 1999), “SAS”, Prishtinë, 2022,
• Kontributi i Grave dhe Vajzave në Luftën Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Nerodimes (1998-1999) Prishtinë 2024, Instituti Historisë.
Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës

Kontrolloni gjithashtu

Sylë Mujaj: “Identiteti Shqiptar përballë Radikalizmit – Thirrje për Vetëdije dhe Kulturë”

 Shqiptarët, një popull me një histori të pasur dhe një trashëgimi të ndritur, sot po …