Prof. dr. Hakif Bajrami: Halil Alidema (15 mars 1936 - 19 mars 1996)

Halil Alidema (15 mars 1936 – 19 mars 1996) i burgosur politik, atdhetar historian dhe veprimtar i dalluar i Çështjes Kombëtare

Më 19 mars të vitit 1996 ka vdekur veprimtari i njohur, i burgosuri politik, historiani, Halil Alidema. U lind më 15 mars të vitit  1936, në Pozharan, në një familje të madhe patriarkale e atdhetare. Ka qenë i dënuar me burg të rëndë me një grup intelektualësh në vitin 1982 për pjesëmarrje dhe organizim të protestave e demonstratave të Marsit e Prillit të vitit 1981. Është dënuar me një organizatë politike,  së bashku me Ukshin Hotin dhe disa veprimtarë të tjerë. Gjatë viteve 1993 e 1996 në marrëveshje me faktorë politikë dhe ushtarakë në Shqipëri ai arriti me sukses të krijojë baza stërvitore për luftëtarët e ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një organizim masiv e kishte mbajtur në Palestrën Sportive “Partizani”, në Tiranë, ku si udhëheqës i grupit stërvitor ishte paraqitur me pseudonimin “Agron Ligata”, pastaj në  Qendra e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Skënderbeu”, po në Tiranë,  që kishte qenë njëra nga bazat, ku nën Komandën e Shtabit Operativ të Shqipërisë të asaj kohe dhe në dijeni e bashkëveprim me kryetarin e Shtetit, Ramiz Alia  janë stërvitur edhe komandantët Legjendarë të UÇK-së – ADEM JASHARI e ZAHIR PAJAZITI me shumë bashkëluftëtarë.  Meritë e veçantë e Halil Alidemës në fushën e propagandës politike e shkencore është edhe botimi i veprës,  “Libri i Bardhë” në 11.000 ekzemplarë, me emrin “Zani i Kombit”. Kjo vepër  është  botuar në 5 gjuhë: shqip, anglisht, frëngjisht, italisht dhe serbisht. Halim Alidema për një kohë të gjatë ka qenë në strukturat e larta të UNIKOMB-it, bashkë me Ukshin Hotin e të tjerë,  ku edhe ka dhënë një kontribut të çmuar në shërbim të kombit e atdheut. Studiuesi dhe miku i madh i UÇK-së dhe i shqiptarëve përgjithësisht, Xhejms Petiffer, Halil Alidemën e ka konsideruar si njërin ndër veprimtarët më të dalluar të kohës, së bashku me Shaban Brahën. Halil Alidema Vdiq në Tiranë, më 19 mars të vitit 1996.( Kalendari Kombëtar: TV-Dielli RKL)

Halil Alidema (15 mars 1936 – 19 mars 1996) u lind në një familje të madhe patriarkale e patriotike, nga e ëma Mirzadja dhe babai Bexheti në fshatin Pozheran, komunë e Vitisë. Ishte i martuar me Teuta Kryeziun dhe së bashku të lindën lindën dhe rritën djalin Atdheun dhe 2  bijat: Linditën dhe Yllkën.

Halil Alidema  pasi kreu Normalen,  punoi mësues  në fshatin Firajë të komunës së Shtërpcës. Atje punoi  me bashkëshortën e tij  që e kishte pasur edhe shoqe të klasës. Përveç bashkëshortë Halili dhe teuta Kryeziu ishin edhe shokë të ngushtë të idealit, në rrugën e tyre jetësore për çlirim dhe bashkim kombëtar të shqiptarëve.

Më pas Halili dhe Teuta zënë punë në Pozharan  si mësimdhënës në shkollën 8-vjeçare. Këtu, e gjallëruan jetën kulturore të shkollës, të fshatit dhe të rrethinës së tij; gëzonin përkrahje e respekt nga nxënësit edhe nga të gjithë banorët. Nuk kanë thënë kot: “Guri i randë peshon në vend të vet”. Halili këtu ishte edhe më i fortë edhe më i përkrahur, kështu që kjo shkollë lulëzonte në çdo aspekt dhe ishte shembull jo vetëm për shkollat e komunës së Vitisë, por për të gjitha shkollat e rajonit të Anamoravës.

Mirëpo, këto suksese të Halilit, u ranë shpejt në sy punëtorëve të UDB-së jugosllave. Halili përcillej në çdo hap, ndaj me ndikimin dhe përkrahjen e shokut të shkollës Qerim Gashit, për t’i ikur përcjelljes së udbashëve, bashkë me Teutën, më 1962 zënë punë në shkollën 8-vjeçare të Malishevës, aso kohe komunë në vete.

Halili e Teuta kudo që punuan, edukuan dhe arsimuan nxënësit dhe popullin, duke zhvilluar një veprimtare edukativo-arsimore të fuqishme, ngjallën dashurinë e ndjenjën atdhedashëse e arsimdashëse. Prandaj si të këtillë mund ti emërtojmë me plot të drejtë “Mësues të merituar të popullit”

Halil Alidema  me përkrahjen e shokëve dhe ndihmën e akademikut, Ali Hadri, filloi punën në administratën e Fakultetit Filozofik në Prishtinë. Këtu ai zgjeroi rrethin e shokëve e miqve të vet, jo vetëm ndër punonjësit e administratës së Fakultetit, por edhe ndër profesorë e ligjërues, duke gëzuar respekt e autoritet të madh si njeri i fjalës e i besës, si njeri guximtar dhe i vendosur. Për këtë arsye, ai u nxit të filloj studimet në fakultetin e Drejtësisë, të cilat i kreu me sukses. Edhe punën në administratën e Filozofikut e kryente me saktësi e përgjegjësi të lartë. Ai gëzonte autoritet edhe te një numër i madh i studentëve të mbarë Universitetit të Prishtinës, te të cilët do të ketë ndikim dhe frymëzim në domonstratat e vitit 1968, e veçanërisht në ato të vitit 1981 të Pranverës së Madhe Studentore, për të cilat do të dënohet 11 vjet burg të rëndë si udhëheqës i “Grupit të intelektualëve shqiptarë”, bashkë me Ukshin Hotin, Ekrem Kryeziun, Shemsi Reçicën, Mentor Kaçin, Hilmi Ratkocerin etj.

Viti 1968, Halilin e gjeti student të Fakultetit të Drejtësisë, të cilin e mbaroi në vitin 1973. Nën ndikimin e profesor Ali Hadrit, Halili i filloi studimet pasuniversitare dhe më 1978 magjistroi në shkencat historike me temën: “Paqa e Shën Stefanit dhe Ballkani”.

Në fakultetin Filozofik nuk u lejua të punonte si kuadër mësimor, sepse për pushtetin serbosllav politikisht ishte i papërshtatshëm, ndaj ishte gjithnjë i ndjekur dhe i përcjellur nën hetime të rrepta nga shërbime sekrete serbe. Ndërkaq, teza e doktoraturës e përgatitur me titull: “FUQITË E MËDHA DHE BALLKANI”, për shkak të arrestimit dhe dënimit me 11 vjet burg, prej të cilave i mbajti 5 vjet, mbeti pa u realizuar. Viti 1981 Halilin përsëri e gjeti në ballë të demonstratave të studentëve.

Veprimtaria politike e Halilit në Kosovë po vështirësohej shumë. Gjendja politike ishte e papërballueshme. Qëndrimi në Kosovë ishte i rrezikshëm. Atij i rrezikohej edhe jeta nga terrori e dhuna shtetërore ushtarako-policore millosheviçjane. Halili u shtrëngua që veprimtarinë e tij politike dhe organizative ta vazhdojë jashtë Kosovës në ekzil. Fillimisht, më 1992 kaloi në Maqedoni te disa shokë në Shkup, të cilët e përkrahnin moralisht dhe politikisht, por edhe materialisht. Aty kishte një numër të madh shokësh bashkëmendimtarë si: Beqir Mustafë Kabashi, Daim Hyseni, Driton Salihu, Xhevat Ademi, Kadishe Hamiti etj.

Pas një kohe kaloi kufirin shqiptaro-maqedon, u vendos në Shqipëri, në Tiranë, ku si kryetar i UNIKOMB-it zhvilloi aktivitete të intensifikuara në shumë fusha. Ishte organizues i stërvitjes së guerilës së UÇK-së, si diplomat, politikan e orator. Ishte pjesëmarrës në Konferencën e Maltës, që u mbajt në janar të vitit 1993, ku morën pjesë delegacionet e më shumë se 30 vendeve të Mesdheut me temën: “Për paqe, demokraci dhe bashkëpunim”. Në mënyrë të denjë, me një oratori të rrallë e me argumente dhe fakte bindëse, e përfaqësoi Republikën e Kosovës. Madje, në të kthyer nga ky takim, Halili i dha një intervistë RTSH-së më 17 janar 1993 me titull “KOSOVA DËSHMON”, si dëshmi të kësaj interviste konkrete, autori i saj e posedon në fondin e arkivit personal.

Halili në Tiranë vuri kontakt me shumë miq, të cilët jo vetëm që e mirëkuptuan qëllimin e tij, por edhe e ndihmuan në realizimin e tij, ndër ta mund të veçojmë: Fluturak Gërmenji, Vladimir Beja kolonel admiral rezervë, Ramazan Sala, Uzeir Dervishi e shumë të tjerë.

Më 21 gusht 1992, zonja Marjana Gramdis deputete e njëkohësisht kryetare për politikën ndërkombëtare të Austrisë, zhvilloi një bisedë me kryetarin e Partisë së Unitetit Kombëtar të shqiptarëve në trojet etnike, zotin Mr. Halil Alidema, i cili ndodhej për një vizitë pune në Austri. Me këtë rast Jeton Kuta zhvilloi një intervistë me Halil Alidemën. Halili u bë pararendës i UÇK-së. Ai u mor me organizimin dhe vendosjen e ushtarëve shqiptarë nga Kosova në disa qendra stërvitore në Shqipëri, duke u emëruar komandant i parë i grupeve të njësiteve guerile, që do të vinin nga trojet shqiptare për t’u stërvitur në Shqipëri. Halili bënte edhe sigurimin e kuadrit të oficerëve, pedagogëve e ushtarakëve, në organizimin ushtarak të gueriljes, siguronte mjete financiare për teknikën luftarake e uniformat.

Në vitin 1995 e 1996 u bë një punë shumë e rëndësishme, kur ai arriti me sukses të krijojë baza stërvitore në Shqipëri, në Palestrën Sportive “Partizani” në Tiranë, ku udhëheqës i grupit stërvitor ishte me pseudonimin “Agron Ligata”, pastaj Qendra e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Skënderbeu” (Tiranë), njëra nga këto baza, ku nën Komandën e Shtabit Operativ të asaj kohe janë stërvitur edhe Komandantët Legjendar të UÇK-së – ADEM JASHARI e ZAHIR PAJAZITI.

Meritë e veçantë e Halil Alidemës në fushën e propagandës politike e shkencore është edhe botimi i “Libri i Bardhë” në 11.000 ekzemplarë, me emrin “Zani i Kombit” e cila vepër u botua në 5 gjuhë: shqip, anglisht, frëngjisht, italisht dhe serbisht.

Pra, veprimtaria politike e patriotike, si dhe organizative e patriotit të nderuar HALIL ALIDEMËS është shumë më e gjerë sesa të dhënat e shënuara në këtë biografi. Jeta e tij është shumë më e pasur, veprimtaria e tij patriotike shumë më e gjerë dhe më e nduarnduart, ndaj jeta dhe veprimtaria e tij meriton studime më të gjera dhe më të shumta. Ai në të ardhmen do të bëhet burim i pashterrshëm studimi nga shumë historianë, kritik letrarë e atuobiografë të tij.

Jeta e tij është një variant i luftës së pandërprerë për ekzistencë, për realizim synimesh e qëllimesh si ideale jetësore. Ai në jetën e vet u ballafaqua me vështirësi jetësore, me sakrifica shoqërore, me përpjeta e tatëpjeta të aktivitetit të tij personal, me sukses e disfata, me gëzime e hidhërime, jetoi me probleme familjare e kombëtare, i rrethuar me miq e me armiq, të cilët e çmonin apo e nënçmonin, madje edhe e urrenin për veprimtarinë e tij kombëtare. Disa vraponin pas tij, kurse disa iknin prej tij, disa i ndihmonin dhe ja hapnin shtigjet jetësore, kurse disa i vinin prita, kurthe e pengesa. Kishte edhe prej tyre që vraponin ta përqafonin me mallëngjim e dashuri, kurse disa vraponin ta dënonin me plumb mortor. Mirëpo edhe pse Halili përjetoi shumë vështirësi e pengesa, mundime e tortura, ai kurrë nuk u thye, nuk u dorëzua. Përkundrazi, ai u bë më i madh, më i njohur, më i dashur, më i frikshëm për armikun sepse jetoi, veproi e luftoi dhe mori frymë për të gjithë ne, për një popull, për një komb e për një atdhe. Prandaj ai u përcoll në banesën e amshueshme në Tiranë, në mënyrë madhështore me pikëllim e nderim të madh, prandaj sot shkolla Fillore dhe e mesme e ulët në vendlindjen e tij në Pozharan e poashtu edhe rrugica që gjenden në vende të ndryshme të Kosovës si në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj etj. mbajnë me krenari emrin e tij.

Referencat:

Biografi për Halil Alidemën, Libri “Meteorë Lirie” nga Prof. Sabit Alidema, Tiranë 2006.

Sabit Alidema, Ditari personal, Pozheran, 14.03.1998,

Informatë, Ekrem Kryeziu – mik dhe bashkëpuntor i Halilit, Prishtinë, 01.07.2005.

Grup autorësh, “Libri i bardhë”, Tiranë.

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien …