Nga sot, 1 maj 2025, rikthehet në fuqi marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për lehtësimin e procedurave kufitare, e cila parashikon heqjen e kontrolleve për veturat me targa të të dyja shteteve. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të mundësojë lëvizje të lirë, të shpejtë dhe pa pengesa në pikat kufitare, veçanërisht në atë të Vërmicës. Kjo masë do të zbatohet për nëntë muaj të vitit, duke filluar nga 1 maji deri më 30 shtator, si dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt të vitit pasardhës. Marrëveshja, e nënshkruar në pranverën e vitit të kaluar, kishte rezultuar efikase në shmangien e trafikut të rënduar gjatë sezonit turistik dhe në përmirësimin e përvojës së kalimit kufitar për qytetarët. Për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve, autoritetet kufitare në të dyja vendet kanë vënë në funksion të gjitha sportelet e disponueshme, me qëllim që të shmangin pritjet dhe të garantojnë efikasitet maksimal në kalimin e kufirit.
