Analisti Hisen Berisha ka deklaruar se : Pushteti është prova më e vështirë e karakterit njerëzor. Ai mund të shndërrohet në mjet për të ndërtuar shtetin dhe për të shërbyer shoqërinë, por mund të bëhet edhe kurth që të verbon, të korrupton dhe në fund të përmbys. Historia politike botërore është e mbushur me shembuj ku njerëzit e fuqishëm, që dikur sundonin me autoritet, përfunduan përballë ligjit – sepse drejtësia, sado e vonuar, gjithmonë i gjen. Një nga këto raste është ai i ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy. Dikur simbol i forcës dhe krenarisë republikane franceze, sot ai është një i dënuar ligjërisht për korrupsion dhe financim të paligjshëm të fushatës presidenciale. Sarkozy po e shlyen dënimin e tij në burgun “La Santé” në Paris, pasi u shpall fajtor për lejimin e bashkëpunëtorëve të tij që të kërkonin fonde nga regjimi i Moammar Gaddafit për garën e vitit 2007. Nga një president i Francës, në një i burgosur i drejtësisë franceze — ky është shembulli më i qartë i një shteti që nuk njeh të paprekshëm. Fatkeqësisht, në Kosovë kjo filozofi ende nuk ka zënë rrënjë. Këtu, pushteti shpesh shihet si privilegj për t’u mbrojtur nga ligji, jo si detyrim për t’iu nënshtruar atij. Kur prokuroria hesht për njerëzit e pushtetit, kur skandalet mbulohen me patriotizëm të rremë dhe kur drejtësia selektive zëvendëson ligjin, bëhet e qartë se përgjegjësia demokratike mbetet ende e munguar. Kosova, herët a vonë, do ta arrijë atë ditë kur as pushteti, as propaganda, e as flamuri partiak nuk do të mbulojnë abuzimin me detyrën. Sepse drejtësia mund të vonojë, por nuk mungon përgjithmonë. Dhe atëherë, ata që sot e përdorin shtetin për interesa personale do ta kuptojnë se ligji është i njëjtë për të gjithë – ashtu siç e kuptoi Sarkozy dhe siç e mësoi Kohl.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
