Përgjatë vizitës zyrtare dy ditore në Mal të Zi, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, pati një takim me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Mehmed Zenka (Unioni Demokratik Shqiptar), i cili ishte i shoqëruar nga zëvendësministri Leon Gjoka (PDS).
Takimi u zhvillua në një atmosferë shumë të përzemërt ku u bisedua për hapësirën që zënë liritë dhe të drejtat e njeriut si dhe pakicat kombëtare për të dyja vendet, si vlera të çmuara mbi të cilat ndërtohet edhe bashkëpunimi ynë strategjik për të ardhmen.
Ministri, Mehmed Zenka, e shpalosi qëndrimin e ministrisë që ai përfaqëson në qeverinë malazeze, si dhe rolin që kanë pakicat dhe të drejtat e njeriut në Malin e Zi.
Zëvendësministri Hoti e falënderoi ministrin Zenka për pritjen e ngrohtë dhe bashkëpunimin ndërmjet të dyja vendeve, me theks të veçantë, në mundësinë e avancimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës, rinisë e të sportit.
Ai e njoftoi ministrin Zenka se dikasteri që ai përfaqëson është i gatshëm të rrisë bashkëpunimin me qeverinë e Malit të Zi, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes Bilaterale të Bashkëpunimit kulturor ndërmjet MKRS-së dhe Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi, e cila pritet të ndodhë shumë shpejt.