Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se qytetarët po vuajnë çdo ditë nga çmimet e larta të ushqimeve, faturat e rënda të energjisë, pagat që zhvlerësohen dhe mungesa e librave e barnave. Ajo shtoi se inflacioni për shportën bazë ka arritur në shifra dyshifrore, investimet kapitale janë në nivelin më të ulët historik dhe bizneset po përballen me rritje marramendëse të çmimit të energjisë. Në të njëjtën linjë, ekonomisti Shenoll Muharremi e përshkroi situatën si “vetëshkatërrim të ngadalshëm”, duke kujtuar se Kosova tashmë prej një viti është në ngërç politik, me ministra të shpallur ilegalë nga Gjykata Supreme dhe Kuvend të bllokuar. Sipas tij, problemet reale si energjia, deficiti tregtar, inflacioni, shëndetësia dhe arsimi publik po anashkalohen, ndërsa qytetarët dhe bizneset gjunjëzohen nga çmimet astronomike. Kjo situatë është rënduar edhe më shumë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar çdo veprim të legjislaturës së re deri më 30 shtator, duke ngrirë funksionimin e Kuvendit të Kosovës.
