Deputetja e LDK, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po zbatohet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në vend, duke e cilësuar si “të dhunshëm” dhe të papërgatitur për realitetin në terren. Bajrami ka kritikuar përjashtimin e mbi 1.300 kompanive nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike, duke theksuar se ky hap është ndërmarrë pa ekzistuar një treg i lirë funksional dhe pa përgatitjen e duhur institucionale. Bajrami ka ngritur shqetësime serioze edhe për mungesën e transparencës në faturimin e kompanive që janë larguar nga tregu i rregulluar. Sipas saj, deri më sot, më 22 korrik, asnjëra nga kompanitë nuk ka pranuar faturën për muajin qershor. “Pse? S’po dini si me i faturuar? S’po guxoni me treguar sa shumë është rritur çmimi i energjisë për këto kompani? S’po dini si me i kamufluar fitimet marramendëse të Vuk Hamoviqit dhe të NOA-s në emër të këtij ‘liberalizimi’”, ka pyetur ajo. Reagimi i Bajramit vjen në një kohë të ndjeshme për sektorin energjetik në Kosovë, ndërsa bizneset dhe opinioni publik po kërkojnë më shumë qartësi dhe drejtësi në zbatimin e reformave të liberalizimit të tregut.
