Hysen Nahit Rexhepi (18.2.1973 - 11.3.1999)

Hysen Nahit Rexhepi (18.2.1973 – 11.3.1999)

Dhuna serbe që ushtrohej mbi popullin e Kosovës, nga njëra anë, por edhe varfëria e madhe e popullatës së shkelur, sa nga thundra e okupatorit, aq edhe nga injoranca e bartësve të psikologjisë së robit, nga ana tjetër, e detyruan pjesën më të madhe të rinisë shqiptare që ta marrë botën në sy: për t’u shpëtuar ndjekjeve, për të nxënë dije ose për ta fituar kafshatën e bukës. Rinia, si e këtillë, edhepse e thërmuar dhe e dërmuar nëpër rrugët e Evropës e të Amerikës, asnjëherë nuk ra në apati e defetizëm, por nën jastëk palonte shpresat për një të ardhme më të mbarë, për një jetë më të lumtur, për një Kosovë të lirë e sovrane, për një Shqipëri të bashkuar e për një ushtri e cila do ta shkundte barrën dhe marren shekullore.
Plejada e djelmoshave të gatshëm për t’u sakrifikuar për atdheun dhe gjuhën e të parëve, mblidhej dhe organizohej rreth Jusufit, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës, rreth Fehmiut e Xhevës, rreth Hysen Tërpezës e shumë patriotëve të ndjekur këtu e atje. Mirëpo, me daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të dëgjuar krismat e Jasharëve e të Haradinajve, kurbetçarët braktisin mërgimin dhe Perëndimin, i kthehen Kosovës martire që ofshante dhe rënkonte “O sot, o kurrë!”. Për t’u radhitur në rreshtat e Adem Jasharit kthehen: Abedin Rexha – Sandokani, Bekim Berisha – Abeja, Mehedin Morina, Bedri Shala, Xhelal Hajda, Bejtë Rexhepi, Pal Paluca, Fehmi Lladrofci, Milaim Krasniqi e Hysen Nahit Rexhepi i Celinës së Anadrinit, rënë në Jeshkovën e Vrrinit, më 11 mars 1999.
Hysen Nahit Rexhepi është i lindur më 18 shkurt të vitit 1973, në fshatin Celinë të Anadrinit, jo larg strehëve të profesor Ukshin Hotit, të cilin  e mbante për idol dhe nismëtar të çdo hapi të mbarë për Kosovën dhe trojet etnike. Shkollën e mesme, Ceni i Celinës e ndoqi në Prizren, pranë të mesmes ekonomike dhe për mësues e frymëzues, karshi profesor Ukshin Hotit, kishte profesorin  Xhemali Berisha,  edhe  një  anadrinas  i  Brestosit  dhe ndër intelektualët e rrallë që e pati mbështetur profesorin Ukshin. Si nxënës i shkollës së mesme, Hysen Rexhepi aktivizohet në Unionin e Nxënësve të Shkollave të Mesme, që u konstituua në fshatin Hoçë e Vogël të Anadrinit, prandaj edhe shumë herët u sistemua në ilegalet e Drinasit, të Krushës së Madhe e të Drenajt. Merr pjesë në organizimet e manifestimeve të revoltës kundër sistemit të dhunës që u instalua me makinerinë policore serbe, veçanërisht pas vitit 1989. Në janar të vitit 1990 gjendet në ballë të kolonës pranë bashkëfshatarit Agron Fetahu, pranë Nesimi Elshanit, pranë Halim Hotit e pranë Hilmi Krasniqit, të gjithë dëshmorë të kombit. Aktiviteti i çerdheve të ilegales anadrinase që zhvillohej para hundëve policore, shtrihet me një dinamikë më të shpejtuar, prandaj edhe policia i bjen në gjurmë jo vetëm Hysenit, por edhe të vëllait, Blerimit, prandaj që nga viti 1992 fillojnë bastisjet në gjirin familjar të kurbetçarit Hysen Rexhepi në Prizren. Për të shpëtuar, Hyseni mërgon në Zvicër. Vendoset në Cyrih e më pastaj kalon në Gjenevë. Atje, përveç punës fizike, vazhdon aktivitetin patriotik të filluar më parë, stërvit në kuadër të disiplinave të sporteve  luftarake të cilat i përfundon me sukses dhe afirmohet si sportist i dalluar.
Menjëherë pas informatës se një grup mërgimtarësh po përgatitej për t’iu kthyer Kosovës, prej Llozane niset për në Shqipëri. Vendoset fillimisht në Laprakë të Tiranës, kurse më 14 prill 1998, së bashku me një grup të cilit i printe Haxhi Hoti, komandant Lleshi, i Rogovës së Hasit, Hysen Rexhepi përgatitet për ta thyer Pashtrikun dhe më 20 prill gjendet në fshatin Drenaj të Anadrinit, së bashku me Mensur Zyberajn, Bedrush e Fehim Gashin dhe Selajdin Mullabazin – Micin, e në Drinas me luftëtarët: Isak Hoti, Ruzhdi Krasniqi, Qemajl Krasniqi, Smajl Latifi, Naser Krasniqi, Bahtjar Hoti, Visar Hoti e Safet Latifi, sot dëshmorë, veteranë e invalidë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tashmë fillon jetësimi i doktrinës luftarake, të cilën e kishte përvetësuar në qendrat stërvitore për intervenime të shpejta. Merr pjesë në aksionin për tërheqjen e shokëve nga Prita te Ura e Piranës,  më  24  prill,  në  Betejën  e  Bardhatinit,  më  12 maj,  në Betejën e Gardhishtit më 14 maj, e në Betejën e Drinasit më 6 qershor. Goditjet më të rënda i pësoi me rastin e rënies së Fehim Gashit, Sakip Bellaqës e Përparim Thaçit, më 27 maj, të Naser Krasniqit më 6 qershor,  të Haxhi Hotit, më 8 qershor të vitit 1998, të Sadri Thaçit më 16 qershor e të Sahit Krasniqit më 29 janar 1999, në Rogovë të Hasit.
Megjithatë, Beteja e Kromnikut, më 16 qershor, Hysen Rexhepin e gjeti të fortë e shumë të përgatitur, prandaj arriti të shkëlqejë duke avancuar në drejtimin Bokat e Kromnikut – Ura e Rakovinës, ndërsa në luftimet përreth fshatrave Zaçishtë, Apterrush e Reti, Hysen Rexhepi u bë shembull i djelmoshave të Adem Jasharit, në Rrafshin e Anadrinit.
Pas Betejës së Rahavecit, Hysen Rexhepi, nëpërmjet Qafës së Pagarushës dhe të Dobërdelanit kalon në arealen luftarake të Vrrinit dhe shquhet në luftimet përreth Lezit dhe Jeshkovës, ndërsa pas këtyre ofansivave, mungesa e municionit dhe e armatimit e detyruan që edhe njëherë të shkojë në Shqipëri për t’u riarmatosur.
Më 22 shtator 1998, Xhelal Hajda – Toni e Selajdin Mullabazi – Mici, sipas instruksioneve të Shtabit të Përgjithshëm, fillojnë riorganizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, prandaj, pas depërtimit nëpër fshatrat: Kushnin, Romajë, Rogovë, Piranë, Krushë e Vogël, Krushë e Madhe, Nagac e Hoçë e Vogël, vendosen në fshatin Reti të Anadrinit. Në këtë fshat arrin edhe Hysen Rexhepi, së bashku me djelmoshat e Njësisë Speciale të komanduar nga komandanti Nehat Basha dhe kështu zuri të riorganizohet edhe Brigada 125 e Zonës Operative të Pashtrikut, krahas brigadave 123 në Samadraxhë, jo larg Retisë dhe brigadës 124 “Gani Paçarizi”, me batalionet e Anadrinit.
Hysen Rexhepi pretendonte për ta zhvilluar këtë brigadë, duke e riorganizuar për ta shtrirë kah Vrrini; për ta vendosë në lugjet dhe prozhmet e Jeshkovës duke e zhvilluar kah Luma, Hasi dhe Opoja. Dimri i vrazhdë i Retisë, për brigadën 125 dhe për njësitin e komandant Hysen Rexhepit, kaloi me stërvitje të shpejtuara deri më 10  mars 1999.  Kështu,  ky  njësit  braktis  Anadrinin dhe Retinë duke shfrytëzuar drejtimin: Reti – Qëndresë – Piranë – Tupec – Atmagjë – Nashec e Kobaj. Nën komandën e Hysen Rexhepit njësiti pretendon ta marrë Jeshkovën, ta vendosë shtabin e Birgadës 125 dhe ta jetësojë konceptin e komandantit Remzi Ademaj, e kështu më 11 mars fillon Beteja e Jeshkovës, në të cilën marrin përjetësinë: Alajdin Xhezairi, Bashkim Suka, Besnik Kastrati, Hajdar Shala, Hamit Thaçi, Feriz Susuri, Tahir Gashi, Skënder Latifi, Ymridin Çengaj dhe në krye të tyre edhe komandanti i Njësitit për Intervenime të Shpejta, Hysen Nahit Rexhepi. Në luftimet e Jeshkovës, atë ditë e sot, u zhdukën  dhe nuk dihet gjë për Ymer, Nuredin, Hilmi e Shemsidin Shalën, Shehadin e Musli Gashin, Rexhep Budurin, Faik Begajn e Musli Avdajn, por edhe për shumë banorë të Jeshkovës.
Atë ditë, më 11 mars të vitit 1999, Jeshkovën heroike e mbuluan dhe e rrethuan hordhitë e egra barbare; ushtarake, paramilitare dhe policore serbe. Mbi pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u hodhën predha, xhyle e breshëri plumbash të çdo kalibri. Në këtë fshat zhvillohet njëra prej betejave më të ashpra. Sulmoi këmbësoria serbe, e shfrenuar dhe e çmendur, bandë ordinerësh për të bërë maskra mbi popullatën civile. Beteja zhvillohet në afërsi “fyt për fyti”, por luftëtarët e lirisë, të prirë nga Hysen Rexhepi dhe Samedin Xhezairi, i njohur si komandant “Hoxha” bëjnë rezistencë të pashoqe duke u përballur me kundërsulme hordhive të egërsuara e të dehura serbo – çetnike, kur bjen edhe komandanti Hysen Rexhepi.
Varrimi i “Dëshmorëve të Vrrinit” u bë më 17 mars 1999, në “Varrezat e Pagarushës”. Kështu, atë të mërkurë, në lëndinën e mbuluar me dëborën e pragut të pranverës, si pranverat e djelmoshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej Prizreni arrinin turma për të marrë pjesë në përcjelljen e fundit, e cila nëpër terr iu bë dëshmorëve të rënë në Betejën e Jeshkovës. Kështu, bijtë më të mirë të kombit pushuan në prozhmet e Pagarushës deri më 15  tetor  të  vitit  1999, kur me përcjellje solemne u sollën e u vendosën me nderime të larta ushtarake në “Kopshtin e Dëshmorëve”, në Landavicë dhe sot prehen pranë komandantëve: Remzi Ademaj, Ekrem Rexha e Tahir Sinani.
Hysen Rexhepi, djalosh zeshkan, i lindur dhe i rritur në një familje me tradita patriotike, për herë e ndjekur dhe e persekutuar, ishte shumë i vendosur, kishte karakter të fortë, ishte i kalitur mirë nëpër valët e jetës, në vendlindje, në Prizren dhe në mërgim, luftëtar i denjë, me të vëllanë Astritin, lufëtar nëpër trojet etnike, me Arbenin e persekutuar. Në gjirin familjar të vatrës Rexhepi, në fshatin Celinë të Anadrinit ka 18 anëtarë të ekzekutuar në ditët e para  të pranverës së vitit 1999.
Sot mbi lapidarët e mermertë, në Jeshkovë e Landavicë, vargjet e bukura për të anë dëshmor i reciton Diellëza, bonjake që po rritet në prehrin e ngrohtë të gjyshes Fahrie, duke dëgjuar rrëfime për babanë, dëshmorin Hysen Rexhepi, bashlëluftëtarin e Fehmi Lladrofcit, të Remzi Ademajt e të Xhevat Berishës. E me shkrimet e tyre, sot dëshmorin Hysen Rexhepi e pëkujtojnë; Abedin Balaj e Rajmonda Maleçka, ndërsa një rapsodi për Hysen Rexhepin dhe të gjithë dëshmorët e Jeshkovës e këndojnë rapsodët luftëtarë Zenel Zekolli dhe Hamëz Llapçeva.
Në familjen e dëshmorit ruhen shumë faqe dorëshkrimesh historike (ese), një tekst kënge dhe në Shtandin e Muzeumit historik janë dorëzuar pushka, uniforma, thika, një xhemper dhe ora e dëshmorit. Ndërsa, në ditët e dëshmorëve të Jeshkovës, Diellëza, nxënëse e klasës së katërt, bijë e Hysenit, reciton vargje për babanë dhe dëshmorët e kombit. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Shemsi Xhafer Istrefi (20.8.1977 - 27.4.1999)

Shemsi Xhafer Istrefi (20.8.1977 – 27.4.1999)

Dëshmori i kombit, Shemsi Istrefi, rrjedh nga një familje që kishte zbritur nga bjeshkët e …