Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka deklaruar se aktualisht rreth 37 mijë veteranë marrin pension nga shteti, por se shifra e saktë nuk dihet për shkak të mungesës së përditësimit të të dhënave dhe vdekjeve të fundit në radhët e veteranëve. “Janë afër 37 mijë që marrin pension, por shifër të saktë nuk kemi pasi nuk e dimë sa veteranë kanë vdekur brenda këtyre dy-tre muajve”, tha Gucati. Procesi i pastrimit të listave të veteranëve, një nga premtimet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje para ardhjes në pushtet, sipas Gucatit, vazhdon të jetë i bllokuar pikërisht nga vetë pushteti aktual. Ai theksoi se Organizata e Veteranëve është e gatshme të bashkëpunojë, por se përgjegjësia për mosveprim bie mbi Qeverinë. “Jo, përkundrazi, ai (Kurti) e ka blloku procesin. Ne, Organizata e Veteranëve, jemi të hapur për atë punë. Tek ne nuk ka pengesë, as nuk është problem i joni. Kurdo që arrijnë atë sukses, veç e duartrokasim dhe e mirëpresim”, tha Gucati. Megjithëse pranon se pastrimi i listave është i domosdoshëm, Gucati shton se aktualisht procesi është pothuajse i pamundur për t’u realizuar, duke theksuar se “çështja tash i mbetet drejtësisë”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
