Pas publikimit të përgjimeve tronditëse në emisionin “Debat Plus”, ku protagonist ishte Hysri Selimi, i arrestuar për spiunazh, televizioni Dukagjini ka vijuar hulumtimet dhe ka zbuluar detaje të reja lidhur me lidhjet e tij me shërbimin serb të inteligjencës. Burime të sigurta konfirmojnë se oficeri i Shërbimit Informativ të Serbisë, Igor Babiq, është një nga personat që ka komunikuar me Selimin. Babiq, i lindur në vitin 1975 në Gjilan, është aktualisht oficer aktiv i BIA-s në Nish, Serbi, dhe ka ndikim të madh në rajonin e Gjilanit, ku konsiderohet si një nga figurat kyçe për ruajtjen e pushtetit të Listës Serbe. Babiq ka pasur një rol të rëndësishëm në strukturat e UDB-së gjatë viteve ’90 dhe është i lidhur ngushtë me rrjete të spiunazhit dhe ndikimit në Kosovë. Komunikimet mes Babiq dhe Selimit nxjerrin në pah një rrjet të organizuar, i cili ka pasur për qëllim dëmtimin e sigurisë kombëtare të Kosovës. Agjencia Kosovare e Inteligjencës ka siguruar të dhëna që tregojnë për disa udhëtime të dyshuara të Selimit në Serbi, të cilat dyshohet se kanë qenë pjesë e një aktiviteti të koordinuar për të minuar sigurinë e Kosovës. Ky zbulim ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me sigurinë e Kosovës dhe mundësinë e infiltrimit të rrjeteve të huaja në institucione të rëndësishme të shtetit.
