Ibrahim Shala - NJERIU NUK MUND E ZGJEDH KOHËN E LINDJES E AS KOHËN E VDEKJES, POR AI ZGJEDHË MËNYRËN E JETESËS 

Ibrahim Shala – NJERIU NUK MUND E ZGJEDH KOHËN E LINDJES E AS KOHËN E VDEKJES, POR AI ZGJEDHË MËNYRËN E JETESËS 

Në kujtim të jetës dhe veprës së Maxhun Sahit Halitjahës  ( 6 gusht 1932 – 3 shtator 2021)

Maxhun Sahit Halitjaha ka lind me 6 gusht 1932 në një nga familjet më të mëdha në Mushtisht të Suharekës. Familje  tradicionale shqiptare e njohur dhe e respektuar në fshat  dhe rrethinë, me një rreth shumë të gjerë njohje dhe miqësie.

I detyruar nga rrethanat për mbijetesë edhe Maxhuni si shumë shqiptarë të tjerë ka punuar si punëtorë fizik në Beograd nga viti 1965 deri me 1977. Pas kthimit në fshat kreu me nderë detyrën e zotit të shtëpisë në bashkësi familjare me dy vëllezërit e tij, duke lanë nam të mirë si familje në zë dhe mikpritëse për të gjithë  ata që ja mësyn shtëpisë së tij.

Koha e veprimtarisë atdhetare ilegale 

Për shkak të veprimtarisë së  djalit të madh Sadikut   shtëpia e Maxhunit ishte bërë adresë e njohur e shumë veprimtarëve të lëvizjes ilegale atdhetare, e familjeve të të burgosurve politik dhe veprimtarëve të kohës. Ai nuk hezitoi  që të ndihmoj familjet e të burgosurve që ishin në gjendje të vështirë ekonomike, pasi kishte kushte më të mira ekonimike se shumë të tjerë, pasi i punonin dy vëllezërit (Mertezi  dhe Veseli) dhe djali i dytë (Alushi)  në Gjermani. Ai nuk kurseu asnjëherë ndihmën dhe strehimin posaçërisht për veprimtarët e lëvizjes që kishin kaluar në ilegalitet. Një shtëpi dhe një odë që  për miqtë dhe patriotët ishte gjithmonë derë e hapur, odë që ka pritë e përcjellë nga të gjitha trojet e Kosovës. Ai gjithmonë mysafirët i priste me bujari dhe buzëqeshje të lehtë, nuk kursente asgjë për të nderuar mikun. Maxhuni për nga natyra ishte fjalë pak,  por  fjalë të matura dhe të qëlluara, por më shumë se fjalët fliste vepra, ishte pritja bujare sa herë do të shkonte një mik, një shok, një veprimtarë, sepse ai e kishte kuptuar me kohë, se sa më shumë  njerëz të jemi në vijën kombëtare, jemi më të fortë ndaj shkjaut dhe Serbisë.

Kjo ishte mikpritja shqiptare tradicionale  e pa kushte, derën e hapur gjithmonë për mikun dhe  veprimtarët patriot. Për rrethanat kohore kjo ishte mbështetja më e madhe për djemtë e tij,  kurajo e   fuqishme, kjo ishte qëndresa malësorit patriot shqiptar, të rrijë prapa djemve në veprimtarinë e tyre atdhetare dhe të mos ligështohej  nga presioni i Serbisë dhe shërbëtorëve të saj.

Ai edhe me veprimtari konkrete organizative ishte mbështetës i fort i lëvizjes kombëtare, duke na ndihmuar në  ruajtjen e fshehtësisë, fshehjen e materialeve e të armëve. Ishte pikë kontakti dhe përcjellës i saktë i porosive nga një person  tek personi tjetër. Kur djemtë  ishin jashtë  shtëpisë ai i kryente lidhjet dhe kontaktet me shokët e lëvizjes. Ai nuk u ligështua edhe kur ja arrestuan djemtë, Sadikun tri herë dhe  djalin e vogël   Hajdinin ende në moshë jo madhore,  përkundrazi ai së bashku  me  gruan Fazilen, ju shkonin pas në vizita e ju kryenin porositë e djemve e të shokëve të tyre! Vuajtjet ishin më të rënda kur ja burgosnin djalin  e nuk e dinte ku gjendet dhe a ishte i gjallë, por ai nuk e shfaqte dhimbjen, nuk jepej në asnjë moment.

Lufta e UÇK-së 

Kur lufta e UÇK-së filloi, Maxhuni me Rexhë Halitjahën (kushërini i tij  i parë)  dolën në stanet e tyre në Padesh (përballë fshatit Maqitevë) me aq pak shtazë që i kishin kah dy lopë e një buallicë, me arsyen vetme për ti furnizuar ushtarët me ushqim e rroba, kryesisht Skuadrën e Padeshit që ishte në kuadër të kompanisë së tretë në Batalionin e  II-të të Brigadës 123 të Zonës Operative të Pashtrikut – ZOP. Maxhuni ishte  lidhur ngushtë me luftën për vet faktin se djalin e madh Sadikun e kishte Komandant ZOP dhe nipin Betimin e kishte ushtarë në njësinë speciale në Budakovë. Ai ishte një baba i fortë  dhe krenar edhe kurë në shtator të vitit 1998 vizitoi në Budakovë Sadikun e plagosur, sepse ishte shumë i vetëdijshëm se liria pa gjak nuk fitohet. Kurë u lëshua thirrja e Shtabit të Përgjithshëm  për mobilizimin e përgjithshëm nga 17 deri në 70 vjeçar,  Vetë plaku  Maxhun Halitjaha mori armën dhe bashkë me Rexhë Halitjahën  ju bashkuan UÇK-së.

Në fillim u angazhua në Maqitevë  në kompaninë e tretë nën komandën e Hallil Krasniqit, pastaj në Buzhal në kompaninë e IV-të nën komandën e Raxhë Buzhalës, pastaj në Llanisht në njësinë e komandant Gurit në  Batalionin Diversanto Vëzhgues. Nga Llanishti në Nishor në njësinë  Syri i Shqiponjës. Maxhuni ka qenë i armatosur me një snajper të prodhimit gjerman dhe gjithmonë ka qenë  i shoqëruar  me kushëririn e tij Rexh Halitjahën si në beteja ashtu edhe në roje të njësive.  Me këtë akt ai jo vetëm që kreu detyrën e vet ndaj vendit, por ja shtoi lavdinë vetës dhe familjes  së tij, duke  rreshtuar  në radhët e UÇK-së  tre breza të familjes; vet Maxhuni, djali Sadiku dhe nipi  Betimi, krenari e madhe  brez pas brezi.

Jeta në liri 

Maxhuni pati një pleqëri të mbarë, pati jetë dhe e priti  lirinë e Kosovës që edhe vet kishte kontribuar për çlirimin e saj. Pa shpalljen e pavarësisë, krijimin e ushtrisë dhe  funksionimin e Republikës së Kosovës  që aq herë ishte përmend në odën e tij dhe në prani të tij. Sigurisht se ai nuk  u pajtua kurrë dhe ka shprehur disa herë pakënaqësinë me faktin se si ka mundësi që djali i madh  Sadiku me gjithë atë kontribut kombëtarë për këtë vend para lufte,  me kontributin dhe gjakun e derdhur gjatë luftës çlirimtare,  në shtetin e lirë e të pavarur të Kosovës, djali i tij të ngelet i papunë dhe të jetojë me   pensionin e invalidit të luftës. Kjo ishte për të mosmirënjohja më e madhe dhe pengu më i madh nga kjo jetë. Ndjehej shumë i kënaqur nga vizitat e shumta që i bënin  veteranët dhe veteranet e UÇK-së, nga nderimi dhe respekti që tregonin për të dhe familjen.

Pas lufte ai jetoj një  jetë të lumtur e të qetë, pasi kishte pranë gruan Fazilen e cila u nda nga jeta në vitin 2015, por pati kujdesin e vazhduar të  familjes. Respekti, trajtimi dhe përkujdesi ka qenë shembullor, atij  kurrë nuk i mungoi asgjë edhe pse  pati nevojë të përkujdesjes aktive gjatë dy viteve të fundit.

Ne moshën 89 vjeçare (3 shtator 32021) ai u nda nga jeta, ku ju dha lamtumira e fundit në kushte të jashtëzakonshme. Në kohë pandemie me masa shtrënguese të sigurisë, me pakë njerëz u përcoll një zemër  bujare, një shqiptarë patriot, një trim dhe një luftëtarë, një veteran i UÇK-së.  Kjo mënyrë e kufizuar e ceremonisë së varrimit nuk e zbeh madhështinë e jetës  dhe veprës së Maxhun Halitjahës. Njeriu nuk mund të zgjedh kohën e lindjes e as kohën e vdekjes, por ai zgjedhë mënyrën e jetesës.

Lavdi për jetë njeriut që pakë foli e aq shumë dha për atdheun.  Nderë dhe respekt familjes dhe bashkëluftëtarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: Ndërhyrja në Maqedoni të Veriut, e pamoralshme dhe politikisht e dëmshme

Kurrë nuk ka qenë një situatë më dyfytyrëshe sa i përket të kaluarës së lavdishme …