Ibrahim Shala: SAGA E MALMIRIT - Ahmet QERIQI

Ibrahim Shala: SAGA E MALMIRIT – Ahmet QERIQI

Pasi  mu dha libri në dorëshkrim “Saga e Malmirit”, që ta lexoja për të shkruar recensionin, u ndjeva i nderuar dhe i privilegjuar. Me autorin  Ahmet Qeriqi kemi pasur njohje personale, marrëdhënie të mira shoqërore  dhe fatmirësisht kemi pasur diskutime  të nivelit intelektual në shumë fusha si; art, politikë, letërsi, histori e të tjera.  Që në fillim duke e lexuar romanin pata një ndjenjë të veçantë të pa përjetuar më parë, më dukej sikur po vijoja një bashkëbisedim real me autorin të filluar kohë më parë, sepse ai po tregonte përmes shkrimit gjëra që nuk i kishim biseduar për të gjallë të tij. Sikur fillimisht mi thoshte vetëm mua, ende pa ua shpërndarë të tjerëve. Çuditërisht kjo ndjenjë më bëri të ndihesha shumë i privilegjuar, e përjetoja sikur autori e shprehte personalisht një besim të përzgjedhur ndaj meje.

Romani “Saga e Malmirit”, e autorit Amet Qeriqi, është botuar në vitin 2025, nga shtëpia botuese “Radio Kosova e lirë”, shtypshkronja “Shkrola” dhe ka 271 faqe. Libri ndahet në dy pjesë, pjesa e parë ka 11 kapituj kurse pjesa e dytë ka 9 kapituj. Në fund të librit është dhënë biografia e autorit dhe  regjistri i veprave të publikuara të tij. Libri i përket llojit të romanit historik. Në të është e trajtuar historia familjare  e autorit, ku krye personazh është  gjyshi i tij, për shkak të profesionit të hoxhës  i njohur me emrin si  Mulla Jemini. Kuptohet jeta e personazhit kryesor trajtohet në kontekst, të familjes, fshatit, zonës, Kosovës  deri në nivel kombëtarë, me tërë kompleksitetin e ngjarjeve të kohës. Në roman si pjesë e familjes është përfshirë edhe fëmijëria e autorit, moshë kjo kur fillon të formësohet personaliteti i njeriut.

Tema e shtjelluar në   roman

Titulli i romanit “Saga e Malmirit” është zgjedhur me qëllim nga autori, sepse fjala “Sagë” i përshtatej shumë përmbajtjes së romanit, sepse ka një kuptim të gjerë dhe përmbledhës.  Saga: “Në kuptimin e gjerë, ajo nënkupton një tregim të gjatë e kompleks për jetën e një familjeje ose një serie ngjarjesh historike”.(IA) Ky shpjegimin që më dha inteligjenca artificiale (IA) ishte shumë më i saktë se ai i fjalorëve shpjegues të shqipes.

Romani ka në qendër  historikun e familjes së autorit nga fillimi i viteve të para të shekullit 20, deri në përfundimin e aksionit të mbledhjes së armëve nga shqiptarët në vitin 1955/56. Tema qendrore e romanit është aksioni i armëve  i bërë  në  Kosovë, kinse për të mbledhur  armët nga populli të mbetura nga koha e Luftës Dytë Botërore, por në fakt qëllimi kryesor ishte që të rritej presioni mbi shqiptarët, të ju bëhej jeta e padurueshme  dhe ata të shpërngulen sa më shumë për në Turqi. Aksioni ishte i drejtuar nga kryetari i shtetit federativ Tito, ministri i brendshëm Aleksandër Rankoviqi dhe krerët shtetërorë të Serbisë, i përkrahur edhe nga  pushtetarët komunist të Kosovës. UDB-ja  ishte organizata që e ekzekutonte në praktikë, duke përdorur si mjet  vetë partinë dhe policinë e shtetit, për të dalë me sukses në këtë veprimtari kriminale antishqiptare.

Në roman përshkruhen edhe histori shumë të vjetra, që transmetohen përmes  tregimeve të personazheve të moshuar ose përmes bashkëbisedimit të tyre. Romani trajton jetën e fshatarëve të Malmirit (Kroimirit) me të gjitha sfidat e saj, prej se është themeluar fshati në atë pjesë të Kosovës. Nga romani krijohet përshtypja se ata banorë, janë aty prej si është krijuar jeta, se janë të lidhur në mënyrë të pandashme me  malet, arat, lumenjtë dhe grykat. Jeta është shumë e vështirë, dhe ajo gjithmonë  bëhet   për mbijetesë,  çdo herë  është e varur për fije të perit. Por duket se këto vështirësi nuk mjaftojnë për këta  banorë, që u ka sjellë natyra dhe kushtet e rënda të jetës, por i shtohet edhe shtypja dhe terrori i  pushtuesve të çdo kohe, që derdhin mllefin dhe  terrorin mbi malësorët  krenarë, të pa bindur dhe  pa e ndryshuar qenien e tyre me palcë shqiptare.  Ngjarjet e  përshkruara në roman  për fshatin Malmir, janë edhe tipizim i gjithë asaj që ka ndodhur  me ‘aksionin e mbledhjes së armëve’ në tërë territorin e Kosovës, e sidomos në ato zona ku rezistenca  kombëtare kundër pushtimit serb dhe jugosllav kishte qenë më e theksuar.

Harku kohor i ngjarjeve

Autori përshkruan me mjeshtëri lidhjen e fortë dhe të natyrshme  me vendin ku e kishin zgjedhur të jetonin të parët e tyre të hershëm, dhe këtë lidhje e quan si diçka ‘ataviste’. “Fati i malmirasve ishte bërë një me tokën, pyjet, gurët, dheun, ujin, kafshët e buta e të egra, shpendët, që fluturonin dhe venin e vinin nga viset e largëta”.  (f. 17.). Kuptohet se kjo histori nuk përshkruhet e  ndarë nga kafshët e dashura shtëpiake,  që u mundësonin këtyre banorëve të përballonin një jetë  kaq të vështirë. Për nga rëndësia autori ndër të parat i radhitë dhitë dhe qentë, ku e shtjellon edhe arsyen e këtij vlerësimi.

Në roman historia fillon me legjendat, pastaj vijnë historitë me petk fetar, secili pushtues kishte sjellë fenë e re, duke e interpretuar në gjuhën e tij  dhe sipas interesave të mbretërisë pushtuese   që përfaqësonte. Të gjitha këto fe të reja bashkë me presionin e pushteteve sunduese të tyre, nuk mundën ta shkulnin kujtesën pagane të malësorëve,  që aty jetonin të lidhur së bashku me malet nga kohët e lashta. “Në traditën e tyre kishte mbijetuar “Ligji i Maleve” më vonë i kodifikuar si “Kanuni i Lekës”. Vinin e shkonin pushtuesit, vendosnin ligje e zakone, por asnjë nuk i përballonte Kanunit të pashkruar, të cilin pleqtë e mësonin përmendsh, pa ditur shkrim lexim”. (f. 20). Me kanunin edhe malësorët e Malmirit kishin kaluar bashkë disa qindra vjet,  sa ishte shtresuar thellë  në vetëdijen e tyre shoqërore.

Autori për shkruan shkurtimisht periudhën historike nga perandoria mesjetare serbe e Rashës, pushtimin 500 vjeçar të perandorisë Osmane. Pastaj përshkruan luftërat Ballkanike, Luftën e Parë Botërore, pushtimin bullgar dhe përsëri ripushtimin nga Serbia. Ai me mjeshtri përshkruan edhe kodin e mbijetesës dhe të rezistencës së këtyre malësorëve nëpër kohë të liga të historisë.  “Ishin lidhur ngushtë me tokën, gurët, shkurret, me barin e bërë shkrumb të verës dhe gjatë dimrit, me acarin, që i zinte të gjitha shtigjet. Ishin bërë një me tokën. Sa më shumë i sulmonin, aq më të qëndrueshëm bëheshin. Sa më shumë që i vrisnin aq më shumë lindnin, sa më shumë që duronin për bukë, aq më të kalitur bëheshin, ata, që arrinin të mbijetonin…” (f.  26.)

Autori duke i përshkuar shkurtimisht i  kalon shpejtë etapat historike, por pa e humbur fillin dhe lidhshmërinë e tyre dhe del te epoka e pas Luftës së Dytë Botërore. “Malmirësit lindnin, disa edhe rriteshin, disa edhe arrinin pleqërinë, por nga viti 1455 kur ishte bërë regjistrimi i kohës së Sulltanit, dhe fshati kishte pasur gjashtë vëllazëri e 16 shtëpi, në vitin 1945 rreth 500 vjet më vonë, kishte arritur në gjashtë vëllazëri dhe në 40 shtëpi”. (f. 28.) Se cila ka qenë historia e Malmirit, më së miri  e tregon vetë fakti se për 500 vjet janë shtuar vetëm 24 shtëpi.

Përmbajtja e përmbledhur e romanit

Autori e fillon tregimin e përmbajtjes kryesore të romanit, me  ngjarjet e dimrit të egër  të vitit 1955/56 në Malmir. “Dimri i viteve 1955-1956 do të mbahej mend në Malmir edhe për Aksionin e Grumbullimit të Armëve. Ai vit, kishte lënë prapa dhunë, gjymtime, kishte thelluar ndasitë, kishte egërsuar njerëzit dhe i kishte hapur rrugë edhe ikjes nga fshati të familjeve të caktuara, të cilat në vazhdimësi kishin qenë shënjestër e regjimeve të huaja…” (f. 29). Banorët jetonin  me prerjen dhe shitjen e drurëve, aktivitet tjetër nuk kishin atë dimër, por edhe kjo ndëshkohej  sepse bëhej në “Malet e dërzhavës”.

Fshati jetonte me ritmin e tij dhe përgatitej për të kaluar dimrin që po vinte. Deri në ato ditë të rënda të fillimit të aksionit të armëve, ngjarje të mëdha në fshat kishin qenë; ‘mbytja e kaut’, ‘mbytja e varfanjakut’ dhe  ‘mbytja e ujkut’, të përshkruara në kapituj të veçantë por që kanë simbolikën e vet paralajmëruese. Kau mbytet për shkak të mungesës së ushqimit dhe si i pafuqishëm në sfidën e parë  mbytet aksidentalisht me dru nga fqinji i pronarit dhe atë duke i ndihmuar. Po ashtu mbytja e  varfanjakut nga goditja me  kondak të pushkës nga ‘shumari’ serb, ku djali vdesë pas dy jave sepse ishte edhe shëndetlig. Mbytja e ujkut, më tepër i vë në sprovë  qentë e fshatit që nuk kanë guxim të sulmojnë edhe ujkun e ngordhur. Këto tri tregime që përshkruajnë varfërinë e thellë, dobësinë fizike  dhe frikën e qenve për t’i rënë ujkut, paralajmërojnë kohë të liga që do të bien mbi kurrizin e banorëve të fshatit Malmir.

Ngjarja thelbësore  fillon me kapitullin “Erfija”, fjalë që e ka përdorur populli për aksionin  e mbledhjes së armëve në dimrin e egër të viti 1955/56. Në këtë kapitull na del për herë të parë emri i krye personazhit, i Mulla Jeminit, i biri i Miftarit të  Malmirit. Në jetë dhe  në roman autori Ahmet Qeriqi (Urtani), është djali i Zanit, e ky është djali i madh i Mulla Jeminit. Mulla Jemini është gjyshi i autorit Ahmet Qeriqi. Kur fshatarët i tregojnë Mulla Jeminit për  shtrirjen e aksionit të armëve edhe në fshatin e tyre ai shprehet se: “Janë këta komunistët, kjo fara e keqe e sllavit që na solli Serbinë në Kosovë. Këta, 10 vjet më parë votuan në Prizren, mbetjen e Kosovës nën Serbi, e tash “luaje macë kryet e buallit”. (f. 58.) Hoxha i ka të qarta  pasojat negative të vendimeve historike antishqiptare.

Duke kaluar nëpër mend rininë e tij Mulla Jemini kujton se çka kanë kaluar shqiptarët. “Dimri i vitit 1912-1913 kishte qenë fatal për popullatën e Lumës, Dibrës, Shqipërisë e Kosovës”. (f. 60.) Ishte viti i pushtimit të Kosovës nga Serbia dhe marshimi drejtë Shqipërisë përmes Lumës. Mulla Jemini ishte nxënës në Medresenë e Prizrenit, ai  bashkë me shokët e vet ia mësyjnë drejtë Lumës ku po organizohej mbrojtja. “…shumë të rinj shqiptarë iu kishin bashkuar radhëve vullnetare të Elez Isufit e Islam Spahisë. Së bashku me mulla Rexhepin e Brodosanit, me Dan Drenin e Llapushës, Jak Zemanin e Negranit dhe një vushtrrias, tregtar në Prizren ….”. (f. 60). Shkrimi  në kursiv paraqet  të dhënat dhe përshkrimet që janë nxjerrë nga një kronikë e pa botuar, e që në fakt është një fletore kujtimesh e Mulla Jeminit,  përmes të cilës autori e shkurton kohën e zhvillimit të ngjarjeve historike në roman, dhe ato prezantohen si të vërteta  të një kronike historike të shkruar.  “Hoxhë Jemin Malmiri, asokohe kishte qëndruar në viset Lumës e të Dibrës të pushtuara nga forcat e Aleancës së Krishterë. Kishte njohur nga afër Islam Spahinë, Elez Isufin, Bajram Currin, Muharrem Bajraktarin, Hasan Prishtinën, Hoxhë Kadri Prishtinën dhe shumë autoritete të kohës”. (f. 61).  Për dy vjet hoxhë Jemini me shokë ishte zënë rob nga bullgarët dhe ishte mbajtur në  qytetin e Qystendilit në Bullgari. “Në Pranverë të vitit 1918 së bashku me Mehë Henesin, Riza Zogun, Brahë Allurin, Man Blinishtin e të tjerë, kishin dezertuar nga ushtria bullgare dhe pas tri javësh, duke ecur këmbë nëpër malet e Bullgarisë e të Maqedonisë, së bashku me shokët, kishte arritur të kthehej në Malmir...” (f. 62).

Duke ndjerë rrezikun, se i pari që do të keqtrajtohet në fshat  nga UDB-ja do të jetë hoxhë Jemini,  djali i madh Zani  i propozon ta zhvendos te një mik në Prishtinë. Por Hoxha nuk pranon: “Jo mor bir. Nuk iku unë nga katundi, as nga shtëpia. Ka qe 45 vjet që po ballafaqohem me shkaun e zi dhe sa ka thanë Zoti do të qëndroj, se nuk bahet ndryshe. Çka do të thonë këta dhe krejt katundi? Iku hoxha dhe e shpëtoi veten. Jo, jo, kjo punë nuk bahet, për sa të jem gjallë, kishte thënë, hoxhë Jemini”. (f. 64.) Hoxha nuk pranon të shpëtojë vetëm kokën e tij, sepse ai e din se çfarë ndikimi  ka në popull si personalitet i dëshmuar dhe respektuar gjatë tërë jetës së tij.

Duke pasur për bazë fuqinë e  ndikimit të hoxhë Jeminit tek popullata shqiptare dhe qëndrimin e tij atdhetar gjatë tërë jetës, ishte i shënjuari i parë për tu rrahur, maltretuar dhe poshtëruar.Listën, me emra e mbiemra e kishte hartuar UDB-ja  e Ulpianit, ndërsa ajo ishte zgjeruar por edhe selektuar nga “poverenikët”,  e pushtetit, në Malmir si Velë Kaçami, Mel Xhuma, Sel Bani, Mil Hami, e disa të tjerë”. (f. 65.) Në Malmir fillimi i aksionit të keqtrajtimit dhe  maltretimit, rrahjes në mënyrat më mizore UDB-shët e fillojnë me burrat më në zë të fshatit në krye me hoxhë Jeminin. “Për fillim, oficeri shqiptarë-vrasës, Sava Shurbatoviq kishte ftuar disa nga burrat më në zë të fshatit: Mulla Jeminin, Hafir Ramën, Rafë Manën, Xhemë Dragën, Haxhë Lilën, Xhelë Rizën e të tjerë”. (f. 65.)

Një aksion i tillë mizor  antishqiptar nuk kishte pasur mundësi të merrej pa aprovimin dhe bashkëpunimin me   udhëheqjen  e lartë komuniste të Kosovës. “Aksionin, në nivelin krahinor, që e kishte ndërmarrë Ministria e Brendshme e Serbisë e kishin lejuar dhe e kishin përkrahur: Ali Shukria, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, Fadil Hoxha, Mehmet Cikuli-Maliqi, Spasoje Gjakoviqi, Dushan Mugosha, Sava Shurbatoviq, Zhivko Mitroviq, Shaban Kajtazi e të tjerë”. (f. 567.)

Gjatë akuzës që UDB-shët i thonë Hoxhës, se je antikomunist dhe kundër shtetit të Titos, e ai përgjigje pa frikë. “Po, është plotësisht e vërtetë, unë kam bindje antikomuniste si ndaj jush si ndaj bashkëkombësve të mi”! (f. 69.) Inspektorët e UDB-së nuk ishin mjaftuar vetëm me rrahjen e Hoxhës, për të përdorin edhe metoda shtesë më të veçanta. “Ndërkohë, inspektorët, Nikolla Pantiq dhe Ranko Odalloviq kishin marrë një litar dhe ia kishin lidhur duart, hoxhë Jeminit. E kishin afruar te “Bunari” i shkollës e kishin lëshuar në pus, ku e kishin mbajtur për disa minuta në ujë dhe herë pas herë e kishin nxjerrë mbi nivelin e ujit për të mos u mbytur”. (f. 71.) Nuk ishte rrahur vetëm Hoxha, në fshat ishin rrahur edhe shumë burra tjerë.  I shtrirë në shtrat dhe  i pa mundur Mulla Jemini kujton copëza ngjarjesh nga jeta e tij, nga ditët më të vështira. “Derisa të pranishmit, në odë kishin biseduar me zë të ulët, ai sillte në kujtesë kohën kur në dimrin e viteve 1912-1913, në Lumë, nga acari dhe bora e rrastë ishin mërdhirë në hyrje të “Shpellës së Skrepit” dy nga shokët e tij, Dan Dreni i Llapushës dhe Jak Zemani”.  (f. 81.) I kujtohej se në Lumë shumë viktimave u kishte bërë ceremoninë e varrimit në dimër të acartë  pa mundur me hapë varre për të gjithë. “Paska vend or burrë, dhe kohë po kemi. T’i varrosim si duhet. Nuk mund të varrosim gra e burra bashkë, u kishte thënë prerë. Të pranishmit ishin pajtuar. Hoxhë Jemini e mulla Rexhë Brodosana, kishin ndihmuar në hapjen e varreve dhe kishin kryer ceremoninë e varrimit….”. (f. 82.) Ky është ai momenti epik i shqiptarëve, kur pas betejave të mëdha nuk ka as vend për varre.

Hoxhë Jemini flet edhe për dobësitë e shqiptarëve për të rënë lehtë nën ndikimin e pushteteve të të huajve dhe për të   kryer shërbime për ta.  “Kemi edhe ne të metat tona. Dhe e meta më e madhe është se nuk jemi të lidhur me besë, nuk e duam sa duhet njëri tjetrin, jemi hilexhinj dhe mundohemi të përfitojmë mbi kurriz të njëri-tjetrit. Çdo e treta shtëpi ka nga një spiun, madje spiun pa pare, sepse na zë sikleti kur shohim vëllain apo fqinjin që po punon e po përparon, me djersën e vet”. (f. 90.)

Por pavarësisht shtypjes së pushtetit titist, Hoxha nuk humb shpresat ai përkundrazi ju jep kurajo miqve dhe bashkëfshatarëve, kuptohet atyre që ju beson. “Kalon edhe kjo murtajë e zezë. Po dihet, qëllimi i regjimit është të na bëjë edhe më të rëndë jetën, të na detyrojë të largohemi nga vendi ynë, të shpërngulemi për në Turqi e të marrin dyert e botës, por edhe kësaj herë do t’ ia dalim”.  (f. 91.)

Sipas autorit qëllimi i aksionit të mbledhjes së armëve ishte më i thellë, nuk ishte qëllimi vetëm mbledhja e armëve, por provokimi për kryengritje, pastaj shfarosja dhe shpërngulja e atyre që mbesin.  “Aksioni, kishte për qëllim, në radhë të parë grumbullimin e armëve, përfitimin dhe zhvatjen me pretekst të armës, por edhe shtimin e represionit kolektiv me qëllim që shqiptarët të ngriheshin në revoltë e pastaj t’i shfarosnin, por nëse nuk ndodhte ajo, nga dhuna dhe represionin sistematik të shpërnguleshin për në Turqi”. (f. 95.) Posa e kishte marrë pak veten Hoxha, atij i kishin shkuar shumë miq për ta vizituar, burra të rezistencës, patriot dhe antikomunist, që regjimin e kohës e vlerësonin të huaj dhe okupues. “E pra, shpresë tjetër përveç te Zoti nuk kemi, miq e aleatë të fortë nuk kemi. Kemi një Shqipëri të vogël e cila ndodhet në gojë të ujkut. Enveri po flet qe besa, po edhe ai ka mbetur fill i vetëm, kishte filluar bisedën Shet Bylykbashi, kapiten i kohës së Ahmet Zogut, i cili një vit më parë ishte liruar nga burgu i Nishit”. (f. 101.)

Aksioni i mbledhjes së armëve ishte paraparë të përfundonte me 13 maj 1956 sipas  propozimit të Dushan Mugoshës,  sepse kjo përkonte me ditën e themelimit të Policisë së Jugosllavisë socialiste. Se sa i vendosur ishte  shteti në këtë aksion për të shtypur dhe larguar shqiptarët, është fakti se edhe në një mbledhje të komitetit të Ulpianit një vendbanim krejt i vogël, të marrin pjesë figura aq të rëndësishme të pushtetit e partisë. “Në gjysmën e dytë të janarit të vitit 1956, dy muaj pas fillimit të Aksionit për Grumbullimin e Armëve, ishte paralajmëruar një mbledhje e Komitetit, ku pritej të merrnin pjesë edhe: Dushan Mugosha, Ali Shukriu, Stanoje Aksiq, Xhavit Nimani, Shaban Kajtazi e komunistë të tjerë, të njohur për qëndrimet e tyre antishqiptare”. (f. 108.)

Autori në roman shpjegon edhe procedurat administrative të fitimit të dokumentit për tu bërë fillimisht banor i Maqedonisë dhe pastaj se si hapej rruga ‘legale’  për në Turqi sipas marrëveshjes ndërshtetërore të Jugosllavisë socialiste dhe Turqisë.

Në gusht të vitit 1956, Hoxha kishte marrë një ftesë, (“poziv”) për t’u paraqitur në zyrën e UDB-së, në Ulpian. Në stacionin e policisë pas shumë presioneve për të pranuar për tu shpërngulur në Turqi, dhe kur Hoxha refuzon ofertën e pushtetit  duke treguar vendosmërinë dhe argumentet e veta. “Nuk kam lindur në Turqi unë, dhe nuk kam kurrfarë nevoje të shkoj atje. Këtu i kam eshtrat e babait, eshtrat e të parëve dhe pavarësisht të gjitha të këqijave, trupin tim nga Kosova mund të ma dërgoni vetëm të vdekur, për së gjalli, jo, kishte thënë prerë, pa frikë nga ndëshkimi”.(f. 137.)  Si kundër reagim barbar  vjen goditja, rrahja dhe poshtërimi i Hoxhë Jeminit nga UDB-ashi serb. “Shurbatoviq ishte zemëruar tejmase dhe ishte nisur në drejtim të tij, duke e përcjellë me një të sharë tipike serbe, i kishte rënë me grusht në nofull dhe i kishte thyer katër dhëmbët e parë të pjesë së epërme. Hoxha kishte mbyllur gojën me dorë, dhe, për të mos treguar shenjë ligësie, dhëmbët e thyer i kishte përbirë, por gjaku iu kishte përhapur në mjekrën e bardhë”. (f. 141.)  Moment provues ku dëshmohet se  njeriu vërtet është më i fortë se guri, por ai njeri duhet të jetë si hoxhë Jemini.

PJESA   E  DYTË  E  ROMANIT

Pasi kalon vala e madhe aksionit të grumbullimit të armëve, Hoxhës i vijnë mysafir të dashur për t’a vizituar: nga Prizreni Daut Doktori, duke qenë se në odë kishte miq të dashur, ai kishte ftuar në darkë edhe Hafir Ramën dhe Shet Kapetanin, ku në kësi raste mbushej oda  edhe me fshatarë të besuar. Këtu temë qendrore ka qenë aksioni i grumbullimit të armëve dhe çka më tej.  “Krejt kjo dhunë, që po ushtrohet nga regjimi, ka për qëllim për të na dëbuar në Turqi, por unë mendoj se duhet të qëndrojmë, sepse askund në botë nuk është më mirë se në vendin tënd, kishte thënë Shet Kapetani, të cilin e njihnin të gjithë dhe ia dëgjonin fjalën me kujdes e respekt. Ai kishte parë botë”.(f. 174.)  Në rrethana të jashtë zakonshme edhe veprimet e qëndresës radhiten sipas rëndësisë, e para shqiptarët si substancës të qëndrojnë  në trojet e veta të lashta, pastaj të tjerat, sepse pa njerëz nuk arrihet asgjë.

Aksioni i grumbullimit të armëve si formë e presionit mbi popullatën shqiptare kishte dhënë efektet e veta konkrete të shpërnguljes së shqiptarëve. “Madje thuhej se pas Aksionit të armëve, numri ishte trefishuar. Një vit më parë kishin shkuar 17.000 banorë, ndërsa në vitin e Aksionit të Armëve, numri i përgjithshëm i të shpërngulurve nga Kosova e viset e tjera shqiptare kishte arritur në rreth 51.000, edhe pse shifrat zyrtare nuk publikoheshin fare, ose flitej për një numër dy-tre fish më të vogël”. (178.) Në fjalën e tij kapiten Shefqeti kishte vazhduar me  trajtimet dhe shpjegimet e tij politike në Kosovë, që lidheshin me aksionin e armëve. “Është edhe një diçka tjetër, kishte thënë Shet Kapedani dhe kishte vazhduar. Jo të gjithë komunistët, nga radhët e shqiptarëve e kanë mbështetur Aksionin e Armëve, por këta tanët, janë në pushtet sa për sy e faqe. Mendoni ju se e pyet kush Fadil Hoxhën, a? Bëj be që edhe po të ketë vullnet nuk mund të bëjë gjë, por nuk them se është i nivelit të Ali Shukrisë, Xhevdet Hamzës, Mehmet Shoshit, Mehmet Cikulit e do të tjerëve”. (f. 183.) Kapiteni nuk dëshiron t’i lerë shqiptarët pa shpresë, por i druhet edhe luftës brenda shqiptare, prandaj  edhe i   tejkalon dallimet ideologjike.

Hoxha në meditimet e tij, si vitet më të vështira të jetës i vlerësonte ato që kishte përjetuar në Shqipëri, prej vitit 1912 e deri në vitin 1915. E kujtonte kohën kur Hasan Prishtina i kishte dhënë një letër për ta dërguar në Vushtërri. “Ti hoxhë, këtë letër të ma dërgosh te shtëpia e Zejnullah Begut, në Vushtrri”. (f. 192.) Po ashtu e kujtonte edhe Bajram Currin, si njeri i  shkolluar ai kishte mbajtur edhe shënime  mbi aktivitete e tij patriotike e ushtarake.  “Sot ka ardhur Bajram Curri këtu në odë, te Bajraktari, së bashku me gjashtë burra, të gjithë të veshur me tirq e kapuça të bardhë dhe me pushkë mbi krah. Burra me mustaqe dhe burra të njohur të fjalës e të besës. Kur mori vesh që jam nga Drenica më pyeti, se a e njoh Shaban Sinanin. I tregova se e njoh mirë, por nuk e kisha parë qe tri vjet.

– Ka qenë roje i Ismail Qemalit dhe burrë më trim e më besnik nuk e lind më shqiptarja, më tha.- Shabani ka qenë shok i pandarë me babanë tim, i shpjegova, duke i treguar me emër e mbiemër”. (f. 193.)  Shënimet e Hoxhës na sjellin një personazh historik të panjohur deri tash për ne Shaban Sinanin, dhe na bënë kureshtarë për të hulumtuar se kush ishte ky trim. Si u gjet të jetë roje e Ismail Qemalit, aq burrë  trim sa edhe  Bajram Curri ja ngrit trimërinë në piedestal?

Një ditë tre djem më të rritur të fshatit,  Hoxhës i rrahin nipin Urtanin, atij i pëlcet zemërimi, ai nuk duron më, sepse e kupton edhe  si formë të presionit të organizuar nga shumë drejtime prej veglave të pushtetit. Ai pa hamendje ka vendosur që shërbëtorëve të regjimit me ju tregu vendin. “Mu para derës së shtëpisë së dy vëllezërve Prroni kishte  goditur me patericë babanë e dy bijve, që kishin rrahur Urtanin.  Madje e kishte kërcënuar se po ta sulmonin sërish nipin apo këdo nga familja do t’i ndëshkonte për ta mbajtur mend tërë jetën”. (f. 195.) Kurë fqinji  Met Imeri i thotë Hoxhës se,  nuk ka bërë mirë që e ka rrahur aq keq babain e dy fëmijë që e kishin rrahur Urtanin, se gjërat pastaj mund të përkeqësoheshin, ai  përgjigjet shumë i vendosur.  “Atë e di më mirë se ti. Të keqit po t’i lëshosh  rrugë njëherë, ai nuk ndalet, sepse nuk ka mend në  kokë për të vlerësuar drejt, por e mendon se i ke lëshuar pe nga frika”. (f. 196.) Hoxha me të ligun dhe me të keqin nuk ka kompromis, këtë e ka mësim edhe për bashkëfshatarët.

Pas përfundimit të aksionit të armëve, në Kosovë por edhe në Malmir kishte filluar një jetë më e lirshme. Shumë shqiptar që e kishin pranuar regjimin  i kishin punët mirë, kishte filluar punësimi, shkollimi, shërbimi në polici, ngritja në detyra të administratës shtetërore etj. Por kjo ishte njëra palë, por  në popull ishte edhe pala tjetër që nuk e pranonte këtë regjim dhe angazhohej ta luftonte në kuadër të rrethanave.  “Por as ata nuk kishin ndenjur duarkryq. Për veç se i kishte bashkuar ideja e lirisë dhe e bashkimit të Kosovës dhe trojeve të tjera me Shqipërinë, në anën tjetër edhe dhuna e represioni sistematik shtetëror kishte nxitur kundërvënien dhe luftimin e pushtetit me çdo mënyrë të mundshme”. (f. 221.) Rezultatet e kësaj veprimtarie janë të njohura në vitet e më vonshme, që autori i ka trajtuar në romane tjera.

 

Personazhet pozitive

Në këtë vështrim janë marrë në konsideratë, vetëm ato personazhe që frymojnë dhe veprojnë në roman  dhe jo figurat historike që përmenden në situata të ndryshme.                                  Personazhet pozitive kryesore që lakohen gjatë përshkrimit  në roman, janë përfshirë jo vetëm të fshatit por edhe ato në nivel kombëtar: Mulla Jemin  Malmiri;  Zan Malmiri –djali i Hoxhës;  Urtan Malmiri nipi i Hoxhës; Kija dhe Rija vajzat e Hoxhës;  Hirja nusja e Zanit;  Mit Braha, Hafir Rama, Jak Beha; Lah Gurishta; Lah Lahu;  Lan Bungu; Malë Bungu;  Mel Tafa; Metë Imeri; Mus Lila; Esmaja gruaja e Hoxhës; Rafë Mana; Rrah Prroni; Sak Zabeli; Ali Lugu; Cen Garaqi; Dan Bani;  Daut Doktori; Fat Kadiri; Hafuz Aliu; Haxhë Lila; Hoxhë Emra; Sel Bani; Shet Bylykbashi; Shet Kapetani; Shet Rama; Xhelë Riza; Xhemë Draga; Zajë Zogu; Zilam Kurti; etj.

Personazhet negative:  Personazhet negative,  janë të besuarit e regjimit në fshat, pastaj  drejtues të pushtetit komunal dhe bashkëpunëtorët e tyre, drejtues të nivelit krahinor  e deri në  kryesi të Serbisë e Federatës: Nuz Jani; Dushan Mugosha; Ali Shukriu; Stanoje Aksiq;  Xhavit Nimani;  Shaban Kajtazi; Himë Ziu; Sava Shurrbatoviq; Velë Kaçami; Mel Xhuma; Sel Bani; Mil Hami; Azam Rama; Mizor Muça; Hoxhë Emra; Selim Jeniçeri; Nikolla Pantiq; Ranko Odalloviq; Sveta Çanoviq; Braho Ziu; Rrush Prroni; Lip Dugi; Mark Shumari etj.

Emra të vendbanimeve  dhe toponime:  Autori në shkrimet e veta, dhe jo vetëm në këtë roman, emërtimet e fshatrave, qyteteve, maleve, lumenjve, grykave e fushave u  ka vënë emra shqip, të kuptueshëm ose me domethënie antike. Autori në roman nuk i zbërthen në kllapa, se cili është ai vend sipas emërtimeve që i njohim sot. Si duket ai qëllimisht i ka lënë kështu, që lexuesi ti gjejë këto emërtime me njohurit e tij gjeografike. Në vazhdim po jap disa emërtime që unë ju kamë  gjet  emrin që e kanë sot në përdorim.                                                                        Alpushit = Llapushniku;  Arila = Harilaqi; Dukë = Duga; Karaxhet = Karaqica; Llubur  = Javor Malmiri =  Krojmiri; Ndrenik = Nekoc; Petrash = Pjetershtica; Qyteza = Shtimja; Robaj = Ribari Semeti = Semetishti; Ulpian = Lipjani;

Toponimet:  Arat e Shkreta = i vetëkuptueshëm; Blinaja = i vetëkuptueshëm; Kroi i Sokolave = i vetëkuptueshëm; Rrafshnalta = masivi i bjeshkëve  nga Duhla deri në Berishë; Terranova = Bjeshka mbi Krojmir;

Përfundimi

Pesë kapitujt e fundit të romanit përshkruajnë jetën e Zanit, djalit të madh të Hoxhës,  babait të autorit. Zani si karakter është njeri urtë, i dashur, shumë mjeshtër i madh dhe i pandalshëm në punë. Por Zani nuk është vetëm mjeshtër që ‘çka i sheh syri ia punon dora’, ky është edhe më i lartë, është mjeshtër që ka fantazi krijuese, që shpikë metoda të reja të punës, është shumë i aftë në përllogaritjet matematike dhe gjeometri. Ai është bartësi i së resë jo vetëm në familje por  edhe në fshat. Ai sjellë për herë të parë radion në fshat, fut ujin me gypa në shtëpi, ndërton shtëpi të re me material të fortë dhe plan, është mjeshtër i njohur jo vetëm në Kosovë por deri në Maqedoni. Hoxha e donë dhe vlerëson punën e tij, e çmon lartë  aftësinë e tij të veçantë si krijues. Zani kishte vendosur të punonte në Kosovë e Maqedoni, por jo të shkonte më larg në kurbet në Bosnje, Kroaci e Slloveni, ku shkonin shumë shqiptar, sepse vetëm ashtu ata  mund të mbijetonin, me punë private edhe pa qenë të punësuar  në fabrikat dhe ndërmarrjet shtetërore. “Pjesa e varfër dhe e diferencuar si armike e regjimit, kishte filluar rrugën e mërgimit social. Shqiptarët e aftë për punë, pasi rregullonin letrat zyrtare, kërkonin punë sidomos në Kroaci, në Slloveni por edhe në Bosnje, meqë atje nuk keqtrajtoheshin sikur në Serbi”.  (f. 239.)

Pas përballimit të këtyre  kohëve të vështira  të valëve të represionit shfarosës, autori nxjerrë përfundimin (kodin) se si mbijetuan shqiptarët.  “Ata, duke qenë  gjithnjë të robëruar e të nënshtruar gjatë shekujve,  ishin imunizuar dhe sa më shumë torturoheshin, aq  më shumë lidheshin për vendin e tyre, sa më shumë  vriteshin e shfaroseshin, ata aq më shumë lindnin dhe  bënin përpjekje për të mbijetuar, jo edhe aq me besim  të fortë në Zotin, jo me shpresë se ai një ditë do ti shpëtonte nga robëria, meqë konsideronin se Zoti i kishte harruar përgjithmonë. E vetmja rrugë për të mbijetuar ishte të kapeshin fortë për tokën, të cilën e punonin me mund e me djersë për ta siguruar bukën dhe për të mos vdekur urie…” (f. 242.) Puna e palodhshme dhe  lidhja e fortë me tokën, me trollin ishin mënyra e vetme për mbijetesë.

Personaliteti i Zanit vjen duke u ngritur dhe shpërfaqur më mirë gjatë jetës së tij që ishte e mbushur vetëm me punë.  “Zani ishte sinonimi i njeriut i lindur me vlerat më pozitive, me vlerat e humanizuara që tejkalojnë ADN-në dhe trashëgiminë e caktuar në një familje dhe që dalin në sipërfaqe njëherë në një shekull, ndoshta edhe më rrallë.  Në qenien dhe shpirtin e tij kishte vend për të gjithë të mirët. Ai nuk shante, nuk mallkonte, nuk ngrehte dorë mbi asnjë njeri. Nuk kishte asnjë pikë xhelozie apo smire në qenien e tij. Sillej me butësi të veçantë ndaj të gjithëve por edhe ndaj kafshëve shtëpiake”. (f. 243.)

Autori vijon edhe më tej me thellimin e përshkrimit dhe vlerësimit të jetës dhe veprave të jashtëzakonshme të Zanit.  “Kishte trashëguar gjithçka të mirë e të ndershme nga prindërit, por jo vetëm nga ata por nga një gjen trashëgimtar i ADN-së trashëguese, e cila lajmërohet një herë në shekull apo në dy shekuj, te trashëgimtarët. Diku lajmërohet me trimëri, diku me mençuri, diku me dije e aftësi, e diku edhe për të liga e paudhësi”. (f. 260.)

Autori përshkruan jetën  e vështirë dhe si kushtet e rënda për jetesë  ndikojnë në krijimin e vetëdijes individuale dhe  shoqërore  me kalimin e kohës. E produkt i këtyre rrethanave ishte edhe niveli i vetëdijes së banorëve të Malmirit për kohën që e përshkruan romani. “Epokat në Malmir dhe në Malësinë e Malmirit  ishin ndeshur në një vend, i cili jetonte në traditën  shekullore të izolimit, e cila kishte restauruar një tip të  njeriut që më shumë jetonte për dhunë se sa për hiret  e jetës, gëzimet dhe favoret që sjellë ajo”. (f. 261.)

Por lufta e kundërtave, e të mirës dhe të keqes zhvillohet edhe në rrethana të tilla dhe pavarësisht kushteve të jetesës. “Jeta, në atë humbëtirë malore që ishte zhvilluar nëpër  shekuj kishte krijuar dy prototipe njerëzish, mujsharin  që identifikohej me Hajdar Xhaurrin, dhe urtakun dhe  punëtorin që ishte njëzuar në personin e Zan Malmirit”. (f. 262.)

Është në natyrën e jetës njerëzore  që e mira dhe drejta të ngadhënjen mbi të keqen dhe padrejtësitë, edhe pse në të shumtën e herave me vonesë dhe me shumë sakrifica. Pikërisht kjo përplasje nxjerrë në sipërfaqe njerëzit e mirë, të sakrificës, patriot dhe përparimtarë të kohës.

Autori në roman duke përshkruar personazhin e Zanit, thotë se njerëzit gjeni dhe të mirë si ai lindin gjenetikisht njëherë në 100 e më shumë vjet.                                                                                   Por në familjen e autorit si duket edhe shkenca ka bërë përjashtime, në këtë rast ju ka nënshtruar ndikimit të fuqishëm të edukatës familjare dhe traditës patriotike të familjes Qeriqi. Jo një herë në 100 vjet, por familja e autorit nxori tri gjenerata, tri personalitet të jashtëzakonshme një pas një:  Hoxhë Jeminin, Zanin dhe Urtanin (Ahmet Qereqin). Hoxha ishte personalitet që e njohu Kosova dhe  Shqipëria Veriore, Zani ishte mjeshtër i madh që e njohu Kosova dhe  Maqedonia.

Urtani u ngrit edhe më lartë: ishte veprimtar e intelektual patriot, i burgosur politik për veprimtari kombëtare kundër regjimit Jugosllav, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare, ishte zëri i fuqishëm i luftës – Drejtuesi i Radio Kosovës së lirë,  personalitet i lartë i fushës së artit dhe shkencës, që e njohu e tërë shqiptaria.

Prishtinë, 7 mars 2026

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha: Ahmet Qeriqi, me romanin “Kthimi”, e fillon rrëfimin me personazhin që ishte vetë ai – Eknat Malmiri

Përshkrimi i burgut dhe dalja e Ahmetit pas shtatë viteve nga burgu janë ndër pjesët …