Idajet Beqiri: Mbi veprimtarinë dëmësjellëse, përçarëse dhe të paaftë të Shokut Hulusi Hako

Idajet Beqiri: Mbi veprimtarinë dëmësjellëse, përçarëse dhe të paaftë të Shokut Hulusi Hako

Shoqe dhe shokë të Kryesisë,
Në pikën “Të ndryshme” të kësaj Mbledhje të zakonshme të Kryesisë, e para e vitit 2026, do të trajtojmë dhe do të mbajmë qëndrimin e duhur, në përputhje me Statutin e OVP të LANÇ, por edhe pasi të analizojmë me gjakftohtësi, me pjekuri, me objektivitet dhe me dobiprurje, marëdhënijet e Kryetarit të OVP të LANÇ Shokut Hulusi Hako, me të gjitha strukturat udhëheqëse të kësaj Organizate, por edhe me vet anëtarësinë e OVP të LANÇ.
Jemi të gjithë në dijeni se pas largimit nga kjo jetë të Kryetarit tonë të nderuar Odise Porodini, në strukturat e larta të OVP të LANÇ lindën probleme të ndryshme, posaçërisht lindi problemi se kush do të ishte Kryetari i OVP të LANÇ. U shfaqën tendenca të hapura për t’a kapur, por jo për t’a zgjedhur Kryetarin! Për rrjedhoj një grup nga Komiteti Kombëtar dhe Kryesia e Organizatës, lobuan fortë dhe futën në lojë edhe faktorë jashtë strukturave të OVP të LANÇ, për t’a kapur detyrën e Kryetarit. Ndërkohë shumica e Komitetit Kombëtar dhe e Kryesisë ishin të interesuara që të zgjidhnim një Kryetar institucional, respektues të programit, të Statutit dhe të strukturave drejtuese në të gjithë hierarkinë e saj, zbatues dhe sigurues të vazhdimësisë dhe të rrugës së ndjekur gjatë gjithë jetës së kësaj Organizate, që nga themelimi e deri në ditët e sotme.
Kryesia e dalë nga Konferenca e 12-të e OVP të LANÇ, duke patur shumicën absolute, meqënëse ndjeu se kishte presione dhe përpjekje konkrete të forta për të “kapur” institucionin e Kryetarit të OVP të LANÇ për qëllime të mbrapështa për t’a bërë “NJË” me OBVL, si dhe për t’a kthyer në biznes veprimtarinë e kësaj Organizate, për të përfituar individë të caktuar financa dhe privilegje të tjera të saj, me të drejtë “nuk lëshuan pe” dhe arritën të bënin një zgjidhje pragmatiste deri në Konferencën pasardhëse të 13-të të OVP të LANÇ.
Me një shumicë të dukshme votash Komiteti Kombëtar i OVP të LANÇ zgjodhi si kryetar Prof.dr. Hulusi Hakon. Në këtë zgjedhje u mbajtë parasysh fakti se shoku Hulusi Hako konsiderohej si pioner veteranë i LANÇ, kishte një titull shkencor, por mbi të gjitha sepse ishte i vetmi që e vetafroi marrjen e kësaj detyre, duke ndërhyrë me vendosmëri te drejtuesit e Kryesisë së OVP të LANÇ që të ishte ai Kryetar, pas të ndjerit Odise Porodini.
Vendimarrja e Komitetit Kombëtar të LANÇ, pavarësisht se ishte statutore dhe me votim të dukshëm në shumicë pro kandidaturës së shokut Hulusi Hako, u kontestua nga grupi që donte me çdo kusht për të “kapur” Kryetarin, dhe u bë objekt gjykimi në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Kjo Gjykatë, edhe për arsye subjektive, nuk e gjeti të rregullt procedurën e zgjedhjes së Kryetarit Hulusi Hako, për rrjedhoi nuk e miratoi atë, çka n’a detyroi t’a apelonim këtë vendim në Gjykatën e Apelit Tiranë. Ky apelim ende nuk është shqyrtuar nga Gjykata e Apelit.
Në zgjedhjen e shokut Hulusi Hako si Kryetar, Komiteti Kombëtar dhe Kryesia e tij ishin të ndërgjegjëshme për kufizimet e tij fizike, por edhe mendore për shkak të moshës, për kufizimet e tij si drejtues, pasi në jetën e tij ka qënë gjithmonë në pozicionin e një mësimdhënijes, por kurrë nuk kishte drejtuar ndonjë organizatë, ndonjë institucion, ndonjë njësi prodhuese etj, me qëllim që të kishte një përgatitje minimale organizative, vendimarrje, ndërtimi marëdhënijesh me strukturat dhe vartësit et. U vlerësua se këto kufizime. bazuar në faktin se Kryesia, Administrata dhe një sërë drejtuesish të Organizatave në Bashkitë e vendit, me përvojën e tyre, me energjitë e tyre fizike e mendore, me aftësitë e tyre organizative dhe vendimarrëse, do e mbuloheshin mirë dhe Kryetari do të ishte më shumë një kryetar nderi, një kryetar honorifik përfaqësimi. Kjo gjë i është bërë e qartë vet Shokut Hulusi Hako nga Kryesia dhe i gjithë ekipi që e mbanë gjallë veprimtarinë e OVP të LANÇ menjëherë pas zgjedhjes së tij, madje duke i thënë hapur se askush nuk do e lakmoj këtë postë sa të jeni gjallë ju.
Për fatin e keq Shoku Hulusi Hako, ndoshta për shkak të atyre mangësive që theksuam, nga mosnjohja e rregullave statutore të funksionimit të një organizate shoqërore vullnetare, nga psikologjia e “unit”, domethënë “unë jam i pari këtu dhe ju të tjerët do të më dëgjoni vetëm mua dhe do bëni si t’u them unë”, nga të qënurit “pa kockë”, domethënë i ndikushëm nga intrigantët, shpifësit, përçarësit. i ndikushëm dhe lehtësisht i joshur posaçërisht nga elementi femër, që kërkojnë të përfitojnë privilegje dukje, karrjeriste, financiare, e largqoftë misionare kundër OVP të LANÇ dhe misionit të saj, në mënyrë permanente ka bërë veprime tepër të dëmshme. Nëse këto veprime nuk kanë dhënë efekte në dëm të OVP të LANÇ, kjo është meritë e syçeltësisë dhe mëndjes së mprehtë të anëtarëve të Kryesisë sonë, të Sekretarit të Përgjithshëm Shokut Veli Myftari, të nën Kryetares shoqes Vera Tarifa, të nënkryetarëve të tjerë dhe të punonjësve të administratës në përgjithësi, sepse në veçanti, për fatin e keq, kemi elementë që punojnë dhe veprojnë “me dy porta”!
Shoku Hulusi Hako, pa u konsultuar me askëndë, në kokë të tij, solli këtu te ne përfaqësuesit e lartë të OBVL dhe ishte gati të nënshkruante një marrëveshje me ta për të bërë bashkimin mekanik, të dy gjërave të pabashkueshme për diferenca tepër të rëndësishme parimore. OBVL është organizatë që u krijua në zyrën e renegatit anti LANÇ Sali Berisha, që ndahet me OVP të LANÇ sepse duan të shuajnë ditën e çlirimit të Atdheut nga bishat nazifashiste, duke e shkrirë 29 nëntorin me 28 nëntorin, ditën e Shpalljes së Pavarësisë; OBVL mbështet tezën famëkeqe anti LANÇ që e konsideron këtë luftë, edhe si “luftë civile”; OBVL nuk i njeh LANÇ-it udhëheqjen e saj, posaçërisht Komandantin e Përgjithshëm Enver Hoxha etj. Këto dallime thelbësore parimore kanë bërë që OVP e LANÇ, në raport me OBVL, u thotë atyre: Jeni të mirseardhur jo si OBVL në radhët e OVP të LANÇ, por si ish veteranë dhe pasardhës të veteranëve të LANÇ, me të drejtë anëtarësimi, si gjithë anëtarët e tjerë të OVP të LANÇ, duke pranuar dhe zbatuar Statutin dhe Programin e OVP të LANÇ, duke bërë jetën organizative në një prej seksioneve të OVP të LANÇ, sipas vendbanimit që kanë, dhe duke e deklaruar të shkrirë, me kërkesë zyrtare drejtuar Gjykatës për këtë shkrirje Gjykatës së Shkallës së Parë, ku janë të rregjistruar.
E kemi kritikuar ashpër shokun Hulusi Hako për këtë lajthitje të rëndë dhe nuk lejuam më të “pushtoheshin” zyrat tona nga përfaqësuesit e OBVL që ftonte Kryetari ynë. Megjithëse ja kemi bërë të qartë raportet tona me OBVL shokut Hulusi Hako, ky, në kundërshtim të hapur me këto qëndrime parimore të strukturave udhëheqëse të OVP të LANÇ, në përkujtimin e Konferencës së Pezës në 16 shtator 2025, refuzoi shoqërimin e tij për në tribunën e kësaj përkujtimore për të mbajtur fjalimin përshëndetës Nën kryetaren Vera Tarifa, njëherazi edhe Kryetare e OVP të LANÇ të Tiranës, dhe mori për krahu në podium vajzën e Kryetarit të OBVL, duke dhënë kështu mesazhin që ne jemi një me ta!
U bë neveritës me provokime të tilla edhe kur kishte ditlindjen e tij. Ftoi në ditlindje disa prej drejtuesëve të OBVL dhe donte të n’a përzjente edhe neve së bashku me t’a. Ditlindja është e tij, nëse do t’a bësh personale dhe familjare, fto çfarë të do zemra. Por nëse ditlindjen e bënë si Kryetar i OVP të LANÇ, nuk duhet t’i provokosh njerëzit e tu, duke i bërë bashkë me OBVL, sikur të ishim një! Për këtë shkak disa prej nesh që u njohëm më parë me ftesat provokative që ky kishte bërë për krerë të OBVL, nuk i shkuam në ditlindje, të tjerë për “kortezi” i shkuan, por u ndjenë të fyer!
Të gjithë jemi dëshmitarë të situatave që n’a janë krijuar dhe që jemi ndeshur me grupin që donte të “kapte” funksionin e Kryetarit të OVP të LANÇ. Provokimet kanë qënë shumë të rënda. Deri edhe dhunë fizike kemi përjetuar nga disa prej tyre në mbledhjet e Kryesisë dhe të Komitetit Kombëtar. Të gjitha mospajtimet e tyre lidheshin me emrin e kryetarit Hulusi Hako. U përballëm me t’a me disa proçese gjyqësore, të cilat kishin filluar para se unë të zgjidhesha Nënkryetar dhe përfaqësues ligjor i OVP të LANÇ.
Në momentin që ky grup u pakësua shumë, pavarësisht zhurmës që bënin në ndonjë gazetë të blerë, apo në fb e tyre me shpifje e intriga, del kryeredaktori i Gazetës “Kushtrim Brezash”, Bashkim Koçi dhe u jep faqet e gazetës këtij grupi, hedh në faqet e “Kushtrim Brezash” shpifjet, intrigat dhe përçarjet e elementëve destruktivë, duke u bërë bashkëpunëtorë i së keqes. E parandaluam këtë maskaradë si Kryesi dhe unanimisht vendosëm të pastronim gazetën nga të qënurit e saj mediokre, lokaliste dhe jo kombëtare, të varfër, zë mekur në përballjen me kundërshtarët dhe armiqtë e betuar të LANÇ dhe vlerave të saj, duke vendosur në krye të saj Albert Zholin. Bashkim Koçi në media të ndryshme, në fb e tij, nuk la shpifje dhe denigrim pa bërë kundër Kryetarit Hulusi Hako dhe Sekretarit të Përgjithshëm Veli Myftari.
Për t’u dhënë përgjigje statutore, organizative, institucionale, jo vetëm mëndjeprishurve përçarës dhe dëmësjellës të OVP të LANÇ, karrjeristëve dhe të eturve për përfitime matariale dhe financiare, si dhe një pjese të anëtarësisë, pavarësisht që ajo numurikishtë është e vogël, e cila duke u ndodhur mes dy zjarreve, nuk dinte nga t’ia mbante, por edhe për të shuar efektet e gjyqeve të zhvilluara më parë prej përçarësve, pasi morëm indirekt me vendim gjyqësor të Gjykatës së Apelit Tiranë, “vizën” për të zhvilluar Konferencën e Zakonshme të 13-të të OVP të LANÇ, e bëmë këtë realitet duke realizuar një Konferencë model nga çdo pikpamje dhe të pakontestueshme ligjërisht.
Gazeta “Kushtrim Brezash” e mori plotësisht veten dhe u bë vërtetë organ i OVP të LANÇ. Pikërisht në këtë moment merr “urën e zjarrit” kundër Sekretarit të Përgjithshëm Veli Myftari dhe Kryeredaktorit Albert Zholi, e preferuara e Kryetarit Hulusi Hako, anëtarja e kryesisë Anila Gjokoreci. Duke e njohur mirë kryetarin, duke i ditur dobësitë e tij njerëzore, duke abuzuar me moshën e tij, me faktin që nuk dëgjon mirë, që nuk shikon mirë dhe nuk i dallon dot njerëzit, duke e ditur që edhe nuk shkruan dot, për shkak të dorës së sëmurë, kurdisë herë pas here intriga, thashetheme, përgojime, ngacmime e deri shpifje kundër Sekretarit të Përgjithshëm Veli Myftari dhe Kryeredaktorit Albert Xholi. Herë pas here i mbushte mëndjen Kryetarit Hulusi Hako se të dy këta “ia kishin me hile”, se “në gazetë vendoset fotua e Sekretar Veli Myftarit, më e madhe se e Hulusi Hakos”, se “shkrimet e saj nuk botohen nga Albert Zholi” etj etj.
Jemi përpjekur shumë të ndalej kjo maskaradë përçarëse, kemi shkuar disa herë atje ku banonte Kryetari Hulusi Hako, në Qerret, me Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët, anëtarë të Kryesisë për t’a sqaruar Kryetarin dhe për t’a qortuar gjithashtu që të mos i pranonte dhe të mos binte pre e qëndrimeve, mendimeve dhe veprimeve të papërgjegjëshme të Anila Gjokorecit, e cila në çdo aspekt, qoftë statutor, qoftë organizativ dhe madje qoftë edhe njerëzor, nuk ka kufi! E kemi ndihmuar dhe e kemi këshilluar shumë herë që të bëhej kryetar institucional, domethënë që për çdo gjë që dëgjonte, ose për çdo pakënaqësi që mund të kishte, të mos nguronte për të zgjedhur rrugën institucionale, domethënë diskutimin e çështjeve kolegjalisht, më Kryesinë, ose midis mbledhjeve të Kryesisë, me Sekretarin e Përgjithshëm, Nënkryetarët, Këshilltarët dhe Kryetarin e Kontrollit dhe të Revizionimit.
Në praninë tonë dhe para arsyetimeve tona, Kryetari Hulusi Hako bënte të dëgjueshmin. Por sa largoheshim ne, ai priste dhe përcillte Bashkim Koçin, i cili nuk ka lënë dhe nuk po lë gjë nga “magazina” e tij si përçarës dhe shpifës pa hedhur kundër Sekretarit të Përgjithshëm, vet Kryetarit dhe Kryesisë tonë. Ndodhur para presioneve të përditshme, para intrigave, sharjeve dhe fyerjeve të Anila Gjokorecit dhe vet Hulusi Hakos, kryeredaktori Albert Zholi u tha “nëse doni dorëheqjen time, e bëj unë, dhe iki pa problem, veç këtë situatë mbytëse nuk mund t’a duroj”. Kryetari Hulusi Hako sikur mezi po e priste këtë fjalë, dhe në kundërshtim flagrant me Statutin tonë, me rregullat organizative të funksionimit të Organizatës sonë dhe të rolit të forumeve të zgjedhura të saj, filloi një “ofensivë” thuajse të “marrë” nga çdo pikpamje.
Në vënd që të mblidhte Kryesinë, anëtarë i së cilës është Kryeredaktori, dhe të n’a sqaronte për situatën e krijuar, në vënd që të dëgjonim kryeredaktorin dhe të vendosnim si Kryesi për fatin e tij, Kryetari Hulusi Hako, duke e patur ngjitur në tavolinë Sekretarin e Përgjithshëm Veli Myftari, nënkryetarët dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë merr vendimin absurd duke emruar veten “Kryeredaktor” dhe urdhëron korrektoren e gazetës, të bëjë gazetën dhe të botoj në gazetë vendimarrjet e tij të përçartura.
E ndaluam këtë veprim që vinte në dyshim serioz aftësit institucionale të Kryetarit, si Kryetar. Megjithëse e këshilluam për këtë lajthitje të rëndë, urdhëron Shefin e Administratës dhe Financierin që t’i marrë çelsat e zyrës dhe t’i ndali pagën Kryeredaktorit Albert Zholi, duke i dhënë detyrën Bashkim Koçit! Kryeredaktori emrohet dhe shkarkohet nga Kryesia, jo nga Kryetari.
Në vënd që të komunikoj me Sekretarin e Përgjithshëm Veli Myftari, i cili është “de jure” dhe “de fakto” drejtuesi efektiv, ligjor, organizativ, koordinues dhe punë shumë në të gjitha veprimtaritë që zhvillohen nga Organizata jonë, komunikon me të ashtuquajtura “urdhëra” me faqosësen e Gazetës! Po ju lexoi urdhërin e tij të datës 26.08.2025 drejtuar faqosëses së Gazetës, në një kohë që Sekretari i Përgjithshëm është në detyrë, Kryeredaktori në detyrë, ne nënkryetarët në detyrë. (Lexo Urdhërin).
Ky urdhër nuk u zbatua. Pa e banalizuar, por kjo do të thotë që “Kryeministri”, në vend që të komunikojë dhe të koordinojë punët me “Ministrin”, në një ministri përkatëse, t’a anashkalojë ministrin dhe të merret me rojen e ministrisë!
Largoi nga puna shoferin Vladimir Marashi pa respektuar asnjë parashikim ligjor, thjeshtë dhe vetëm për motive personale dhe pa marrë mendimin tonë ligjor sesi veprohet për të larguar dikë nga puna, për cilat shkaqe dhe sipas cilës procedurë ligjore, çka po i sjellë dëmë Organizatës sonë në raport me gjyqin që ky person ka hapur në Gjykatë.
Duke qënë se insistonte në dorëheqjen dhe largimin e Kryeredaktorit nga detyra, si dhe për shkak të disa veprimeve të përsëritura në shkelje të statutit dhe në nëpërkëmbjen e hapur të etikës së Kryetarit, mblodhëm Kryesinë në shtator 2025 dhe vendosëm t’a dëgjojmë me vëmëndje çfarë pakënaqësi kishte, çfarë gabimesh kishte bërë dhe si duhej vepruar për koregjimin dhe mospërsëritjen e tyre.
Jeni të gjithë dëshmitarë si anëtarë Kryesie sesi veproi gjatë gjithë mbledhjes, duke humbur ekuilibrin mendor, duke u treguar i dhunshëm e vulgarë në fjalor, duke kërcitur shkopin dhe manifestuar sjellje të padenja për një anëtarë të thjeshtë problematik të Organizatës sonë, e jo më për një Kryetar të kësaj Organizate! Jeni njëkohësisht në dijeni të të ashtuquajturit “testament” që lexoi dhe insistonte të botohej në Gazetën “Kushtrim Brezash”, të cilin me të drejtë dhe unanimisht të gjithë e hodhëm poshtë dhe nuk lejuam që të botohej, ndryshe do të bëheshim qesharakë para masës 20 mijë anëtarëshe, si dhe para lexuesëve të tjerë të kësaj Gazete.
Unanimisht vendosëm në Kryesi që Kryeredaktori i Gazetës Albert Zholi të vazhdonte detyrën. Jeni gjithashtu dëshmitarë të kritikave konstruktive dhe të këshillave mirëdashëse që i bëmë Kryetarit Hulusi Hako që “të merrte veten”, të ndalte aktet e gabuara në kundërshtim me statutin e OVP të LANÇ dhe me vendimarrjet e Kryesisë, të mos binte më pre e intrigave përçarëse të Bashkim Koçit dhe të Anila Gjokorecit, por të rreshtohej përkrahë ne, gjithë anëtarëve të Kryesisë, për t’a forcuar dhe drejtuar me aftësi, kopetencë dhe me efektivitet OVP të LANÇ, në përmbushje të misionit historik që ka kjo Organizatë.
Në mbledhjen e Kryesisë të datës 13 dhjetor 2025, sikurse eni në dijeni, u përballëm përsëri me veprime të paekuilibruara të Kryetarit Hulusi Hako. Arriti deri aty sa të mos lejonte Sekretarin e Përgjithshëm të mbante Raportin e punës. U detyruam të hidhnim në votë nëse duhej apo jo të mbante raportin Sekretari i Përgjithshë,, gjë e cila po të dëgjohet nga çdo njeri i thjeshtë, do të thonë “mjerë kjo Organizatë në çfarë dore ka rënë”! Mori vetëm votën e tij, duke votuar të gjithë ne kundër. Në një situatë të tillë, një kryetar dinjitoz, kur të gjithë Kryesinë e ka kundër, jep dorëheqjen! Mirpo këtë Organizatë, për fatin e keq, e ka zënë “halli”, sepse dora e pak “misionarëve” përçarës dhe intrigantë, që n’a janë bërë ferrë nëpërkëmbë qysh pas vdekjes së Kryetarit Odise Porodini, nuk duan t’a lënë të marrë frymë, dhe për të arritur këtë qëllim përçarës, shfrytëzojnë pazotësinë organizative, mendore, fizike dhe karakteriale të Kryetarit Hulusi Hako.
Pse e theksojmë këtë gjë:
Kryesia në mbledhjen e saj të datës 13 dhjetor 2025, pasi analizoi veprimtarinë përçarëse, intrigante, shpifëse dhe të papërgjegjëshme të Anila Gjokorecit, vendosi shkarkimin e saj si Shefe Departamenti.
Vendimi i Kryesisë për gjërat që ka në kopetencë, sikurse është emrimi dhe shkarkimi i Kryeredaktorit ka fuqi dhe është i formës së prerë, duke mos u vënë më në diskutim nga askush. Kryetari Hulusi Hako, në kundërshtim flagrant me Statutin, me funksionimin organizativ të OVP të LANÇ dhe me vendimet e organeve udhëheqëse të kësaj Organizate, sikurse është Kryesia, në datën 20 dhjetor 2025 nxjerrë një “Urdhër të Brëndshëm” i cili nga çdo pikpamje tregon se kemi të bëjmë me një njeri që është i papërgjegjshëm për veprimet që kryen.
Urdhëron Sekretarin e Përgjithshëm Veli Myftari të « zgjidh në mënyrë të kënaqshme problemet e tij për 3 muaj” dhe të zëvëndësohet nga Petrit Bregu!
Të heqim dorë nga të gjitha gjykimet e çështjeve që n’a kanë hedhur grupi i intrigantëve dhe përçarësve, çka do të thotë që t’u dorëzojmë atyre OVP të LANÇ.
Të shpallet i panevojshëm dhe i tepërt angazhimi i Idajet Beqirit në mbrojtjen e OVP të LANÇ në Gjykatë dhe të zëvëndësohet me avokatin Pjetër Ndreca që kemi patur!
Të ngrihet një grup pune i përbërë nga Hulusi Hako dhe Anila Gjokoreci për të revizionuar vendimin e Kryesisë të datës 13 dhjetor 2025 për “kryqëzimin si krishti” të penës së artë që e ka emrin Anila Gjokoreci.
Të pranohet dorëheqja e parevokueshme e Kryeredaktorit Albert Zholi, duke e soqëruar këtë “urdhër”, me një “Urdhër tjetër të datës 29 dhjetor 2025 drejtuar Shefit të Financës Jaçe Hysi për t’i ndërprerë pagën Albert Xholit dhe për t’i rritur pagën faqosëses së gazetës Nazime Ciroku… etj etj.
Në kundërshtim me Statutin e OVP të LANÇ, konkretisht me nenin 18 të tij, nxjerrë një urdhër tjetër në fillim të këtij muaj ku thekson se të gjitha shkresat, komunikimet, urdhërat dhe aktet e tjera do të dalin vetëm në emrin e Kryetarit Hulusi Hako, në një kohë që në nenin 18 të Statutit theksohet “Në marëdhënijet me institucionet e ndryshme, Organizata e Veteranëve dhe e Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar përfaqësohet nga Kryetari dhe Sekretari i Përgjithshëm, ose nga persona të autorizuar prej tyre”.
Sekretarin e Përgjithshëm Veli Myftari e ka zgjedhur Konferenca, shoku Hulusi Hako e nxjerrë “ në pensjon” për 3 muaj!
Nënkryetarin Idajet Beqiri e zgjedh Konferenca si përfaqësues ligjor i OVP të LANÇ, Shoku Hulusi Hako e zëvëndëson me Pjetër Ndrecën!
Kryeredaktorin Albert Zholi e emron dhe e rikonfirmon në detyrë organi i nomeklaturës Kryesia e OVP të LANÇ, por e shkarkon dhe i ndërpret rrogën shoku Hulusi Hako.
Anila Gjokorecin e shkarkon me vendim të arsyetuar Kryesia e OVP të LANÇ, dhe e rikthen në detyrë me “revizionim” shoku Hulusi Hako dhe vet Anila Gjokoreci!
Janë edhe një numur i konsiderueshëm “urdhra”, “testamente” e letra që janë jashtë çdo logjike normale dhe nuk ja vlenë t’i citojmë, sepse i keni në dosje dhe mund t’i lexojë çdo anëtarë kryesie.
Ne të zgjedhurit nga Konferenca e 13-të Kombëtare, posaçërisht Sekretari i Përgjithshëm Veli Myftari, nënkryetarët Vera Tarifa, Idajet Beqiri dhe Petrit Bregu, Kryeredaktori Albert Zholi, shefat e departamenteve të Financës, të Administratës dhe punonjësit e administratës, thuajse çdo ditë përjetojmë alogjikën, nevrasteninë dhe veprimet e pakontrolluara dhunuese, deri me thyerjen e shkopit mbi objektet e zyrës prej Shokut Hulusi Hako.
Nisur nga veprimet e tij skandaloze dhe të papërgjegjëshme me lëshime urdhrash çoroditëse dhe të pazbatueshme, haptaz në kundërshtim me Statutin dhe Veprimtarinë e Organizatës, vlerësuam që në datën 6 janar 2026 t’i bënim të qartë për herë të fundit dhe t’i bënim thirrje që të gjente forca brënda vetes, të shkëputej përfundimisht nga ngacmuesit e përditshëm Bashkim Koçi dhe Anila Gjokoreci që e “ndërsejnë” kundër të gjithë drejtuesëve të zgjedhur nga Konferenca e 13-të e OVP të LANÇ dhe i përgatisin akte që sikurse i theksuam, janë qesharake, pa asnjë vlerë statutore zbatuese, por çoroditëse dhe përçarëse, gjë të cilën e bëmë me shumë logjikë dhe përgjegjësi, duke i lënë dy ditë kohë për reflektim, me qëllim që të vazhdonim në normalitet të ecnim së bashku, Shoku Hulusi Hako, nën intrigat e Bashkim Koçit dhe Anila Gjokorecit nënshkruan një të ashtuquajtur “letër” ku thotë se ne, 13 pjesmarrësit në atë takim të 6 janarit 2026, e kishim mbyllur Në zyrë duke e mbajtur “peng”, duke e “dhunuar si fashistë” dhe duke mos i dhënë asnjë pikë ujë!
Këtë letër e hedh në fb e tij Bashkim Koçi, me një lumë shpifjesh dhe denigrimesh të tjera kundër Sekretarit të Përgjithshëm Veli Myftari posaçërisht, por që jemi shtuar edhe ne të tjerët këto kohët e fundit, dhe Anila Gjokoreci, në emrin e kryetarit tonë Hulusi Hako, i cili sikurse theksuam, as sheh, as dëgjon, as shkruan dot dhe as ka nerva të dëgjoj më këshilla, qortime dhe frenime vazhdojnë t’u dërgojnë letra pas letra organizatave në bazë, duke anashkaluar Kryesinë dhe Komitetin Kombëtar.
Tashmë për të gjithë ne drejtuesit e OVP të LANÇ, të zgjedhur nga Konferenca e 13-të Kombëtare, është e qartë se këto veprime nuk janë thjeshtë dhe vetëm nga paaftësia apo nga naiviteti. Ato janë një dorë që kërkon të zgjatet më tej dhe të helmoj këtë Organizatë, idealet dhe qëllimet e saj, vlerat e saj, organizimin e saj, përkushtimin e saj në interesë të popullit dhe të kombit duke mbështetur e përkrahur forcat progresiste dhe atdhetare të vendit. Ata janë përçarës të pandalshëm që duan t’a ribëjnë këtë Organizatë si para Konferencës së 13-të, me grindje, përçarje të rënda, shërre e klimë të padurueshme për punë dhe për veprim të dobishëm me realizimin e programit dhe të detyrave që i kemi vënë vetes në Konferencën e 13-të Kombëtare. Fatkeqësisht përdorën dhe vazhdojnë të përdorin Kryetarin tonë Hulusi Hako, i cili ka shkuar shumë largë, sikurse theksuam, dhe mosha, gjëndja fizike e mendore, kanë bërë punën e vet, deri në shkallën që nuk mund të hedhi dot më as një hap tjetër përpara në drejtimin e kësaj Organizate.
Jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm se kjo situatë e krijuar me një kryetar të dalë përfundimisht “jashtë shinave”, nuk është në të mirë të Organizatës sonë, nuk n’a nderon, nuk n’a bënë krenar, por edhe nuk n’a dekurajon. Përkundrazi, duke parë situatat si e kemi në të gjitha strukturat tona, nga qëndra, në bazë, duke e krahasuar me të gjithë spektrin shoqëror dhe politik në vend, duke parë gjithë situatën katrahurë jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, madje në të gjithë botën, jemi optimist se do e shërojmë pa dhimbje këtë “plagë” papërgjegjshmërie, e cila duhet shëruar menjëherë, sepse po bëhen përpjekje që të shtohen “Bashkimët”, “Anilat”, “Mathot”, “Hysenët”, “Elidianat”, “Pelivanat” etj takëm i tyre, që nuk kanë asgjë të përbashkët me thelbin e OVP të LANÇ, me idealet e saj, me Programin e saj, me vlerat e saj.
Duke parë hapat që kemi hedhur, punët e mira që kemi bërë për afro 3 vjet me radhë, për pastrimin e Organizatës në mënyrë graduale nga misionarët e së keqes dhe përçarësit, duke parë posaçërisht suksesin që arritëm në Konferencën e 13-të Kombëtare dhe gjallërimin e veprimtarive në të gjitha degët dhe seksionet në të gjithë Shqipërinë, pas kësaj Konference, duke parë dhe vlerësuar numurin e madh të kontributorëve dhe entusiazmin e tyre për të ecur vetëm përpara dhe për t’a ruajtur të pastër, në unitet dhe të përkushtuar në përmbushjen e misionit të saj historik, të kësaj Organizate të madhe, të përparuar dhe meritore e titullit që ka “Nderi i Kombit”, masat që do marrim sot i shërbejnë vetëm forcimit të kësaj Organizate. OVP të LANÇ e kemi për detyrë t’a ruajmë të shenjtë, siç n’a i kanë lënë amanet të parët e saj, me çdo çmim dhe me çdo sakrificë e përkushtim.
Bazuar në nenet 14, 15, 16 dhe 17, gërma “ç”, paragrafi 2 i Statutit të OVP të LANÇ të Popullit Shqiptar, i propozojmë kësaj Kryesie që nga sot e deri në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të OVP të LANÇ të PEZULLOJ nga ushtrimi i detyrës së Kryetarit të OVP të LANÇ Shokun Hulusi Hako dhe të komandojmë një Kryetar të Përkohshëm, deri në vendimarrjen përfundimtare të Komitetit Kombëtar të LANÇ të Popollit Shqiptar.
T’i Propozohet Komitetit Kombëtar të OVP të LANÇ përjashtimi si anëtare e Kryesisë dhe e Komitetit Kombëtar të OVP të LANÇ Anila Gjokoreci.
Bazuar në një sërë faktorësh, rrethanash, cilësish, vlerash, përvoje organizative dhe institucionale, bazuar në emrin dhe kontributin si familje për LANÇ dhe posaçërisht për këtë Organizatë, por nisur edhe nga trendi bashkëkohorë i Shqipërisë tonë Europiane, ju propozojmë që të komandojmë si Kryetare të OVP të LANÇ, Shoqen tonë Vera Tarifa, nënkryetare aktuale e Komitetit Kombëtar të OVP të LANÇ dhe Kryetare e OVP të LANÇ të Kryeqytetit tonë, Tiranës.
Ju Faleminderit!
Tiranë, më 24.01.2026

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Dështimi i privatizimit në Kosovë: Mungesa e prodhimit dhe inflacioni i ushqimit

Privatizimi i ndërmarrjeve publike në Kosovë, i shitur dikur si rruga drejt zhvillimit ekonomik, ka …